Përfitimet dhe mundësitë për punë vullnetare në Kosovë

	 	 

“Vullnetarët nuk paguhen, jo sepse nuk kanë vlerë por sepse nuk ka çmim që paguan punën e tyre”, Sherry Anderson

Një punë nuk nënkupton vetëm shpërblim në të holla por edhe arritje profesionale. Në përditshmëri, perveç punës e cila paguhet, ekzistojnë edhe mundësi tjera të cilat kontribuojnë që të rinjtë të bëjnë diçka për shoqërinë, pavarësisht se nuk marrin të ardhura për punën që bëjnë. Në ditët e sotme, puna vullnetare duket mjaft tërheqëse për të rinjtë. Duke shërbyer në lëmi konkrete, ata jo vetëm që arrijnë të krijojnë përvojë në ato fusha dhe të rriten profesionalisht por arrijnë të njohin edhe mundësi të ndryshme, përmes së cilave më vonë mund të kyçen në punë përkatëse varësisht se ku e shohin vetën më të përgatitur.

Puna vullnetare është pjesë e rëndësishme e një shoqërie të shëndoshë. Pra, jo vetëm që sjellë përfitime për komunitetin por edhe për vetë njerëzit që duan të punojnë si vullnetarë. Aktivitetet vullnetare në Kosovë nuk është se mungojnë. Tashmë shumë organizata e kanë të rregulluar çështjen e punës vullnetare. E vullnetarizmi në Kosovë njihet edhe zyrtarisht si përvojë pune.

Në një intervistë për KosovaJob, Zëvendës Drejtori për Kosovë i Caritasit Zviceran, Kreshnik Basha, tha se puna vullnetare u shërben të gjithë atyre që janë në fillet e para të zhvillimit të tyre profesional.

“Përparësitë që një punë vullnetare ka është se fillimisht personi i cili sapo ka kryer fakultetin ose ka një përgatitje të caktuar fillestare, ka mundësi t’i qaset tregut të punës. Do të thotë ai apo ajo sigurisht nuk e ka CV-në e vet të ndërtuar dhe nuk ka shumë përvojë. Fillimisht nëpërmjet punës vullnetare mund t’i marrë disa praktika të mira të punës, dhe më pastaj edhe te siguroj referencat sa i përket përkushtimit në kryerjen e punëve dhe detyrave të tij/saj” , ka thënë ai.

Basha tha se në Kosovë ka mundësi për vullnetarizëm ndonëse jo çdo institucion ndoshta i ofron ato mundësi. Ai theksoi se nuk kushton asgjë për një individ të caktuar të kontaktojë institucionin ku dëshiron të bëjë praktikën dhe t’i japë një propozim. Sipas tij, edhe aplikimi për punë vullnetare pak a shumë kërkon të njejtën përgatitje si aplikimi për punë. Në raste të tilla, të gjithë duhet të tentojnë ta paraqesin vetën në mënyrë interesante për institucionin ku aplikojnë për të kryer atë punë vullnetare.

Arsyet pse në Kosovë njerëzit hezitojnë të përfshihen në punë vullnetare, sipas Bashës mund të jenë sepse rinia e konsideron si humbje kohe dhe diçka që nuk vlerësohet prej të tjerëve.

“ E para, unë mendoj që puna vullnetare në Kosovë nuk shihet me sy të mirë për arsye se njerëzit e konsiderojnë atë si humbje kohe, dhe e dyta thonë se nuk është diçka që vlerësohet prej dikujt tjetër. Ajo çka ndoshta është me rëndësi të bëhët është që pas përfundimit të një pune vullnetare brenda një institucioni, eprorët e atij personit duhet gjithsesi t’i ofrojnë atij njëfarë feedback-u ( komente mbi punën) në lidhje me performancën e tij/saj. Kjo zakonisht mund të bëhët nëpërmjet certifikatave, letrës vlerësuese e cila personit në fjalë i mundëson të ketë sukses gjatë aplikimit në punën e dytë”, ka thënë ai.

Sa i përket referencave, Basha tha se nëse nuk janë perpiluar si duhet ato mund të ndikojnë negativisht në gjetjen e një pune të dytë. Kjo, sepse këto letra nuk janë edhe shumë joshëse  për punëdhënësit e tjerë ngase shkruhen sipas një formati të marrë nga interneti dhe jo bazuar në një vlerësim korrekt të performancës së personit.

Ndër tjera, si problem lidhur me punën vullnetare, Basha e sheh edhe mungesën e informimit apo promovimit të saj. Ai mendon që njerëzit nuk janë edhe shumë të njoftuar për të mirat që puna vullnetare sjellë.

 “Zakonisht puna vullnetare në Kosovë adresohet nga nivelet komunale dhe nëse nuk gaboj janë zyrtarët për rini brenda komunave që më së shumti merren me këtë çështje mirëpo unë mendoj që puna vullnetare duhet të promovohet edhe në nivele pak më të larta, ta zëmë  niveli i kryetarëve të komunave e pse jo edhe në nivel të ministrive që kanë kontakte me kompani të ndryshme. Për ketë do të ishte dashur të bëhëj një promovim i nevojshëm jo vetëm në gazeta mirëpo edhe në rrjetet e punësimit ku zakonisht kandidatët i përcjellin më së shumti”, theksoi ai.

E shtetasja zvicerane, Znj. Brigit Zuber, gjendet ne Kosovë tash e dy javë. Ajo momentalisht po punon si asistente projekti në projektin e titulluar SURED në Caritas apo më gjerësisht“ Kthimi i Qëndrushëm i Personave të Riatdhësuar përmes Riintegrimit Socio-Ekonomik”.

Zuber thotë se puna vullnetare po i ndihmon të mësojë gjëra të reja në lidhje me Kosovën dhe me projektin ku është angazhuar.

"Kam ardhur këtu para dy javëve dhe gjithçka është shumë e re për mua. Jam ende duke u zhytur në projektin dhe punën që Caritasi Zviceran bën këtu në Kosovë dhe deri më tani kam pasur mundësinë të shoh shumë gjëra në lidhje me projektin SURED i cili është projekti për kthimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar përmes riintegrimit socio-ekonomik. Ne kemi mbajtur seminare me organizata partnere, kemi pasur shumë takime me komunat dhe është me të vërtetë  interesante”, ka thënë ajo.

Dëshira e saj është të mësojë gjuhën shqipe që t’i shërbejë akoma më shumë kauzës ku është  përfshirë ndonëse ajo theksoi se edhe përmes gjuhës angleze po mundohet ta japë më të mirën si vullnetare në Caritas.

“Kam vendosur patjetër të mësoj shqipen që të ndjehem sikur vërtet dëshiroj të jem një ndihmë e madhe këtu dhe njohja e gjuhës do të më shërbente më shumë. Mirëpo, unë përpiqem ta bëjë më të mirën qoftë edhe përmes gjuhës angleze dhe mendoj se kjo është një kauzë shumë e mirë dhe shpresoj që në këto dhjetë muaj që unë do të jemkëtu me të vërtetë do të përfitoj nga projekti. Unë gjithmonë e kam pasur të qartë se dua të bëjë diçka në këtë sektor dhe dua t’u shërbejë shoqërive gjithandej në botë. Kosova është për mua vendi i parë ku unë me të vërtetë po investoj shumë kohë”, ka thënë ajo.

Për të kryer punë vullnetare, ajo thotë se njerëzit duhet të jenë gati  për të investuar energji dhe kohë dhe këtë ia rekomandon kujtdo që ka energji për ta bërë.

Ndryshe, për punën vullnetare të të rinjve ekziston edhe një udhëzim administrativ, i cili ka për qëllim rregullimin e të drejtave, detyrimeve dhe procedurave lidhur me punën vullnetare të të rinjve, si dhe punën e Komisionit për punë vullnetare.

Caritas Zviceran është organizatë qeveritare në Kosovë që analizon nevojat e njerëzve dhe komuniteteve kosovare dhe në përputhje me këto nevoja promovon lëvizje, iniciativa, duke zhvilluar programe dhe projekte për të përmirësuar cilësinë e jetës, për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë ndërtimin e paqes, arsimin dhe kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe të atyre të margjinalizuar.

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJobArtikulli i javesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015
for Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC