Viti i parë i pranisë së Slice në Kosovë ka qenë një dëshmi e qartë e vizionit, përkushtimit dhe ambicies për të krijuar një ndikim të qëndrueshëm në tregun vendor. Nga nisja me vetëm një vizion deri te formimi i një ekipi të fuqishëm prej 60 profesionistësh, Slice ka treguar se si përkushtimi ndaj rritjes, zhvillimit të punonjësve dhe krijimit të një kulture pozitive pune mund të sjellë rezultate mbresëlënëse. Në këtë intervistë ekskluzive, eksplorojmë sukseset, sfidat dhe vizionin për të ardhmen që e bën Slice një shembull të shkëlqyer të inovacionit dhe zhvillimit në rajon. KosovaJob ka realizuar një intervistë me Gëzim Sahitin – menaxher i zyres së “Slice në Kosovë”, i cili ka përmbledhur të gjitha arritjet e vitit.
KosovaJob: Si ka qenë ky vit për Slice. Çfarë mendoni se ka qenë arritja më e madhe e kompanisë Slice gjatë këtij viti në Kosovë?
Gëzim Sahiti: Gjatë tre muajve të fundit, periudhë në të cilën kemi nisur aktivitetet tona në Kosovë, mund të themi se ka qenë një vit shumë produktiv për Slice. Nga 0 punonjës, tani kemi arritur në 60, duke rekrutuar gjithashtu një ekip udhëheqës që do të drejtojë zhvillimin e mëtejshëm.
Një arritje tjetër e madhe ka qenë hapja e zyrës sonë në një lokacion të jashtëzakonshëm, pranë katedrales së bukur, që na ofron mundësinë të rrisim ndikimin dhe të krijojmë një ambient punë të frytshëm. Gjatë kësaj periudhe, kemi vendosur bazat e forta për hyrjen në tregun kosovar, kemi përgatitur ekipin dhe kemi rritur numrin e vendeve të punës. Jemi të kënaqur me progresin dhe besojmë se ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të synimeve tona për të zgjeruar praninë dhe ndikimin në këtë treg.
KosovaJob: A mund të ndani disa detaje mbi progresin e bërë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmbushjen e objektivit prej 100 punonjësve?
Gëzim Sahiti: Siç e kam theksuar më herët, ne jemi shumë afër arritjes së objektivit tonë për të arritur 100 punonjës, një pikë kyçe që kemi vendosur që në fillimet tona. Megjithatë, ky numër është vetëm një hap i parë në procesin tonë të rritjes. Gjatë periudhës së shkurtër, kemi bërë përparime të mëdha në rekrutimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës, dhe jemi të sigurt se ky numër do të tejkalohet shumë shpejt. Në fakt, është shumë e mundur që në periudhën e ardhshme të dyfishojmë këtë numër, duke reflektuar rritjen dhe zhvillimin e shpejtë të kompanisë tonë. Ky është një sinjal i fortë për mundësitë që po krijojmë për individët që duan të bashkohen me ekipin tonë dhe të kontribuojnë në suksesin e përbashkët.
KosovaJob: Si e kanë pritur të rinjtë kosovarë mundësinë për tu bërë pjesë e Slice dhe çfarë reagimesh pozitive keni marrë nga stafi juaj deri më tani?
Gëzim Sahiti: Reagimet nga të rinjtë kosovarë kanë qenë shumë pozitive. Kemi pasur vizitorë kuriozë që kanë pyetur për mundësitë e punës, dhe shumë të rinj që kanë udhëtuar në SHBA dhe kanë dëgjuar për shërbimet e Slice, kanë shprehur entuziazmin e tyre për praninë e kompanisë në Kosovë.
Ata e kanë vlerësuar procesin e intervistave, trajnimin 3-javor dhe atmosferën e bashkëpunimit në ekip. Tashmë, ata i kanë kuptuar mundësitë për zhvillim brenda kompanisë dhe po japin një ndikim të dukshëm në suksesin tonë. Ky është një shembull i qartë i entuziazmit dhe angazhimit të tyre për të kontribuar në rritjen dhe suksesin e Slice.
KosovaJob: Si ka qenë atmosfera festive në zyrat e Slice këtë fundvit? A ka ndonjë traditë të veçantë që keni krijuar për këtë sezon?
Gëzim Sahiti: Slice është e njohur për atmosferën e saj shumë vibrante dhe diversitetin e madh në kompani. Festat e fundvitit gjithmonë sjellin një energji pozitive tek stafi ynë, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe bashkëpunues. Fatmirësisht, zyra jonë në Sheshin Xhorxh Bush në Prishtinë është e vendosur pranë shtepizave të Verë N’dimer, çka i jep një dimension edhe më festiv ambientit të punës. Ky përqafim i atmosferës festive është diçka që e vlerësojmë shumë, duke krijuar një ndjenjë bashkëpunimi dhe lumturie në mesin e stafit.
KosovaJob: A është organizuar ndonjë event si “Secret Santa” për të përforcuar lidhjet ndërmjet punonjësve? Nëse po, si u prit nga stafi?
Gëzim Sahiti: Po, 'Secret Santa' u prit me shumë entuziazëm nga stafi! Ishte një mundësi e shkëlqyer për të sjellë buzëqeshje dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet kolegëve. Aktiviteti ka sjellë shumë energji pozitive dhe ka forcuar edhe më shumë atmosferën e ngrohtë dhe bashkëpunuese që karakterizon Slice.
KosovaJob: Si kontribuojnë eventet sociale dhe festive në krijimin e një ambienti pozitiv dhe motivues në kompani?
Gëzim Sahiti: Eventet sociale dhe festive janë thelbësore për krijimin e një ambienti pozitiv dhe motivues në kompani. Ne besojmë se është e rëndësishme që punonjësit të ndihen të përfshirë dhe si pjesë e një familjeje, duke punuar me pasion dhe angazhim, ndërkohë që kanë hapësirë për argëtim dhe aktivitete që forcojnë moralin. Këto aktivitete ndihmojnë në ndërtimin e një kulture bashkëpunuese, duke rritur ndjenjën e vlerësimit dhe motivimit, dhe krijojnë një atmosferë ku punonjësit japin më të mirën e tyre.
KosovaJob: Çfarë programesh trajnimi të reja keni implementuar gjatë këtij viti për stafin tuaj?
Gëzim Sahiti: Në intervistën e kaluar e theksuam se Slice ofron mundësi rritjeje për të gjithë punonjësit, të cilat mbështeten në trajnimet profesionale. Gjatë këtij viti, kemi implementuar programe të reja, përfshirë Leadership and Workforce Management Training për udhëheqësit tanë të rinj, duke u fokusuar në menaxhimin e ekipeve dhe përgatitjen për pozita të avancuara brenda kompanisë. Po ashtu, kemi përmirësuar mundësitë për zhvillim në pozita të brendshme, duke mundësuar që çdo punonjës të kontribuojë dhe të rritet, duke nxitur më tej suksesin e kompanisë.
KosovaJob: A ka pasur ndonjë histori suksesi nga punonjës që kanë avancuar profesionalisht brenda kompanisë gjatë vitit?
Gëzim Sahiti: Jemi shumë të lumtur të themi që po, ka pasur histori suksesi nga punonjës që kanë avancuar profesionalisht brenda kompanisë gjatë këtij viti. Aktualisht, kemi një ekip të avancuar të Team Leaders dhe po punojmë për të përgatitur staf për pozita të tjera menaxheriale. Në Slice, punën e palodhur dhe përkushtimin e vlerësojmë shumë dhe është gjithmonë e rëndësishme për ne t’i kremtojmë sukseset e tyre, pasi besojmë se avancimi i stafit është çelësi i suksesit tonë si kompani.
KosovaJob: Cilat përfitime shtesë i kanë bërë punonjësit të ndihen të vlerësuar dhe të motivuar gjatë këtij viti?
Gëzim Sahiti: Në Slice, ne ofrojmë paketa të ndryshme përfitimesh që kanë për qëllim të bëjnë çdo punonjës të ndjehet i vlerësuar. Një nga përfitimet më të vlerësuara ka qenë mundësia për zhvillim profesional dhe përgatitjen për avancim brenda kompanisë, një mundësi që është pritur shumë mirë nga i gjithë stafi. Po ashtu, aktivitetet e ndryshme sociale dhe festive kanë ndihmuar në krijimin e një ambienti pozitiv dhe motivues, duke forcuar ndjenjën e përfshirjes dhe vlerësimit.
KosovaJob: Si planifikoni ta përmirësoni më tej përvojën e punonjësve në vitin e ardhshëm?
Gëzim Sahiti: Për ne, ky është vetëm fillimi. Krijimi i një kulture të fortë dhe implementimi i proceseve në këtë shkallë kërkon kohë, por jemi tashmë duke planifikuar aktivitete për vitin 2025, me fokus në rritjen, përmirësimin e kulturës dhe lumturisë në punë. Synojmë të jemi lider në rajon, duke ndërtuar një ambient pune ku secili ndihet i vlerësuar dhe i motivuar.
Për vitin e ardhshëm, do të investojmë në trajnime të avancuara dhe zhvillim profesional për të siguruar që çdo punonjës të arrijë potencialin e tij maksimal. Gjithashtu, do të rrisim angazhimin e stafit përmes iniciativave të reja për mirëqenien e punonjësve dhe do të përmirësojmë kulturën e punës, duke inkurajuar një atmosferë mbështetëse që nxit produktivitetin dhe motivimin. Në vazhdimësi, do të hapim vende të reja pune, duke rritur numrin e të punësuarve dhe mundësitë për zhvillim brenda kompanisë./ KosovaJob