Cilësitë e një lideri të suksesshëm

Cilësitë e një lideri të suksesshëm

	 	 

"Liderët bëhën të mëdhenj, jo për shkak të fuqisë së tyre por për shkak të aftësisë së tyre për t’i fuqizuar të tjerët" - John Maxwell

Lidershipi ose udhëheqja është proces i ndikimit të një individi mbi një grup të caktuar njerëzish, në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Me këtë nënkuptohet krijimi i raporteve reciproke mes liderit dhe grupit duke ndikuar realizimin e synimeve të një organizate nëpërmjet veprimeve të përbashkëta. Për një organizatë, lidershipi është shumë i rëndësishëm kur vjen puna tek procesi i organizimit dhe menaxhimit të situatave, zhvillimit apo mbarëvajtjes së punës në atë organizatë.

Një lider duhet të jetë vizionar, të ketë për vizion arritjen e qëllimeve të përbashkëta por edhe të jetë i hapur ndaj grupit (pasuesve të tij) dhe të pranojë edhe pikëpamjet e pjesëtarëve të grupit. Procesi i lidershipit nuk duhet të përjashtojë as edhe një anëtar të grupit për të shfaqur vizionet dhe mënyren e tij të realizimit të qëllimeve.

Christian Francis, Drejtor i Teleperformance Prishtina, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se lidershipi është shumë i rëndësishëm për t’i përqëndruar njerëzit në atë që duhet bërë, prandaj sipas tij gjithmonë nevojitet një njeri që ta orientojë një grup njerëzish.

Në një punë ideale, lidershipi është i nevojshëm thjesht sepse njerëzit e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë dhe të bëjnë gjithçka mirë për të parën herë. Lidershipi dhe hierarkia janë të nevojshme për t’ i përqëndruar njerëzit në atë që duhet bërë dhe prandaj ata kanë nevojë për një person ose disa persona në kompani, që në fakt mund t’ua tregojnë të tjerëve rrugën apo t’u japin direktiva se ku t’i fokusojnë përpjekjet e tyre, çka të përmirësojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, secili njeri do të mund të punonte individualisht dhe mbase gjërat do të shkonin mirë mirëpo lidershipi shërben edhe për t’i motivuar të tjerët dhe sidomos nëse është duke u punuar në diçka që është shumë më e ndërlikuar, më e madhe, të cilën nuk mund ta menaxhojë një person i vetëm. Prandaj, nevojitet dikush që shpjegon se pse njerëzit duhet të kryejnë një punë të caktuar dhe pse ajo punë është e rëndësishme. Francis tha se shumë njerëz kur shkojnë në punë, nuk ia kanë idenë se pse janë duke e bërë atë punë, kësisoj duhet dikush t’ua rikujtojë atyre pse puna që po bëjnë është në të vërtetë e rëndësishme për të arritur objektivin e përgjithshëm të kompanisë.

Cilat janë top karakteristikat e një lideri të mirë?

Ndër cilësitë e një lideri të mirë në punë konsiderohen komunikimi i ideve, dëshira për të punuar me njerëz dhe të qenurit i besueshëm. Këtë pohim e mbështet edhe Francis. Ai tha se janë njerëzit ata që zgjedhin një lider dhe si i tillë ai duhet të jetë në gjendje të komunikojë me ta, të jetë gjithmonë i besueshëm dhe i hapur ndaj tyre.

"Ndër cilësitë e para është të punohet shumë. Unë besoj se kjo është diçka që njerëzit thjesht e presin nga ju. Duhet të punoni shumë, edhe më shumë se njerëzit që ju rrethojnë.  Cilësi e dytë është të jeni në gjendje të komunikoni idetë, e treta është të pëlqeni të punoni me njerëz. Ju gjithnjë do të jeni në kontakt me njerëz, duhet t’i bindni se ju jeni personi i duhur për t’i udhëhequr sepse janë vetë njerëzit ata që e zgjedhin liderin e tyre.  Lideri nuk emërohet, njerëzit e zgjedhin atë. E që ata t’ju zgjedhin për lider të tyre, ju duhet të jeni në gjendje të komunikoni me ta dhe më e rëndësishmja është të jeni të besueshëm. Duhet t’i mbani të gjitha premtimet e juaja por gjithashtu t’u tregoni njerëzve rregulla të qarta dhe atë që prisni prej tyre”Liderët kanë edhe shumë përgjegjësi sepse marrin vendime edhe për të ardhmen e njerëzve. Francis për KosovaJob sqaroi se një lider i mirë duhet të jetë edhe i drejtë. Patjetër që interesi i kompanisë duhet të merret parasysh por edhe i njerëzve gjithashtu. Jo të gjitha vendimet janë të mirëpritura nga njerëzit që punojnë për një kompani të caktuar prandaj ai theksoi se atyre duhet t’u krijohet bindja se kompania ka edhe interesat e tyre në mendje dhe jo vetëm interesat e veta. Liderët duhet të jenë të gatshëm të kontribuojnë në çdo rrethanë në punën e tyre. “Liderët e mëdhënj në histori gjithnjë kanë qenë njerëz të cilët e kanë sakrifikuar tërë jetën e tyre për një kauzë, pa marrë parasysh sigurinë e tyre personale apo gjëra të tjera ”, tha Francis.

Problemi tek liderët e rinj është bindja se janë të përsosur

Të rinjtë kryesisht mendojnë se nuk bëjnë gabime. Këshillat që jep Francis për të gjithë të rinjtë është të kenë dëshirë të përmirësohen vazhdimisht dhe të mos hezitojnë të kërkojnë komente lidhur me punën të cilën e kryejnë.

Gjëja më e rëndësishme për të rinjtë është që të vazhdojnë të përmirësohen dhe të marrin komente rregullisht se si po e bëjnë një punë, është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë parasysh se nuk janë të përsosur kur janë të rinj. Kur unë isha i ri, dikund 30 ose 35 vjeç, besoja se gjithçka ishte e përkryer dhe mendimi im ishte i duhuri. Mendoj që problemi më i madh që liderët e rinj kanë është se ata nuk dëgjojnë dhe hyjnë në dhomë me një ide të qartë rreth problemit dhe si ta zgjidhin atë, derisa kurrë nuk mund të dihet se cili është saktësisht problemi dhe si të zgjidhet

Si rol kryesor të liderëve, Francis përmendi lehtësimin e komunikimit rreth problemit dhe daljen me një sërë zgjidhjesh, ku të gjithë mund të japin një kontribut dhe jo thjesht të hyjnë në dhomë duke menduar se veç e kanë planin në duar. Shumica e njerëzve mendojnë që lidershipi është të qëndrosh i pari, duke u treguar të tjerëve se cili është plani por një udhëheqje e mirë sipas tij është kur diskutohet edhe me njerëz të tjerë që dinë më mirë dhe më pas zbatohet zgjidhja e gjetur së bashku me ekipin.

“Problemi i dytë që kanë udhëheqësit e rinj është se ata janë tepër optimistë, mendojnë se kurrë nuk do të bjerë shi, se asgjë nuk do të shkojë keq dhe pastaj zhgënjehen nëse dicka nuk shkon siç duhet. Kjo është diçka, në të cilën udhëheqësit e rinj kanë nevojë të punojnë, jo të gjithë por shumica e tyre. Këshilla e fundit është investimi në karrierë, liderët e rinj duhet të përpiqen të përmirësojnë rezultatet dhe të kërkojnë koment mbi punën e tyre. Shumica e njerëzve nuk duan të dëgjojnë komente sepse mund të jenë negative, të gjithë kanë frikë nga refuzimi dhe kjo është një nga disavantazhet që kanë udhëheqësit e rinj”, përfundoi ai.

 

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJobArtikulli i JavesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC