Shkambi është një histori suksesi në KosovaJob. Një histori suksesi e fuqizuar vit pas viti në një dekadë e që u rrit profesionalisht bashkë me platformën #1 të punësimit në vend, KosovaJob. Ai filloi rrugëtimin e tij si praktikant, duke përjetuar sfida dhe mundësi që e formësuan në një drejtues të suksesshëm. Me pasion për të mësuar dhe një qëndrim të palëkundur, ai kaloi nga rolet operative te pozicioni aktual si Drejtor Komercial i Shitjes, duke fituar përvojë të pasur dhe respektin e ekipit e të klientëve. Përgjatë më shumë se një dekadë, ai ka kontribuar në zhvillimin strategjik të kompanisë, forcimin e marrëdhënieve me klientët dhe ndërtimin e një kulture pune që frymëzon rritje dhe inovacion. Në këtë intervistë, ai ndan përvojat, sfidat dhe sukseset e tij, duke ofruar këshilla të vlefshme për të rinjtë që fillojnë karrierën e tyre.
KosovaJob: Si ishte përvoja juaj kur filluat si praktikant në KosovaJob dhe si e përshkruani atë kohë?
Shkamb Kërleshi: Kur fillova si praktikant në KosovaJob, ishte një periudhë shumë emocionuese dhe sfiduese për mua. Duke qenë i ri dhe ambicioz, kisha shumë dëshirë për të mësuar, por edhe ndjenja e pasigurisë ishte prezente. Në KosovaJob isha mësuar të aplikoj për shpallje pune por për të punuar pikërisht ketu nuk e kisha menduar. Çfarë më pëlqente më së shumti në fillim ishte se çdo ditë sillte mundësi të reja për të mësuar dhe për të kontribuar. Ajo që më ka mbetur në mendje është mikpritja dhe mbështetja nga Arioni, që më bëri të ndihem menjëherë pjesë e diçkaje më të madhe.
KosovaJob: Cilat ishin disa nga sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj nga praktikant në Drejtor Komercial të Shitjes?
Shkamb Kërleshi: Një nga sfidat më të mëdha ishte të fitoja besimin e klientëve dhe të ekipit, sidomos në fillimet e mia. Gjithashtu, kalimi nga një rol operativ në atë drejtues kërkonte përshtatje të vazhdueshme dhe zhvillim të aftësive menaxheriale. Sfida tjetër ishte të qëndroja i motivuar dhe të përballoja presionin e tregut që ndryshonte vazhdimisht. Por çdo sfidë më ka bërë më të fortë dhe më të përgatitur për përgjegjësitë që kam sot.
KosovaJob: Cila është një arritje që ndiheni veçanërisht krenar në këto 10 vite në KosovaJob?
Shkamb Kërleshi: Jam veçanërisht krenar për ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme me klientët tanë. Shumë nga klientët që kam punuar me ta në fillimet e mia janë ende me ne sot. Po ashtu, ndihem krenar për kontributin tim në zhvillimin e shërbimeve që ofron KosovaJob dhe në rritjen e portofolit të klientëve. Një tjetër arritje është krijimi i një ekipi të motivuar dhe të përkushtuar, që përbën shtyllën kryesore të suksesit të kompanisë.
KosovaJob: Kush ka qenë ndikimi më i madh ose mentori juaj gjatë zhvillimit të karrierës në këtë kompani?
Shkamb Kërleshi: Ndikimi më i madh ka ardhur nga Arioni pasi qe ma ka besuar çdo punë në çdo departament të kompanisë sado sensitive apo konfidenciale të ketë qenë. Ky besim nga ana e tij më ka ndihmuar të ngritem shumë në karrierë dhe më ka bërë të kuptojë se si pasioni dhe puna e palodhur mund të sjellin rezultate të jashtëzakonshme. Gjithashtu, çdo koleg që kam pasur gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol në zhvillimin tim, qoftë përmes sfidave që kemi kaluar së bashku apo përmes mësimeve që kemi ndarë.
KosovaJob: Si e mbani motivimin dhe energjinë pozitive në punën e përditshme me ekipin dhe klientët?
Shkamb Kërleshi: Më motivon shumë ndjenja e qëllimit dhe ndikimi që kemi në jetët e njerëzve përmes punës sonë. Gjithashtu, më frymëzon suksesi i ekipit tim dhe rezultatet pozitive që arrijmë së bashku. Më pëlqen të jem gjithmonë në kontakt me klientët dhe të dëgjoj sfidat e tyre, pasi kjo më ndihmon të qëndroj i përkushtuar dhe i angazhuar. Një tjetër element kyç është krijimi i një ambienti pune ku çdo anëtar i ekipit ndihet i vlerësuar dhe i mbështetur.
KosovaJob: Cilat janë disa ndryshime kryesore që keni vërejtur në KosovaJob gjatë këtyre viteve?
Shkamb Kërleshi: KosovaJob ka evoluar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve duke u bërë kështu platforma #1 e punësimit në Kosovë dhe jo vetëm, sepse kemi arritur të bëhemi edhe një prej emrave më të njohur në sektorin e rekrutimit dhe burimeve njerëzore në rajon përmes projektit PoëerToHR. Teknologjia gjithashtu ka luajtur një rol të madh në këtë evolucion, dhe mënyra si ofrojmë shërbimet tona ka ndryshuar dukshëm. Vetë kultura e kompanisë është zhvilluar në një mënyrë që inkurajon inovacionin, bashkëpunimin dhe rritjen personale e profesionale.
KosovaJob: Cila është një këshillë që do t'ia jepnit një të riu që fillon si praktikant në këtë kompani?
Shkamb Kërleshi: Këshilla ime do të ishte: jini të durueshëm, të përkushtuar dhe gjithmonë të gatshëm për të mësuar. Asgjë e madhe nuk arrihet brenda natës, por me punë të vazhdueshme dhe me përkushtim, çdo gjë është e mundur. Mos kini frikë të bëni pyetje dhe të kërkoni ndihmë, pasi çdo anëtar i ekipit është këtu për të mbështetur njëri-tjetrin.
KosovaJob: Çfarë roli ka luajtur kultura e punës dhe ekipi në suksesin tuaj personal dhe profesional dhe si mendoni se keni kontribuar ju në këtë?
Shkamb Kërleshi: Kultura e punës në KosovaJob ka qenë një nga faktorët kyç në suksesin tim. Është një ambient që inkurajon zhvillimin, bashkëpunimin dhe ndarjen e ideve. Kam kontribuar në këtë kulturë duke qenë gjithmonë i hapur për të ndarë përvojën time, duke mbështetur kolegët dhe duke promovuar një frymë pozitive dhe mbështetëse në ekip. Besoj se një ekip i suksesshëm ndërtohet mbi mirëbesimin dhe respektin e ndërsjellë.
KosovaJob: A ka ndonjë situatë të paharrueshme ose histori frymëzuese që do të donit të ndanit nga koha juaj në KosovaJob?
Shkamb Kërleshi: Një nga momentet më të paharrueshme ishte kur arritëm të përfundonim një projekt shumë të rëndësishëm “Dark Side of HR” brenda një afati të shkurtër kohor, falë punës së palodhur dhe bashkëpunimit të të gjithë ekipit. Ishte një situatë që tregoi se kur njerëzit punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët, mund të arrijnë gjëra të jashtëzakonshme. Pa harruar këtu edhe organizimet me të mëdha për dy edicionet e PoëerToHR që kërkojnë detaje në maksimum. Gjithashtu, më frymëzon çdo herë kur dëgjoj histori të suksesshme nga kandidatët që kanë gjetur punë përmes platformës sonë.
KosovaJob: Cilat janë përparësitë kur qëndroni kaq gjatë në një kompani?
Shkamb Kërleshi: Një nga përparësitë kryesore është stabiliteti dhe njohuria e thellë për strukturën dhe kulturën e kompanisë. Kjo më ka lejuar të ndërtoj marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme me klientët dhe kolegët. Gjithashtu, qëndrimi i gjatë në një kompani ofron mundësinë për të parë rezultatet e punës së palodhur ndër vite ku edhe mund t’i shohësh dallimet se si ka qenë dhe si është tani të jep një ndjenjë krenarie që ke qenë pjesë e ngritjes, ndryshimit zhvillimit afatgjatë.
KosovaJob: Si e shihni të ardhmen tuaj në KosovaJob dhe cilat janë synimet që dëshironi të arrini në vitet e ardhshme?
Shkamb Kërleshi: E ardhmja ime në KosovaJob është e lidhur ngushtë me vizionin dhe zhvillimin e kompanisë. Dëshiroj të vazhdoj të kontribuoj në zgjerimin e shërbimeve dhe në ndërtimin e partneriteteve të reja. Synimi im kryesor është të ndihmoj në krijimin e një platforme akoma më inovative dhe të dobishme për klientët dhe kandidatët tanë, duke siguruar që KosovaJob të mbetet një lider në tregun e burimeve njerëzore dhe adresa e vetme e punësimit në Kosovë./ KosovaJob