Gratë ndërmarrëse të Kosovës që zvogëluan papunësinë

	 	 

Kur flitet për gratë udhëheqëse të kompanive (bizneseve) në Kosovë, shpesh duket sikur sfida është kryefjala e rrugëtimit të tyre.

Ndonëse hulumtimet e viteve të kaluara treguan një përqindje shumë të ulët të grave në ekonominë e Kosovës të cilat asokohe përfaqësonin vetëm 10% të pronarëve të bizneseve, këtë vit kjo është përmirësuar dukshëm.

Shumë prej tyre fjalën sfidë e kanë zbehur në kontekstin gjinor pasi që emrat e tyre tashmë janë në mesin e emrave më të suksesshëm në fushën e biznesit në Kosovë.

Sot, ato janë shndërruar në storie inspirimi duke treguar se gjinia nuk e përcakton rolin në shoqëri, është puna ajo që i jep kahje gjithë kësaj.

Pavarësisht barrierave, ka shumë gra në Kosovë që kanë arritur të krijojnë bizneset e tyre e të cilat kanë qenë shumë të suksesshme. Ka edhe nga ato që kanë arritur të sjellin dhe të zhvillojnë edhe bizneset ndërkombëtare në Kosovë.

KosovaJob, ju sjellë storjet e disa prej grave të suksesshme në Kosovë, të cilat nuk u janë frikësuar sfidave dhe mentalitetit ku jetojnë.

Syzane Aliu (Themeluese dhe drejtoreshë e kompanisë "Magic Ice")

E themeluar në vitin 2004 nga një grua, fabrika e përpunimit të qumështit “Magic Ice” numëron 110 të punësuar në fabrikë dhe ka të angazhuar 350 fermerë. Kjo fabrikë prodhon rreth 70 lloje të akulloreve, djathëra, kos, speca në ajkë dhe produkte të tjera nga qumështi.

Kompania kosovare me më shumë se 15 vite përvojë, tashmë plotëson edhe standardet e kërkuara nga legjislacioni i BE-së, e po ashtu monitorohet nga ekspertë vendor e ndërkombëtar.

Ani pse diplomoi për juriste, Syzane Aliu e sfidoi veten në fushën e biznesit, duke themeluar një kompani që krijoi një brend të ri të produkteve ushqimore dhe u hapi dyert e punës qindra njerëzve. Ajo për KosovaJob thotë se dëshira për të qenë e pavarur dhe për të krijuar gjëra të reja e motivoi ta themelonte këtë kompani.

“Ndërrmarrësia shpesh konsiderohet si territor i burrave por kjo po ndryshon. Pasi të keni vendosur për të punuar në kompaninë  tuaj, kurrë më nuk do të shkoni për të punuar për dikë tjetër. E them këtë sepse është ndjenjë shumë e këndshme kur sheh që me idenë tënde në kompaninë tënde po arrin të krijosh mirëqenie për sa më shumë familje dhe të përfitojnë punëtorë në prodhim, distribuim, administratë, fermerë, etj”, thotë Aliu.

Për gratë që synojnë të bëhen ndërmarrëse ajo thotë se gjërat e jashtëzakonshme ndodhin posa ta tejkalojnë frikën e dështimit të mundshëm. Mesazhi i saj për to është: “Sigurohuni që ju po ndërtoni një jetë për të cilën ju jeni krenare. Paragjykimet duhet të lihen anash”.

 Linda Shala (Drejtoreshë e “Data Project Electronics”)

Linda Shala, qysh në moshë të re është marrë me gazetari, duke punuar me programin e fëmijëve në Radio Kosovë. Në moshën 18-vjeçare ajo ka filluar të punojë në televizionin e atëhershëm të Prishtinës (RTP) në programin për fëmijë.

Ish- producentja e Radio Televizionit Publik në Kosovë – RTK, ish-kryetarja e klubit basketbollistik Trepça dhe tashmë udhëheqëse e biznesit të quajtur “Data Project Electronics” padyshim që qëndron bindshëm në mesin e grave shumë të suksesshme në ndërmarrësi.

Biznesin e saj, ajo e themeloi që në vitin 1989, i cili biznes tanimë është lider në tregun e elektronikës dhe pajisjeve shtëpiake. Linda në kompaninë e saj sot punëson 30 punëtorë .

E veçantë tjetër e biznesit të saj është se Data Project Electronics është distributor i autorizuar i brendeve: Samsung, Sony , Whirlpool , Rowenta , Tefal , Moulinex, Krups, VOX .

Hana Qerimi (Bashkëthemeluese e Shkollës Digjitale dhe Starlabs)

Hana Qerimi, ka 4 vite që është bashkëthemeluese e dy bizneseve private në Kosovë “Shkolla Digjitale dhe Starlabs”.  Shkolla Digjitale është institucion arsimor jo formal i cili bën edukimin e gjeneratave të reja në teknologji me fokus në programim. Është kompania e vetme në Kosovë që ka arritur të ofrojë dhe zgjerohet në tregun ndërkombëtar përmes shitjes së modelit Franchise në sektorin e edukimit.

Në anën tjetër, kompania StarLabs ofron shërbime outsourcing në sektorin e IT-së për klientët internacional. Gjithashtu, për një periudhë prej 4 viteve, Hana është trajnere në qendrën e trajnimeve të Universitetit Amerikan në Kosovë – AUK ku ligjëron për menaxhimin e projekteve dhe certifikimin PMP.

Hana u lind në Prishtinë. Studimet e larta i përfundoi në vitin 2013 në Prishtinë për Menaxhim dhe Administrim Biznesi ndërsa në vitin 2015 përfundoi studimet master në Londër në drejtimin “Global MBA - Consulting Management”.  Në vitin 2014 Hana u certifikua me titullin PMP nga instituti global për menaxhim të projekteve PMI, si dhe në vitin 2017 u certifikua me titullin CMC – Certified Management Consultant nga ICMI.

Karrierën profesionale e filloi në vitin 2006 në kompaninë 3CIS ku për gati 6 vite me rradhë punoi si menaxhere e projekteve te telekomit me klientë botëror si AT&T, Orange dhe Vodafone si dhe per gati dy vite ishte menaxhere e zyrës së projekteve në kompaninë Cacttus.

Hana është fituese e çmimit “Women in ICT” nga Albanian ICT Awards në vitin 2018 si dhe fituese e programit Global Mentorship Program nga Fortune 500 ne SHBA.

Ardianë Pajaziti (Themeluese dhe drejtoreshë e Gazetës Online “KultPlus”)

Duke parë artin mirëfilltë të shndërrohej në diçka pothuajse të padukshme në mediet kosovare dhe jo vetëm, Ardianë Pajaziti pa nevojën për  themelimin e një gazetë për art dhe kulturë në Kosovë. Kësisoj , në shtator të vitit 2013 nisi punën Gazeta Online KultPlus. Që nga themelimi, KultPlus ishte platforma mediale e vetme kulturore në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë. Si e tillë, përpos informacioneve ditore, ka themeluar edhe projekte të tjera në kuadër të KultPlus të njohura si: KultStrofa, KultWoman dhe Ta zbardhi ftyren.

KultPlus vazhdon të jetë një paltformë referuese për të gjitha zhvillimet kulturore në Kosovë e Shqipëri, dhe jo vetëm. Drejtoresha e KultPlus, Ardiana Pajaziti, për ndërmarrëset e reja jep një mesazh.

“Të ndjekësh një ëndërr kurrë nuk është vonë. Edhe pse, në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë bota e biznesit. Pavarësisht vështirësive, unë mendoj se para së të niset ndonjë biznes, fillimisht duhet ta njohësh deri në thelb, ta duash dhe të mos dorëzohesh. Nëse janë këto tri elemente, besoj që secili do të shënojë sukses”,  thotë Pajaziti.

Gjithashtu, iniciativat nuk po mungojnë edhe nga vajzat e reja në Kosovë. Ato po sfidojnë veten edhe në fushën e artit, e puna e tyre po mirëpritet brenda e jashtë Kosovës.

Zana Cana (Bashkëthemeluese e brendit të veshjeve PurpleMuse)

PurpleMuse, brend i veshjeve artizanale, u themelua më 1 nëntor të vitit 2017, si ide e pesë motrave Cana nga Gjakova. Duke gërshetuar dizajnet moderne dhe punën artizanale, PM po prodhon veshje që tashmë po kërkohen dhe po shiten edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Përveç promovimit të punës artizanale, ky brend po synon  fuqizimin ekonomik të grave, duke iu krijuar vende pune.

Në këtë atelie, përveç pesë motrave Cana dhe nënës së tyre, janë të punësuara edhe gjashtë gra të tjera, që përmes brendit PurpleMuse, hobin e tyre të thurjes e kthyen në punë që iu sjellë të ardhura.

Zana Cana, njëra nga themelueset e këtij brendi, thotë për KosovaJob se ideja ka qenë të krijojnë një brend të besueshëm ndërkombëtar, duke promovuar njëherësh artin e vjetër të thurjes. Ajo ka edhe një mesazh për ndërmarrëset e reja.

“Nuk ka udhëzime që të mësojnë hap pas hapi se si të bësh një biznes të suksesshëm, pasi që secili biznes ka sfidat e veta specifike, mirëpo, mesazhi ynë për të gjithë ndërmarrëset e reja është që të mos dekurajohen nga sistemi, politika, ekonomia, apo paragjykimet sociale,  por të nisin iniciativat e veta me një mendje të hapur, pozitive dhe inovative. Nganjëherë, disa gjëra që na duken sfida mund t’i kthejmë në avantazhin tonë dhe t’i shfrytëzojmë si mundësi - gjithmonë kur ka dashuri dhe vullnet për të nisur diçka”, thotë Cana.

Rita Aliti (Themeluese e “Inventa” dhe “Zig Zag Agency”)

Rita Aliti nga Prishtina është pronare e biznesit “Inventa” që merret me dizajnimin dhe krijimin e bizhuterive punëdore. Në moshën 14 vjeçare, asaj i lindi ideja për themelimin e këtij biznesi privat i cili nga një biznes i vogël tashmë është shndërruar në diçka shumë fitimprurëse.

Ajo për KosovaJob ka thënë se ka pasur pasiguri në fillim të themelimit të këtij biznesi dhe nuk e ka menduar se do të kishte kaq shumë sukses. Mirëpo, me kalimin e kohës, thotë se ka mësuar akoma më shumë dhe me përkushtim dhe vullnet ka arritur ta sjellë biznesin e saj këtu ku është sot. Gjithashtu, edhe ajo ka edhe një këshillë për të gjitha gratë që duan të nisin diçka në fushën e biznesit.

“Unë kam një këshillë për të gjitha gratë që duan të nisin një biznes të tyre, të mos harrojnë se një diçka e madhe vjen nga gjërat e vogla dhe nëse keni ndonjë ide, ka dicka që ju e bëni me pasion, vazhdoni tutje sepse do ia vlejë”.

Rita, udhëheq edhe një tjetër biznes të quajtur “Zig Zag Agency”  i cili ka për fokus kryerjen e shërbimeve në rrjetet sociale të kompanive të ndryshme në Kosovë.

Se ka përmirësime në sfidën e grave për të nisur apo menaxhuar biznese, e tregon edhe raporti më I ri global i Bankës Botërore i titulluar “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2019”. Në këte raport, Kosova është radhitur në vendin e 32-të nga 187, duke u vlerësuar me 91.88 nga 100 pikët e mundshme. Një nga indikatorët e këtij studimit ka qenë Udhëheqja e biznesit (që analizon kufizimet për gratë për të nisur dhe menaxhuar biznese).

Ky studim ka sjellur të dhëna të reja lidhur me atë se si punësimi dhe ndërmarrësia e grave ndikohen nga diskriminimi ligjor dhe se si kjo pastaj ndikon në rezultatet ekonomike, si në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Vlen të theksohet se kohëve të fundit, edhe konkurset e punës të publikuara nga kompani të ndryshme në Kosovë kanë filluar të jenë më gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor, duke lënë të nënkuptohet se ka hapësirë edhe për gratë në punësim.

 

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

 

TAGS:KosovaJob, Dita e Gruas, Artikulli i javesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC