KosovaJob ka kontribuar në diskutimin “Gjenerata Z në tregun e punës – brez i kërkesave të reja?” në emisionin “Bon Bon” në RTV21, duke sjellë në fokus ndryshimet në pritshmëritë e gjeneratës së re dhe mënyrën se si ato po ndikojnë në tregun e punës.
Gili Hoxhaj, Menaxhere e PR-it dhe Komunikimit në KosovaJob, theksoi se Gjenerata Z nuk e lidh domosdoshmërisht fushën e studimeve me profesionin që do të ushtrojë, ndërsa transformimi teknologjik dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë gjithnjë e më shumë mënyrën se si punojmë. Sipas saj, për këtë gjeneratë, një vend pune nuk vlerësohet vetëm nga paga, por edhe nga mundësitë për zhvillim, fleksibilitet dhe një perspektivë të qartë të karrierës.
“Në bazë të asaj çka shohim ne vazhdimisht dhe në bazë të raporteve, sot Gjenerata Z nuk e ka të rëndësishme vetëm një pagë, por edhe fleksibilitetin në vendin e punës, edhe dedikimin e kohës për shoqërinë dhe aktivitete të tjera sociale. Unë mendoj që Gjenerata Z është gjenerata e parë e cila nuk e merr domosdoshmërisht fushën e studimit me fushën e profesionit që do ta ushtrojë. Profesionet nuk po zhduken, por po transformohen, kështu që sot po flasim për një gjeneratë, se sa janë të gatshëm për transformimin e profesionit. Nëse më herët, për 30 vjet, ka qenë më vështirë për të ndryshuar profesionin tënd, sot, me integrimin e inteligjencës artificiale, po ndryshon edhe mënyra se si ne punojmë”, ka theksuar ajo.
Më tej, ajo ka theksuar se zhvillimi i teknologjisë dhe integrimi i inteligjencës artificiale po ndryshojnë natyrën e shumë profesioneve, veçanërisht duke reduktuar nevojën për detyra më teknike dhe të përsëritshme. Në këtë realitet, sipas saj, gjithnjë e më shumë rëndësi po merr cilësia e njohurive dhe aftësia e profesionistëve për të sjellë perspektiva, për t’u përshtatur me ndryshimet dhe për të gjetur zgjidhje për probleme të ndryshme.
Ajo ka vënë në dukje gjithashtu se Gjenerata Z nuk fokusohet vetëm te ajo që mund t’i ofrojë një kompanie, por kërkon të kuptojë edhe çfarë është kompania e gatshme t’u ofrojë punonjësve të saj, ndërkohë që gjeneratat mund të mësojnë nga njëra-tjetra për të bashkëpunuar më mirë.
“Gjenerata Z sot nuk kërkon të di vetëm se çka munden ata t’i ofrojnë kompanisë, por dëshiron ta di edhe çfarë kompania është në gjendje të ofrojë të punonjësit dhe kjo është një pyetje shumë e mirë që ndoshta gjeneratat e tjera i ka dërguar në burnout dhe duke qëndruar të pakënaqur, çka unë mendoj që i bën më shumë dëm se sa që i bën mirë një vendi të punës nëse rri shumë gjatë i pakënaqur. Duhet gjetur një mes mes asaj çfarë kërkojnë punëdhënësit dhe çfarë kërkon Gjenerata Z, si dhe gjeneratat të përshtaten dhe të mësojnë prej njëra-tjetrës. Mendoj që Gjenerata Z mund të mësojë prej qëndrueshmërisë së gjeneratave të tjera dhe të tjerat të mësojnë prej një gjenerate të re në punë që di t’i kërkojë të drejtat e veta”, theksoi Gili.
Gili shtoi se Gjenerata Z kërkon mundësi për zhvillim, trajnime dhe mentorim, por edhe një pasqyrë të qartë të rrugëtimit të tyre në karrierë. Sipas saj, punëdhënësit duhet të investojnë në aftësitë e punonjësve dhe të përshtaten bashkë me ta me ndryshimet teknologjike.
“Sot gjenerata e re dëshiron të lëvizë dhe të avancohet për të qëndruar në një pozitë të punës, Gjenerata Z kërkon investim në trajnime të ndryshme. Punëdhënësit duhet të investojnë në avancimin e punonjësve, sepse nuk mund të thonë që tash ka ndryshuar teknologjia dhe duhet t’i largojmë punonjësit, për të ecur në një ritëm që të rriten së bashku. Po ashtu, Gjenerata Z kërkon edhe mentor, jo vetëm menaxherë, dhe nuk kërkon vetëm mentorë të mirë, por do ta ketë një pasqyrë të qartë se ku do ta dërgojë ajo pozitë përbrenda dy vjetëve, si mund të zhvillohet”, u shpreh ajo. / KosovaJob