3 pyetje që top kandidatët duhet t’i bëjnë në intervista të punës

	 	 

Kur pranohet thirrja për një intervistë pune, të gjithë synojmë të përgatitemi sa më mirë në mënyrë që të dalim të suksesshëm në atë intervistë. Shumica e kandidatëve përqëndrohen se si të japin përgjigjet e duhura duke harruar se shpeshherë vendimtare janë edhe pyetjet e mençura që parashtrohen nga vetë ata (kandidatët). Pyetjet që ju shtroni për intervistuesit tuaj, faktikisht mund të jenë vërtetuese se ju jeni njeriu më i përshtatshëm për pozitën që ata kërkojnë.

Erblina Hoxha, Zyrtare e Burimeve Njerëzore në kompaninë Kujtesa, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se pyetjet mund të ndikojnë perspektivën e intervistuesit dhe jo rrallëherë mund të përcaktojnë vendimin e panelit intervistues.

“Nëse pyetja është jashtë kornizës së pyetjeve klishe, sigurisht që mund të ndikojë perspektiven e intervistuesit, pasi nga mënyra se si i qasemi një situate të caktuar reflektohet edhe sensi i logjikës së një individi. Individët që kanë aftësi analitike, kanë qasje ndryshe ndaj subjektit të diskutimit dhe mënyra se si i formulojnë skenaret e pyetjeve jep një ide vlerësimi aty për aty, mbështetur në horizontin largpamës që nuk kufizohet brenda mureve të një mendimi të ngushtë por shtrihet përtej kufijve të atij analitik. Prandaj, nisur nga ky prizëm vlerësimi, pyetje që drejtohen nga kandidatët jo rrallëherë mund të jenë përcaktuese të vendimit të panelit intervistues”, ka thënë ajo.

Sipas saj, profesionistët e burimeve njerëzore duhet t’i motivojnë individët që ata të mendojnë përtej zonës së tyre të rehatisë, ngase aty rezulton ekzistenca e personalitetit te secilit.

“Pyetjet kanë të bëjnë me qasjen ndaj çështjes/problemit dhe thellësinë e mendimit që çon direkt tek një rezonim analitik. Nuk ka pyetje idiote, thjeshtë ka pikëpamje që mbështetën në një rezonim logjik dhe largpamës dhe të tjera që shtrihen në nivel sipërfaqësor, prandaj në opinionin tim, një HR nuk do të duhej të bënte një klasifikim dekurajues por do duhej të motivonte që individi të mendonte përtej zonës së tij të rehatisë dhe pikërisht nga aty rezulton ekzistenca e personalitetit të gjithësecilit”, ka thënë ajo.

Hoxha thotë se kandidatët duhet të dinë se nuk është e rëndësishme çka nuk duhet pyetur por si duhet pyetur.

“E rëndësishme nuk është çfarë nuk duhet të pyesim por si duhet të pyesim. Qasja konkrete çdo herë do të marrë përgjigjen që i takon adresimit të bërë, që në fakt është përtej një kurioziteti rastësor dhe lidhet direkt me fushën e interesit në terma afatgjatë”, theksoi ajo.

Ndërkaq, sipas Forbes, për të rritur shancat për punësim në kompaninë e dëshiruar, kandidatët mund të bëjnë 3 pyetje shumë të fuqishme. KosovaJob ju sjellë këto 3 pyetje:

  • Nëse mua me ofrohet ky rol, cilat janë prioritetet ku unë duhet të fokusohem, në 90 ditët e mia të para? Kjo pyetje përçon mesazhin se kandidati veçse ështe duke menduar si të jetë i suksesshëm nëse i ofrohet ky rol. Kjo i mundëson intervistuesve të kuptojnë se kandidati është gati të sfidohet dhe automatikisht ata krijojnë bindjen se ai është kandidati i përsosur. Gjithashtu, kjo pyetje ndihmon edhe vetë kandidatët të nxjerrin më shumë informacione rreth kompanisë dhe pozitës, përtej përshkrimit të punës.
  • Cilat janë cilësitë e tjera që unë duhet të kem në mënyrë që të përshtatem më së miri me ekipin tuaj? Sigurisht që kompanitë duan të punësojnë dikë që do të jetë një aset dhe do të kryejë punën siç duhet por edhe dikë që përshtatet me ekipin. Kjo pyetje krijon mendimin tek intervistuesit se ju doni të shtoni vlerë në një ekip. Po ashtu, ju mundëson edhe juve të kuptoni nëse ekipi i ka cilësitë të cilat ju interesojnë edhe juve, si p.sh nëse ekipi nuk ka frikë t’i shprehë idetë, nëse janë të shpejtë në punë ose nëse kanë nevojë për dikë që i respekton afatet për kryerjen e detyrave. Edhe nëse intervistuesit janë në gjendje të përgjigjën ose jo në pyetjen tuaj, ju do ta keni më të lehtë të vlerësoni nëse ju si person mund të keni një rrugë të gjatë në atë kompani.
  • A ka diçka që ju shqetëson në lidhje me përvojat e mia të mëparshme? Duke e bërë këtë pyetje, ju i hapni rrugë intervistuesve t’ u bëjnë pyetje të tjera të cilat mbase janë ndjerë jo rehat për t’ua bërë. Kur ata ngrenë çështjet që mund t’i kenë penguar, ju mund t’i zbusni shqetësimet e tyre dhe rrjedhimisht t’u jepni shpresë se ju do të jeni i suksesshëm për pozitën që kërkohet.

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJobArtikulli i JavesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC