1
POLITIKA E PRIVATËSISË DHE MBROJTJES SË TË DHËNAVE PERSONALE
Qëllimi

Kjo Politikë e Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale rregullon mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale nga KosovaJob.com, me seli në Prishtinë, Republika e Kosovës, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave personale, në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Politika ka për qëllim të sigurojë transparencë ndaj subjekteve të të dhënave, përfshirë punëkërkuesit, punëdhënësit dhe vizitorët e faqes, lidhur me kategoritë e të dhënave që grumbullohen, bazën ligjore të përpunimit, qëllimin e përpunimit dhe të drejtat që u takojnë sipas legjislacionit në fuqi.

Përdorimi i shërbimeve të KosovaJob.com nënkupton pranimin dhe pajtimin e përdoruesit me dispozitat e kësaj Politike të Privatësisë.

Të dhënat personale që grumbullohen

KosovaJob.com, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave, mbledh dhe përpunon të dhënat personale të nevojshme për krijimin dhe administrimin e profilit të përdoruesit, si dhe për ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit në punësim. Këto të dhëna përfshijnë:

i. Curriculum Vitae (CV) – dokument i ngarkuar nga përdoruesi, i cili përmban të dhënat që kandidati zgjedh vetë t’i paraqesë, si informata për identitetin, kualifikimet, përvojën e punës, referencat, certifikatat apo dokumente të tjera shoqëruese.
ii. Të dhënat bazë të profilit – emri, mbiemri, gjinia, data e lindjes, qyteti, numri i telefonit dhe, sipas dëshirës së përdoruesit, linqe të llogarive të rrjeteve sociale.
iii. Aftësitë profesionale – lista e aftësive të përzgjedhura nga përdoruesi nga opsionet e sugjeruara nga platforma ose të shtuara manualisht prej tij.
iv. Përvoja e punës – informacion mbi pozitat e mëparshme të punës, institucionet/kompanitë ku ka punuar përdoruesi dhe kohëzgjatjen e angazhimit.
v. Gjuhët e huaja – deklarimi i gjuhëve që kandidati zotëron dhe niveli i njohjes së tyre.
vi. Arsimi – të dhëna për institucionet arsimore të ndjekura, kualifikimet e fituara dhe periudhat përkatëse kohore.

Përveç këtyre, platforma mund të mbledhë automatikisht të dhëna teknike lidhur me përdorimin e saj, si adresa IP, lloji i shfletuesit dhe pajisjes së përdorur, me qëllim të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të shërbimeve.

Mbledhja dhe përpunimi i këtyre të dhënave kufizohet vetëm në masën e domosdoshme për ofrimin e shërbimeve të platformës dhe për realizimin e qëllimeve të përcaktuara në këtë Politikë të Privatësisë.

Qëllimet e përpunimit të të dhënave personale

KosovaJob.com përpunon të dhënat personale të kandidatëve, përfshirë Curriculum Vitae (CV), vetëm për qëllime të ligjshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Qëllimi kryesor është ndërmjetësimi në punësim, përmes:

i. mundësimit të aplikimit për pozita konkrete të shpallura nga punëdhënësit;
ii. ruajtjes së CV-ve në databazën e kandidatëve të platformës, në mënyrë që ato të jenë të aksesueshme për punëdhënësit klientë të autorizuar;
iii. krijimit të mundësisë për identifikimin e kandidatëve të përshtatshëm për pozita të reja pune, edhe jashtë aplikimit fillestar të dorëzuar nga punëkërkuesi.

Përveç ndërmjetësimit në punësim, të dhënat personale përpunohen gjithashtu për:

i. administrimin e llogarisë së përdoruesit;
ii. komunikimin me përdoruesit mbi shërbimet e ofruara nga platforma;
iii. përmbushjen e detyrimeve ligjore që burojnë nga legjislacioni përkatës;
iv. analiza statistikore dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve, duke përdorur të dhënat në formë të anonimizuar.

KosovaJob.com nuk i përpunon të dhënat personale për qëllime të tjera, përveçse kur është marrë pëlqimi i qartë dhe paraprak i subjektit të të dhënave ose kur kjo është e detyrueshme me ligj.

Ruajtja dhe afatet e mbajtjes së të dhënave personale

CV-të dhe të dhënat e tjera personale të dorëzuara nga përdoruesit ruhen në databazën e KosovaJob.com për aq kohë sa llogaria e përdoruesit është aktive ose derisa përdoruesi të ushtrojë të drejtën e tij për fshirje të të dhënave.

Në mungesë të një kërkese për fshirje, KosovaJob.com rezervon të drejtën që CV-të e ngarkuara të ruhen dhe të jenë të qasshme për punëdhënësit klientë të platformës, në funksion të ndërmjetësimit të vazhdueshëm në punësim.

Përdoruesit kanë të drejtë në çdo kohë të:

i. përditësojnë të dhënat e tyre;
ii. të largojnë CV-së dhe të dhënave të tjera personale nga databaza;
iii. tërheqin pëlqimin për përpunim të mëtejmë të të dhënave.

Pas marrjes së një kërkese për fshirje, KosovaJob.com do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të fshirë CV-në dhe të dhënat përkatëse nga databaza, përveç rasteve kur ruajtja e tyre është e detyrueshme me ligj.

Baza ligjore e përpunimit të të dhënave personale

Përpunimi i të dhënave personale nga KosovaJob.com bazohet në pëlqimin e dhënë nga përdoruesit gjatë aplikimit ose regjistrimit në platformë. Duke dorëzuar CV-në dhe të dhënat e tyre përkatëse, përdoruesit japin pëlqimin e qartë dhe të informuar që këto të dhëna të ruhen dhe përpunohen në përputhje me Ligjin nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për qëllime të ofrimit të shërbimeve të punësimit dhe prezantimit të kandidatëve tek punëdhënësit potencialë.

Ky pëlqim mbetet baza ligjore ekskluzive për çdo përpunim të të dhënave dhe përdoruesit kanë të drejtë ta tërheqin atë në çdo kohë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Pëlqimi i përdoruesit

Përdorimi i platformës KosovaJob.com kërkon pëlqimin e lirë, të vetëdijshëm dhe të qartë të përdoruesit për përpunimin e të dhënave të tij personale, në përputhje me këtë Politikë të Privatësisë.

Duke hyrë në www.kosovajob.com ose duke krijuar një profil si punëkërkues, përdoruesi jep pëlqimin e tij të qartë, të informuar dhe vullnetar për përpunimin e të dhënave personale në përputhje me kushtet e kësaj Politike. Ky pëlqim jepet gjithashtu shprehimisht kur përdoruesi aktivizon funksionin “Lejo Punëdhënësit të më Gjejnë/ Let Employers Find Me” brenda profilit të punëkërkuesit.

Ky pëlqim është dhënë në mënyrë vullnetare dhe përdoruesi ruan të drejtën ta tërheqë në çdo kohë, përmes kërkesës për fshirje të të dhënave ose mbylljes së llogarisë. Tërheqja e pëlqimit nuk cenon ligjshmërinë e përpunimit të bërë mbi bazën e pëlqimit para tërheqjes.

Të drejtat e subjekteve të të dhënave

KosovaJob.com garanton respektimin e plotë të të drejtave të subjekteve të të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Përdoruesit e platformës gëzojnë këto të drejta:

i. E drejta e informimit
Përdoruesit kanë të drejtë të informohen qartë dhe në mënyrë të kuptueshme për mënyrën e mbledhjes, përdorimit, ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave të tyre personale.

ii. E drejta e qasjes
Përdoruesit kanë të drejtë të kërkojnë konfirmim nëse të dhënat e tyre personale po përpunohen dhe, nëse po, të marrin kopje të këtyre të dhënave.

iii. E drejta e korrigjimit dhe fshirjes
Përdoruesit kanë të drejtë të kërkojnë korrigjimin e të dhënave të pasakta ose plotësimin e të dhënave të paplota, si dhe të kërkojnë fshirjen e të dhënave kur përpunimi nuk është më i nevojshëm ose kur është dhënë dhe tërhequr pëlqimi.

iv. E drejta e kufizimit të përpunimit
Përdoruesit kanë të drejtë të kërkojnë kufizimin e përpunimit të të dhënave të tyre në rrethana të caktuara, përfshirë rastet kur sfidojnë saktësinë e të dhënave.

v. E drejta e transferimit të të dhënave
Përdoruesit kanë të drejtë të marrin të dhënat e tyre personale në një format të strukturuar, të përdorur gjerësisht dhe të lexueshëm nga pajisjet, dhe t’i transferojnë ato tek një kontrollues tjetër të të dhënave.

vi. E drejta e ankesës
Përdoruesit kanë të drejtë të paraqesin ankesë pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi nëse konsiderojnë se të dhënat e tyre janë përpunuar në kundërshtim me ligjin.

Masat e sigurisë dhe kufizimi i përgjegjësisë

KosovaJob ndërmerr masa të arsyeshme teknike dhe organizative për të mbrojtur të dhënat personale nga qasja e paautorizuar, humbja, keqpërdorimi apo shkatërrimi. Këto masa përfshijnë përdorimin e teknologjive mbrojtëse, kontrolle të qasjes dhe politika të brendshme të harmonizuara me praktikat më të mira të sigurisë.

Megjithatë, përdoruesit pranojnë se asnjë sistem nuk mund të garantojë mbrojtje absolute ndaj sulmeve kibernetike apo ndërhyrjeve të paautorizuara. Për këtë arsye, KosovaJob përcakton kufizimet e mëposhtme të përgjegjësisë:

i. Përdorimi i platformës nga punëdhënësit
Punëdhënësit që shfrytëzojnë sistemin e rekrutimit në platformën KosovaJob e bëjnë këtë në rrezikun e tyre. Në rast të ndonjë shkeljeje të të dhënave që lidhet me aktivitetin e tyre të rekrutimit ose me të dhënat e kandidatëve, KosovaJob nuk mban përgjegjësi për humbje ose dëme.

ii. Komunikimet në platformë
Në rast se bisedat ose shkëmbimet e informacionit ndërmjet punëdhënësve dhe kandidatëve komprometohen si rezultat i qasjes së paautorizuar, KosovaJob nuk mban përgjegjësi për pasojat që mund të lindin.

iii. Kandidatët
Nëse profilet, CV-të, letrat motivuese ose dokumentet e tjera të ngarkuara nga kandidatët bëhen objekt i një ndërhyrjeje të paautorizuar apo sulmi kibernetik, KosovaJob nuk mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

iv. Historiku i komunikimeve
Nëse mesazhet ose të dhënat e shkëmbyera mes kandidatëve dhe punëdhënësve ekspozohen si rezultat i një ndërhyrjeje të palëve të treta, KosovaJob përjashtohet nga çdo përgjegjësi.
v. Deklaratë e përgjithshme sigurie

KosovaJob zbaton masa sigurie të arsyeshme dhe të përshtatshme, por nuk mund të garantojë mbrojtje të plotë ndaj sulmeve kibernetike shumë të sofistikuara. Përdoruesit, duke shfrytëzuar platformën, e pranojnë këtë rrezik.

vi. Kufizimi i përgjegjësisë
Në asnjë rast KosovaJob nuk do të mbahet përgjegjëse për dëme indirekte, pasuese, humbje të fitimit apo humbje të të dhënave që mund të rrjedhin nga përdorimi ose pamundësia për përdorim i platformës, edhe nëse KosovaJob është njoftuar për mundësinë e dëmit të tillë.

Transferimi i të dhënave jashtë Kosovës dhe te palët e treta

Të dhënat personale të mbledhura nga KosovaJob.com mund të ruhen ose përpunohen në serverë të vendosur jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nëse kjo është e domosdoshme për funksionimin teknik të platformës. Në raste të tilla, KosovaJob.com sigurohet që çdo transferim i të dhënave të bëhet vetëm ndaj subjekteve që ofrojnë një nivel të përshtatshëm të mbrojtjes së të dhënave, të barasvlershëm me standardet e parashikuara në legjislacionin e Kosovës.

Të dhënat e përdoruesve mund të ndahen edhe me partnerë kontraktualë ose ofrues të shërbimeve që janë të domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve të platformës (p.sh. hostimi i serverëve, mirëmbajtja teknike, përpunimi i pagesave). Në këto raste, KosovaJob.com ruan kontrollin mbi të dhënat dhe palët e treta janë të detyruara, me marrëveshje kontraktuale, të respektojnë konfidencialitetin dhe sigurinë e tyre.

Asnjë e dhënë personale nuk transferohet te palët e treta për qëllime të tjera (p.sh. marketing të jashtëm) pa pëlqimin e shprehur paraprak të përdoruesit.

Palët e treta dhe përpunuesit e autorizuar

KosovaJob.com u ofron punëdhënësve klientë qasje në CV-të dhe të dhënat personale të dorëzuara nga përdoruesit, me qëllim të punësimit. Punëdhënësit që shfrytëzojnë platformën kanë përgjegjësi të pavarur për mënyrën se si i trajtojnë të dhënat personale, duke u detyruar të respektojnë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave. Përveç punëdhënësve, të dhënat personale mund të përpunohen nga palë të treta të autorizuara nga KosovaJob.com, si ofrues shërbimesh teknike, hostim serverësh, mirëmbajtje të sistemeve dhe mbështetje IT. Këta përpunues veprojnë vetëm sipas instruksioneve të KosovaJob.com dhe janë të detyruar me kontrata të posaçme të respektojnë konfidencialitetin dhe sigurinë e të dhënave.

KosovaJob.com nuk autorizon palë të tjera të përdorin të dhënat për qëllime të ndryshme nga ato që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e platformës dhe ndërmjetësimin në punësim.

Përdorimi i cookies dhe teknologjive të ngjashme

KosovaJob.com përdor cookies dhe teknologji të ngjashme për të siguruar funksionimin teknik të faqes, për të përmirësuar përvojën e përdoruesit dhe për të analizuar përdorimin e shërbimeve. Cookies funksionale janë të domosdoshme për funksionimin bazë të faqes dhe nuk mund të çaktivizohen. Përveç tyre, përdoren cookies të performancës dhe analizës me qëllim matjen e trafikut dhe kuptimin e mënyrës së përdorimit të platformës, si dhe cookies të preferencave që ruajnë zgjedhjet dhe cilësimet e përdoruesve për një përvojë më të personalizuar. Në rast se aktivizohen cookies të marketingut, ato mund të përdoren për shfaqjen e përmbajtjes dhe reklamave të përshtatura.

Përdoruesit informohen për përdorimin e cookies përmes një njoftimi në faqen hyrëse dhe kanë të drejtë të pranojnë ose refuzojnë përdorimin e cookies jo të domosdoshme.

Zgjedhjet e bëra nga përdoruesi ruhen dhe mund të ndryshohen në çdo kohë.

Kontakti dhe autoriteti mbikëqyrës

Për çdo pyetje, shqetësim apo kërkesë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, përdoruesit mund të kontaktojnë KosovaJob.com në adresën:

Shkamb Kërleshi
KosovaJob.com
Qyteza Pejton, Rr. Perandori Justinian, Nr. 62
Prishtina 10000, Kosovo
Email: info@kosovajob.com
Tel: +383 (0)45 11 14 14

Përdoruesit kanë të drejtë gjithashtu t’i drejtohen Agjencisë për Informim dhe Privatësi, si autoriteti kompetent për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Republikën e Kosovës, nëse konsiderojnë se të dhënat e tyre personale janë përpunuar në kundërshtim me ligjin.

Ndryshimet në politikën e privatësisë

KosovaJob.com mund ta përditësojë këtë politikë privatësie herë pas here, për të reflektuar ndryshime në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndryshime teknologjike ose mënyrën e funksionimit të platformës.

Në rast se bëhen ndryshime substanciale, përdoruesit do të njoftohen përmes publikimit të versionit të përditësuar në faqen zyrtare dhe, kur është e nevojshme, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë (email ose njoftim brenda platformës).

Vazhdimi i përdorimit të platformës pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve konsiderohet si pranim i politikës së përditësuar.

Hyrja në fuqi

Kjo politikë privatësie hyn në fuqi në ditën e publikimit në faqen zyrtare të KosovaJob.com dhe zbatohet për të gjitha të dhënat personale të mbledhura dhe të ruajtura nga platforma.

Kjo politikë zëvendëson çdo version të mëparshëm të politikave të privatësisë ose dispozitave mbi konfidencialitetin të përfshira në Kushtet e Përdorimit të publikuara nga KosovaJob.com.

Përdoruesit ekzistues të platformës konsiderohen të informuar për këtë politikë me datën e publikimit të saj. Vazhdimi i përdorimit të shërbimeve të platformës pas kësaj date nënkupton pajtimin e tyre me përmbajtjen e politikës së re.

Çdo përdorues ekzistues ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë fshirjen e të dhënave të tij personale nga databaza e KosovaJob.com nëse nuk pajtohet me këtë politikë. Në këto raste, KosovaJob.com do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për fshirjen e të dhënave, përveç rasteve kur ruajtja e tyre është e domosdoshme sipas ligjit.
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet