Në Universitetin Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt tryeza me titull “Bashkëpunimi Universitet–Industri për Zhvillimin e Karrierës dhe Punësimit”, e organizuar nga Bordi Këshillëdhënës dhe Qendra për Zhvillim në Karrierë. Në këtë diskutim morën pjesë drejtues të universitetit, profesorë, studentë, si dhe përfaqësues të organizatave dhe kompanive të ndryshme vendore.
Në mesin e panelistëve ishte edhe Shkamb Kërleshi nga KosovaJob, i cili ndau perspektivën mbi aftësitë që kërkon tregu i punës dhe rëndësinë e përgatitjes praktike të studentëve për industrinë.
Shkambi theksoi se tregu i punës kërkon profesionistë me kombinim të aftësive teknike dhe aftësive të buta, duke veçuar komunikimin, përgjegjësinë dhe qasjen korrekte ndaj punës si elemente kyçe për suksesin profesional. Ai foli gjithashtu për rëndësinë e ndërlidhjes më të fortë ndërmjet universiteteve dhe industrisë, në mënyrë që të diplomuarit të jenë më të përgatitur për kërkesat reale të tregut.
Gjatë tryezës u diskutua edhe për mundësitë e praktikës profesionale, mentorimit dhe punësimit të studentëve, si dhe për nevojën që programet studimore të përshtaten vazhdimisht me zhvillimet dhe kërkesat e tregut të punës.
Ky aktivitet shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit privat, me fokus krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin profesional dhe punësimin e të rinjve.