Si ta ruajmë vendin e punës?

Si ta ruajmë vendin e punës?

	 	 

Puna nganjëherë mund të duket rutinë mirëpo mbetet diçka esenciale për sigurimin e mirëqënies dhe plotësimin e nevojave ekonomike për individin dhe familjen. Ruajtja e vendit të punës paraqitet si sfidë në vete dhe si rrjedhojë kërkon angazhim dhe performancë maksimale gjatë orarit të punës, e cila mëpastaj manifestohet në rezultate konkrete. Të ruash vendin e punës nënkupton koncentrim të mjaftueshëm psikik dhe fizik në mënyrë që punët të përfundojnë në mënyrën më të mirë dhe punëdhenësi të mbetet i kënaqur me detyrat e realizuara nga ana e punëmarrësit.

Menaxherja e burimeve njerëzore në IPKO Telecommunications, Arta Koka Grubi, thotë se për të mbajtur vendin e punës dhe për t’u treguar i suksesshëm, punëtori duhet të japë maksimumin dhe të punojë drejt arritjes së qëllimeve sikur të ishte dita e fundit. Në një intervistë për KosovaJob, ajo ka thënë se ndër parimet kryesore të një punëtori duhet të jenë respektimi i orarit, besueshmëria etj.

Si komponent kyç për ta ruajtur punën, ajo e sheh fleksibilitetin e një punëtori. Kur një kompani ka nevojë për dikë që ta ndryshojë ndërrimin e punës, të punojë gjatë fundjavës, të punojë jashtë orarit ose të marrë përsipër detyra të reja, Koka-Grubi këshillon punëmarrësit që të shqyrtojnë mundësinë për t’u paraqitur vullnetarisht nëse kjo i përshtatet orarit personal të një individi.

 “Mendimi im profesional është se për të pasur sukses, të gjithë ne duhet të punojmë me zell dhe me zgjuarsi. Njerëzit të cilët janë të suksesshëm në jetën e biznesit, në punë ose në një profesion zakonisht kalojnë nëpër kohë të vështira para se të mund të korrin frytet e suksesit. Për shembull, Kryeshefi Ekzekutiv i IPKO Telecommunications L.L.C., z. Robert Erzin, përveç se është shumë bashkëpunues, ka qëndrim pozitiv, është i zellshëm, në dispozicion për çdo çështje të kompanisë deri në orët e vona, ai është një nga personat e parë që paraqitet në punë në mëngjes. Megjithatë, punëtori duhet të jetë i zgjuar në caktimin e qëllimeve të tij/saj dhe të planifikojë si t’i arrijë ato qëllime. Përveç kësaj, secili punëtor duhet të ketë shprehi të mira pune dhe të jetë 100 përqind i besueshëm. Nëse dështojnë në këtë drejtim, asgjë tjetër nuk ka më vlerë! Punëtori duhet të paraqitet në punë me kohë, të ofrojë punë cilësore dhe të komunikojë me kolegët e tij/saj”, ka thënë ajo.

Koka-Grubi thotë se për të arritur suksese duhet t’i jepet prioritet punës ngase asnjë plan nuk funksionon nëse nuk mësohemi t’i prioritizojmë gjërat. Prandaj, punëtorët duhet t’i trajtojnë objektivat e veta ditore me radhë. Ajo nënvizoi një tjetër cilësi të cilën e kërkojnë kompanitë e mëdha sot e që është të qenurit ‘lojtar i ekipit’. Sipas saj, secili punëtor duhet të bëhët punëtori që ja kalon mirë me të gjithë dhe komunikon mirë me të gjithë, që u ofron ndihmë kolegëve dhe që nuk bëhet pjesë e thashethemeve në vend të punës.

Ndërkaq, ajo çka vlerësohet më shumë tek një punëtor në IPKO janë disa virtyte që duhet t’i ketë secili individ që bëhët pjesë e këtij ekipi. Ndër to, Koka-Grubi përmend thjeshtësinë, kujdesin, mirësjelljen etj. Ajo thotë se ekipi i rekrutimit në IPKO përveç shkathtësive dhe arsimimit përkatës, kërkon punëtorë që kanë vlera personale, karakteristika dhe tipare të personalitetit që sjellin sukses.

“Thjeshtësia dhe kujdesi është diçka që ne e vlerësojmë tek punëtorët, pasi që kjo përfshin disa nga vlerat e kompanisë sonë, ndërsa marrëdhëniet e mira ndërtohen mbi besimin. Punëdhënësit vlerësojnë punëtorët tek të cilët mund të kenë besim dhe të cilët e shfaqin besnikërinë e tyre ndaj kompanisë. Përveç kësaj, besueshmëria dhe përgjegjësia janë vlera të mëdha. Nuk ka dyshim se të gjithë punëdhënësit dëshirojnë që punëtorët e tyre të paraqiten në punë çdo ditë - me kohë - dhe të jenë të gatshëm për punë e të marrin përsipër përgjegjësinë për veprimet e tyre. Të jenë kontribuues të përgjegjshëm e të besueshëm dhe të përkushtuar për përsosmëri dhe sukses. Mirësjellja është një tjetër tipar. Punëtorët që janë të sjellshëm, miqësorë, të butë dhe bashkëpunues me të tjerët vlerësohen shumë, pasi që puna në ekip është çelësi i suksesit të biznesit", thekson ajo.

Sipas saj, derisa puna në ekip përmendet gjithmonë si një shkathtësi e rëndësishme, njëlloj është edhe aftësia për të punuar në mënyrë të pavarur, me mbikëqyrje minimale dhe me vetë-motivim. Personi me motivim të jashtëzakonshëm është ai që ndërmerr iniciativën me mbikëqyrje minimale. Ajo thotë se të gjithë punëdhënësit kërkojnë punëtorë të cilët kërkojnë pak mbikëqyrje dhe udhëzime për ta kryer punën në kohën e duhur dhe në mënyrë profesionale.

Koka-Grubi thotë se ani pse është shumë e vështirë të merret vendimi për të shkarkuar një person nga puna, këtë duhet bërë nëse atij apo asaj i janë dhënë mundësi të dyta për përmirësim por nuk i ka përfillur.

Nuk është e lehtë ta shkarkosh një person nga puna. Në fund të fundit, sipas Josh Bersin të Deloitte, koha për të arritur produktivitetin e plotë te një punëtor i ri është një deri në dy vjet, me një investim në trajnim deri në 20 përqind të pagës së punëtorit. Përveç nëse punëtorët nuk i shfrytëzojnë në mënyrë të duhur shkathtësitë dhe ekspertizën e tyre, ata duhet të jenë anëtarë produktivë të ekipit në një moment të caktuar. IPKO si kompani përdor një sistem progresiv të korrigjimit ku përmes trajtimit me gojë dhe me shkrim, i japim udhëzime dhe i japim një mundësi të dytë punëtorit që të përqendrohet në problemin e caktuar dhe ta rikthejë produktivitetin e vetë në punë. Megjithatë, nëse këtij personi i jepen shanse të dyta  gjithmonë, atëherë, mendojmë se është koha për ta shkarkuar atë person. Nëse një punëtor ka pasur kohë të mjaftueshme për të korrigjuar problemet, por nuk e ka bërë këtë, atëherë, ai ose ajo duhet të ndjekë mundësi të tjera të karrierës. Nuk ka asgjë më të keqe se kur detyrohesh ta largosh nga puna një punëtor. Sidoqoftë për pronarët e bizneseve, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të heqin punëtorët të cilët janë pengues ndaj punëtorëve të tjerë produktiv dhe ndaj misionit të përgjithshëm të kompanisë”, ka thënë ajo.

IPKO Telecommunications L.L.C, që aktualisht është investuesi i huaj direkt më i madh në Kosovë dhe punëson më shumë se 650 persona, vazhdimisht kërkon punëtorë që e duan atë që bëjnë dhe do të vazhdojnë përpjekjet derisa të zgjidhin problemin dhe ta përfundojnë punën që u është caktuar. Në këtë kompani mjedisi i punës është shumë miqësor dhe ka hapësirë ​​të mjaftueshme për të shfaqur kreativitetin dhe shkathtësitë. Si rezultat i gjithë kësaj, gjatë vitit 2018, IPKO është shpërblyer si “Punëdhënësi më i mirë i vitit”.

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJobArtikulli i javesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC