
Bazuar në nenet 8, 10 (paragrafi 2.2.) dhe 15 të Ligjit të punës nr.03/L-212 të Republikës së Kosovës, nenet 5 (paragrafi 1, 2, 4, 5) dhe 7 të Udhëzimit Administrativ MFPT-nr. 01/2024 dhe plotësim ndryshimit të UA 03/2024 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, nenet 5.3.2 dhe 7.1 të Manualit të punëtorëve si dhe nenet 6.2, 7.3 dhe 9.2 të Politikës së rekrutimit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh. a. për plotësim të vendeve të lira të punës si më poshtë, shpall:
KONKURS PUBLIK

Përmbledhje e detyrave për pozitën: Këshilltar për Sistemet Elektroenergjetike, Tregjet e Energjisë
dhe Inovacionin
Detyrat e përgjithshme:
Këshilltari për Sistemet Elektroenergjetike, Tregjet e Energjisë dhe Inovacionin mbështet menaxhmentin dhe njësitë profesionale të organizatës në analizimin e zhvillimeve të sistemit elektroenergjetik, modelimin dhe optimizimin e skenarëve të ardhshëm, vlerësimin e tregjeve të energjisë dhe zhvillimin e mekanizmave inovativë për integrimin e burimeve të ripërtëritshme, fleksibilitetit dhe teknologjive të reja.
Këshilltari ka rol këshillues dhe analitik, me fokus në përkthimin e analizave teknike, ekonomike dhe rregullative në rekomandime praktike për vendimmarrje, planifikim strategjik dhe reforma të tregut.
Detyrat specifike:
Brenda kësaj detyre përgjegjësitë dhe detyrat specifike janë:
Modelimi dhe optimizimi i sistemit elektroenergjetik
- Zhvillon dhe mirëmban modele të sistemit elektroenergjetik për analiza afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
- Përgatit skenarë për zhvillimin e kërkesës, gjenerimit, kapaciteteve të reja, interkoneksioneve dhe burimeve të fleksibilitetit.
- Analizon ndikimin e integrimit të burimeve të ripërtëritshme, sistemeve të ruajtjes së energjisë, automjeteve elektrike, hidrogjenit, pompave termike dhe teknologjive të tjera.
- Kryen analiza të optimizimit ekonomik të dispeçimit, adekuacisë së sistemit dhe nevojave për kapacitete fleksibile.
- Vlerëson ndikimin e skenarëve të ndryshëm në sigurinë e furnizimit, kostot e sistemit dhe funksionimin e tregut.
Analiza e energjisë dhe tregjeve
- Analizon zhvillimet në tregjet ditore, brenda-ditore, balancuese dhe të kapaciteteve.
- Monitoron çmimet, flukset ndërkufitare, kongjestionet, devijimet, kostot e balancimit dhe treguesit e tjerë relevantë.
- Përgatit analiza krahasuese me tregjet evropiane dhe rajonale.
- Vlerëson ndikimin e ndryshimeve rregullative dhe të dizajnit të tregut në pjesëmarrësit e tregut dhe në funksionimin e sistemit.
- Mbështet përgatitjen e raporteve periodike, analizave për menaxhmentin dhe materialeve për vendimmarrje.
Reforma inovative të tregut
- Hulumton dhe propozon modele të reja të organizimit dhe funksionimit të tregut të energjisë.
- Analizon mundësitë për zhvillimin e tregjeve të fleksibilitetit, pjesëmarrjen aktive të konsumatorëve dhe integrimin e burimeve të shpërndara.
- Vlerëson praktikat evropiane për agregimin, demand response, komunitetet energjetike, prosumatorët dhe shërbimet ndihmëse.
- Përgatit rekomandime për reforma që rrisin konkurrencën, transparencën, efikasitetin dhe integrimin rajonal të tregut.
- Mbështet zhvillimin e koncepteve pilot dhe mekanizmave inovativë të tregut.
Mekanizmat për prokurimin e fleksibilitetit
- Analizon nevojat e sistemit për fleksibilitet në horizonte të ndryshme kohore.
- Propozon mekanizma për prokurimin e kapaciteteve dhe shërbimeve fleksibile.
- Vlerëson mundësitë për pjesëmarrjen e sistemeve të ruajtjes, gjenerimit fleksibil, konsumatorëve aktivë, agregatorëve dhe automjeteve elektrike.
Ndërlidhja e sektorëve
- Zhvillon skenarë për elektrifikimin e sektorëve të tjerë dhe ndikimin e tyre në sistemin elektroenergjetik.
- Vlerëson potencialin e automjeteve elektrike, Vehicle-to-Grid, pompave termike, ruajtjes termike dhe hidrogjenit për ofrimin e fleksibilitetit.
- Përgatit rekomandime për planifikimin e integruar të energjisë dhe dekarbonizimin ndërsektorial.
Mbështetja e politikave dhe planifikimit strategjik
- Mbështet përgatitjen e strategjive, planeve zhvillimore dhe dokumenteve të politikave energjetike.
- Vlerëson ndikimin teknik, ekonomik dhe institucional të reformave të propozuara.
- Përgatit analiza, dokumente konceptuale, policy briefs dhe rekomandime për menaxhmentin.
- Mbështet harmonizimin me zhvillimet e tregut evropian, politikat e BE-së dhe praktikat e operatorëve evropianë.
- Identifikon rreziqe, mundësi dhe nevoja për investime që lidhen me tranzicionin energjetik.
Menaxhimi dhe analiza e të dhënave
- Mbledh, përpunon dhe analizon të dhëna nga burime të brendshme dhe të jashtme.
- Zhvillon modele dhe analiza duke përdorur Python, SQL dhe mjete të specializuara për modelimin energjetik.
- Përgatit vizualizime, tabela, tregues dhe panele analitike për raportim dhe vendimmarrje.
- Siguron dokumentimin, transparencën dhe riprodhueshmërinë e modeleve dhe analizave.
- Bashkëpunon me njësitë përkatëse për përmirësimin e cilësisë dhe përdorimit të të dhënave.
Bashkëpunimi institucional dhe profesional
- Bashkëpunon me njësitë e operimit të sistemit, tregut, planifikimit, zhvillimit, rregullativës, IT-së dhe financave.
- Merr pjesë në grupe punuese, projekte kërkimore dhe iniciativa rajonale ose ndërkombëtare.
- Koordinon analiza dhe konsultime me operatorë të sistemit, rregullatorë, institucione publike, universitete dhe organizata ndërkombëtare.
- Prezanton gjetjet dhe rekomandimet para menaxhmentit dhe palëve të interesit.
- Mbështet transferimin e njohurive dhe zhvillimin e kapaciteteve të brendshme.
Të tjera
Për më tepër ai/ajo kryen detyra të tjera të cilat kërkohen nga Kryeshefi Ekzekutiv, dhe që janë të nevojshme për funksionimin efektiv të KOSTT-it.
Kërkesat profesionale/Kualifikimet, aftësitë dhe shkathtësitë tjera:
Shkollimi: Diplomë universitare në inxhinieri elektrike, sisteme energjetike, ekonomi të energjisë, matematikë të aplikuar ose fushë të ngjashme, studimet master/PhD në sisteme elektroenergjetike, smart grids, energji ose fushë të ngjashme përbëjnë përparësi
Përvoja e punës: Minimum 5 vite përvojë në modelimin e sistemeve energjetike, analizën e tregut të energjisë ose zhvillimin e politikave energjetike.
Njohuritë dhe aftësitë profesionale:
- Njohuri për tregjet ditore, brenda-ditore dhe balancuese.
- Njohuri për integrimin e burimeve të ripërtëritshme, fleksibilitetin, ruajtjen e energjisë dhe ndërlidhjen e sektorëve.
- Përvojë në përdorimin e Python, SQL ose mjeteve të ngjashme analitike.
- Njohja e mjeteve si PyPSA, Pyomo, Gurobi, GLPK ose platformave të ngjashme përbën përparësi.
- Aftësi të avancuara në përgatitjen e raporteve, analizave dhe rekomandimeve për vendimmarrje.
- Njohje shumë e mirë e gjuhës shqipe dhe angleze.
Njoftimi me rezultatin e konkursit
Sipas udhëzimit administrativ nr. 01/2024 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik aplikantët/kandidatët do të njoftohen pas çdo faze të zhvillimit të procesit të vlerësimit të kandidatëve.
Mënyra e vlerësimit të aplikantëve/kandidatëve
Sipas udhëzimit administrativ nr. 01/2024 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik (neni 13, paragrafi 2), kandidatët do t’i nënshtrohen vetëm intervistimit, kriteret e vlerësimit janë:
- Intervista deri në shtatëdhjetë (70) pike;
- Jetë përshkrimi (CV) deri në tridhjetë (30) pike;
Mënyra e aplikimit
Aplikimi bëhet përmes postës elektronike (e-mail). Dokumentet duhet të ngarkohen sipas kërkesave të ︠konkursit. Pasi të dërgoni aplikimin tuaj përmes postës elektronike (e-mail) në adresën e mëposhtme, do të pranoni një e-mail për konfirmim të pranimit të aplikacionit tuaj. Nëse nuk keni pranuar e-mail-in konfirmues, atëherë shkruani në e-mail adresën punesimi@kostt.com (vetëm në rastin kur pas aplikimit nuk e keni pranuar e-mail-in konfirmues).
Dokumentet që duhet të ngarkohen dhe dërgohen si pjesë e aplikimit dhe mënyra e dërgimit të tyre:
Gjatë aplikimit për pozitat në fjalë kandidatët duhet të kenë kujdes hapat e aplikimit:
- Aplikimi bëhet vetëm përmes postës elektronike (e-mail) në adresën punesimi@kostt.com
- Në e-mail për aplikim duhet të bashkangjiten (ngarkohen) dokumentet në formatin PDF si në vijim:
- Aplikacionin-CV-në (ver. 4.0) të shkarkuar nga web-faqja zyrtare e KOSTT Sh. A. www.kostt.com
- Dëshmia për kualifikimin profesional: Diploma universitare, e skanuar në formatin pdf dhe e bashkangjitur në e-mail. Nëse diploma është fituar jashtë vendit duhet bashkangjitur vërtetimin e nostrifikimit të diplomës apo aktin që dëshmon se diploma është në procedurë të nostrifikimit me kusht që nostrifikimi i diplomës të dorëzohet deri në momentin e nënshkrimit të kontratës së punës
- Dëshmia për përvojën profesionale: Vërtetim pune (referencë) nga punëdhënësit tuaj të mëparshëm apo aktual me të cilën vërtetohet përvoja juaj për profesionin që keni. Në vërtetim (referencë) duhet të jetë data e fillimit dhe mbarimit të punësimit apo angazhimit tuaj tek punëdhënësi juaj.
- Dëshmi tjera të dokumenteve sipas kërkesave dhe kritereve të konkursit publik.
KOSTT ofron mundësi të barabarta të punësimit për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe inkurajon kandidatët e gjinisë femërore dhe të rinjtë që të aplikojnë për këto vende pune.
Vërejtje: Gjatë aplikimit, aplikantët/kandidatët duhet të kenë gjithashtu kujdes, si në vijim:
Nëse nuk e deklaroni që anëtari i familjes suaj është në marrëdhënie pune me KOSTT, në cilëndo fazë të zhvillimit të vlerësimit të kandidatit që vërtetohet, aplikacionet-CV-të tuaja do të refuzohen.
Aplikimi i dërguar i cili nuk është në përputhje me kriteret dhe kërkesat e lart cekura të këtij konkursi, si dhe i dërguar pas afatit të paraparë nuk pranohet, ndërsa ato të mangëta ose ato që nuk janë në formatin e kërkuar më lart do të refuzohen.
Aplikacionet do të pranohen vetëm nga kandidatët, të cilët i plotësojnë kërkesat/kriteret e konkursit të shpallur në mjetet e informimit dhe në web-faqen zyrtare të KOSTT-it.
Dokumentacioni shtesë i dërguar nga kandidati pas përfundimit të afatit të aplikimit nuk mund të kërkohet dhe as të pranohet.
Kalendari i përafërt pas përfundimit të afatit të aplikimit: Për pozitat që i nënshtrohen vetëm fazës së intervistimit, intervista do të mbahet brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga përfundimi i afatit të aplikimit; brenda pesë (5) ditëve do të bëhet njoftimi final për rezultatin e konkursit, si dhe brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve do të bëhet lidhja e marrëdhënies së punës me kandidatin e suksesshëm. Kalendari i përafërt do të aplikohet në rast se nuk ka ankesa të cilat e pezullojnë afatin e paraparë të rrjedhës së procesit të konkursit, në pajtim me UA MFPT Nr. 01/2024 dhe ndryshim-plotësimin e tij.
Konkursi mbetet i hapur pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e publikimit në mjetet e informimit dhe në ueb-faqen e KOSTT-it, përkatësisht nga data 11.09.2026 deri më 26.09.2026, ora 24:00.