Mundësitë e barabarta dhe diversiteti në punë, çka duhet të dimë?

	 	 

Intervistë me Menaxherin e Burimeve Njerëzore në kompaninë “Teleperformance”, Arben Abrashi.

“Ne kemi nevojë për shumëllojshmëri mendimesh në botë, për t'u përballur me sfidat e reja”,  Tim Berners- Lee

Diversiteti në punë nënkupton një ambient i cili pranon të gjithë njerëzit pa dallim gjinie, religjioni, nacionaliteti, race etj, çka krijon ndjenjën e barazisë. Diversiteti në punë ka një mori përfitimesh për individët dhe kompaninë në përgjithësi. Një ambient ku ka numër më të madh punëtorësh, jo vetëm që lehtëson punën dhe detyrat e përditshme por njëkohësisht është edhe një ambient shumë i përshtatshëm i punës. Diversiteti sa i përket gjinisë, nacionalitetit, religjionit apo edhe ngjyrës nuk duhet të cilësohet si element që mund të ndikojë dallimet nga ana e punëdhënësit, sa i përket trajtimit në punë. Pikërisht, këto elemente mund të ndikojnë edhe në krijimin e ideve të reja dhe të sjellin rezultate konkrete.

Menaxheri i Burimeve Njerëzore në kompaninë Teleperformance, Arben Abrashi, në një intervistë për KosovaJob, ka thënë se diversiteti në punë ka rëndësi për shumë arsye, duke nisur nga ndikimi që sjellë në vendimarrje brenda kompanisë. Një studim i bërë nga Forbes, ku janë analizuar rreth 600 vendime të marra nga 200 ekipe të ndryshme, tregon se ekipet ku kishte diversitet, kanë marrë vendime më reflektive deri në 87%.

“Diversiteti në një kompani është i rëndësishëm për shumë arsye. Një ndër arsyet e para është përfshirja në vendimarrje e të gjithë njerëzve, pa dallim. P.sh, nëse vendimet në menaxhment mirren vetëm nga burrat, kjo do të ishte e dëmshme për gratë sepse nga ana e meshkujve mund të mos kuptohet sa e rëndësishme është për një grua të ketë një orar të caktuar të punës, për shkak se femra mund të jetë nënë, mund të ketë angazhime shtesë edhe në shtëpi. E njejta vlen edhe për njerëz të kulturave apo racave të ndryshme. Në kompaninë tonë, për fat të mirë i kemi të gjitha, kemi edhe diversitet në kuptimin racor, gjinor dhe religjioz, me prejardhje nga vende të ndryshme dhe kjo na çon edhe neve si menaxhment në vendime shumë më të mira”

Diversiteti në punë mundëson njohjen e kulturave të ndryshme

Ndarja e përvojave me njerëz nga kultura të ndryshme mund të shërbejë si risi në një kompani sa i përket shkëmbimit të mendimeve dhe ideve, varësisht nga cila kulturë vijnë.

 “Kur ke të punosh me njerëz të kulturave të ndryshme mund të mësosh shumë nga mënyra se si të tjerët i qasen problemeve, e cila mënyrë mund të jetë më kreative për dallim nga ajo që ne kemi mësuar në vendin tonë.  Duke e pasur popullatën shumë të re, ne mund të mësojmë nga të tjerët, dmth nga përvojat që i kanë popujt e ndryshëm sepse ka shtete që i kanë kaluar këto sfida shumë më herët dhe janë ballafaquar me të gjitha këto probleme që i ka sot Kosova. P.sh, në rast se punon me Gjermanë mund të mësosh një mënyrë transparente të punës por edhe nëse punon me njerëz nga Azia mund të mësosh shumë nga shkathtësitë e tyre, sidomos në sektorin e IT-së”

Abrashi shtoi se diversiteti në punë ndikon që kompania vazhdimisht të bëjë përmirësime, sa i përket një çështjeje të punës e cila mund të sjellë pakënaqësi tek punëtorët. Ai theksoi se në Teleperformancë, së paku dy herë në vit marrin mendimin e punëtorëve nëpërmjet pyetësorëve, për çështje të ndryshme të punës, kënaqësinë në punë dhe gjithçka çka e rrethon ambientin e punës. Këta pyetësorë përpilohen dhe ekzekutohen nga Institucione Ndërkombëtare me renome dhe reputacion të lartë. Diversiteti i punëtorëve u ndihmon të kuptojnë se çfarë mund të jetë një çështje e cila duhet të përmirësohet.

Kompanitë ku ka diversitet punëtorësh duhet të ndërtojnë mekanizma që shmangin diskriminimin në punë

Kur ka njerëz që vijnë nga kultura të ndryshme, edhe diskriminimi në punë mund të jetë prezent. Që kjo të parandalohet, kompania duhet të krijojë mekanizmat e duhur. Abrashi tha se çdo punëtor duhet të respektojë kodin e mirësjelljes dhe të ketë parasysh që mund të ndëshkohet nëse diskriminon tjetrin për shkak të racës, gjuhës dhe religjionit. Sipas tij, këto gjëra duhet të jenë primare për çdo punëdhënës sepse duhet të krijohet bindja që kompania është në gjendje të ofrojë çdo gjë për punëtorin, që ai të ndjehet sa më mirë në vend të punës.

Teleperformanca është kompania më e madhe botërore për shërbime ndaj klientëve. Për mbi 40 vite, kjo kompani vazhdon të jetë lider botëror në ofrimin e shërbimeve ndaj klientëve dhe për momentin është prezente në 80 vende të botës duke punësuar mbi 300.000 punëtorë. Teleperformance ofron zgjidhje dje rritë ndërveprimin e bizneseve më të njohura botërore me klientët e tyre, duke u shndërruar në një urë mes klientëve dhe brendeve.

Teleperformancë në Kosovë është prezente në Prishtinë prej Majit 2017, është degë e Teleperformance Gjermani dhe aktualisht ka mbi 450 të punësuar.

 

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJobArtikulli i JavesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

info@kosovajob.com | 045 11 14 14
FOLLOW US