1
Trefish më i madh, shumëfish më me ndikim – PowerToHR kalon kufijtë me +800 pjesëmarrës

Trefish më i madh, shumëfish më me ndikim – PowerToHR kalon kufijtë me +800 pjesëmarrës

	 	 

Më 3 prill, Prishtina u bë epiqendra e inovacionit në Burime Njerëzore. Kësaj radhe përtej pritshmërive dhe përtej kufijve! KosovaJob mblodhi mbi 800 pjesëmarrës në edicionin më të madh dhe më të gjallë të Samitit “PowerToHR”, duke i dhënë jetë një ngjarjeje që bashkoi njerëzit, teknologjinë dhe marketingun në një format tërësisht të ri dhe energjik në AMC Hall.

Në edicionin e tretë të këtij samiti, që tashmë është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm për profesionistët e HR në rajon, morën pjesë kompani të njohura ndërkombëtare dhe ekspertë të fushës nga Kosova dhe bota. Përvojat, idetë dhe inspirimi u ndanë në skena të shumta, duke krijuar një atmosferë të rrallë bashkëpunimi dhe zhvillimi profesional.

Arion Rizaj, themeluesi i KosovaJob dhe HumanPower, gjatë fjalës së tij theksoi dy shtyllat mbi të cilat qëndron ky samit: rrjetëzimi dhe mësimi i trendeve të reja që po transformojnë mënyrën si organizatat menaxhojnë kapitalin njerëzor.

“Në edicionin e kaluar kishim 350 pjesëmarrës – këtë vit mbi 800. Kjo nuk është vetëm një rritje në numër, por një konfirmim se PowerToHR po bëhet udhërrëfyes për profesionistët që kërkojnë të lidhen, të mësojnë dhe të bashkëpunojnë”, u shpreh Arion Rizaj.
“Po ndërtojmë një hapësirë ku ekspertiza globale takohet me nevojat locale”, ka shtuar tutje Arioni.

Ndër të ftuarit më të veçantë ishte Serkan Deveci, drejtues i lartë i Burimeve Njerëzore në Google, i cili ndau përvojën e tij 15-vjeçare në këtë kompani gjigande.

“Për të pasur klientë të lumtur, duhen punonjës të lumtur. Dhe për këtë, duhet të kultivojmë ndjesi të qëllimit, përkatësisë dhe zhvillimit tek secili punonjës,” u shpreh Deveci. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të punonjësve si një faktor kyç në suksesin financiar të çdo kompanie.

Arlen Qinami nga Wolt ka qenë një nga folësit kryesor ka thënë se ka qenë knaqësi për të shpalosur kulturën e kompanisë së tyre pranë shumë të rinjve që kanë ardhur të mësojnë nga afër në samit. Tutje ai ka thënë se është i mahnitur me organizimin dhe një event i tillë është shumë i nevojshëm edhe në Shqipëri.

“Janë evente të tilla ato që do të na ndihmojnë të zhvillohemi dhe t’ia lehtësojmë vetes punën e kërkimit të talenteve në treg. Jam i habitur nga mënyra e organizimit, me thënë të drejtën jam edhe pak xheloz që një event i tillë nuk është edhe në Shqipëri, xheloz në kuptimin e mirë sepse ka qenë gjithçka  e jashtëzakonshme” , ka thënë ai.

Nga skena në skenë, diskutimet u kthyen në energji e rrjetezim. Shyqiri Bytyqi, zëvendëskryeshef në Eurosig, vlerësoi ngjarjen si një platformë unike që i jep hapësirë të rinjve të njihen me botën reale të punës dhe të frymëzohen për të ndërtuar karrierën e tyre.

“Në një kohë kur tregu i punës po ndryshon me shpejtësi, PowerToHR krijon ambientin ideal për informim dhe promovim të talenteve të reja,” theksoi Bytyqi.

Edhe Afrika Zyberi, udhëheqëse e komunikimit në IPKO, e cilësoi këtë samit si një mundësi të artë për të zbuluar profesionistët e së ardhmes:

“Për ne në IPKO, njerëzit janë forca jonë më e madhe. Partneriteti me PowerToHR nuk është vetëm bashkëpunim – është investim në të ardhmen.”

Me mbi 40 folës dhe tri skena që zhvilloheshin paralelisht, PowerToHR solli përfaqësues nga kompani si Google, Meta, Booking, Adidas dhe Wolt, duke sjellë në Prishtinë një përzierje të jashtëzakonshme të ideve, praktikave më të mira dhe vizioneve për të ardhmen e punës.

Në fund të ditës, një gjë ishte e qartë: më 3 prill, Kosova me "PowerToHR" nuk ishte vetëm pjesë e trendeve globale – ajo ishte një nga eventet kryesore ku ato u diskutuan dhe u formësuan.
PowerToHR nuk është më thjesht një samit – është një lëvizje që po formëson të ardhmen e Burimeve Njerëzore në Ballkan dhe më gjerë./ KosovaJob

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet