Shkamb Kërleshi ka qenë pjesë e edicionit të parë të “Tech Fest” që është organizuar nga London School në Mitrovicë. Ai para të pranishmëve ka folur për rrugëtimin transformues të KosovaJob dhe përdorimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale në dobi të punëkërkuesve dhe punëdhënësve.
Ai ka theksuar se teknologjia nuk duhet parë si një armik por si një mjet që u ndihmon për të përparuara në karrierë. Lidhur me këtë ka theksuar disa nga zhvillimet në KosovaJob për tu ndihmuar rekruterëve në përzgjedhjen e kandidatëve.
“Tani gjithçka është digjitale, postimet e shpalljeve të punës, aplikimet, intervistat etj. Kështu e kemi filluar edhe ne si KosovaJob, duke i skanuar shpalljet nëpër gazeta dhe duke i publikuar ‘online’ ku në atë kohë shumica përdornin telefonat, këtu mendoj qe kemi kontribuar në përdorimin e teknologjisë në tregun e punës. Por nuk jemi ndalur me kaq, ne në KosovaJob e kemi zhvilluar nje software që shërben për aplikimin dhe filtrimin e kandidateve, dhe ne ndërkohë e kemi integru edhe AI Filtering i cili ndihmon në përzgjedhjen kandidatëve të duhur. Kjo e ka zvogëluar kohën e përzgjedhës se kandidatëve mbi 40% por s’do te thotë qe po e zëvendësojmë punën e rekruterëve, vetëm po e bëjmë më të lehtë”, ka thënë ai.
Tutje për të rinjtë ka theksuar se duhet të përcaktohen të aftësitë që lidhen me komunikimin, zgjidhjen e problemeve, qe adaptohen lehtë që kanë njohuri për mjetet digjitale si Canva, Excel, ChatGPT.
“Mundësitë duhet t’i krijoni vetë, poashtu edhe përvojën. Përvoja krijohet nëse aplikon për pune praktike edhe nëse është pa pagesë, apliko për punë vullnetare, të ndihmon te krijosh përvojë, te mësosh punën ne ekip. Hapeni një LinkedIn dhe bëni disa postime se çfarë ju apasionon më shumë. Shumica e profesionistëve të HR-t dhe rekruterëve janë aktiv në LinkedIn dhe dikush mund t’ju jap një mundësi”, ka shtuar tutje ai.
Mbi 500 pjesëmarrës: studentë, profesorë dhe folës profesionistë të teknologjisë u mblodhën për të eksploruar botën e programimit, robotikës dhe inteligjencës artificiale më 9 qershor në “Tech Fest” në Mitrovicë. / KosovaJob