1
Projekti EYE përfundon misionin me arritje të mëdha në fushën e punësimit

Projekti EYE përfundon misionin me arritje të mëdha në fushën e punësimit

	 	 

EYE që nisi në vitin 2012 me misionin për t’i ndihmuar të rinjve punësimin dhe zhvillimin përgjatë një dekade ka plot kapituj e historie suksesi. Disa nga to u shpalosen më 23 shtator në përmbylljen e këtij projekti. U theksua se prej trajnimeve profesionale e deri tek ndërmjetësimi për punësim dhe orientimi për karrierë, projekti EYE ka ndihmuar punësimin 11,000 të rinjve. Janë edhe plot arritje të tjera në mes që do të theksohen në këtë artikull.

EYE është vlerësuar si një forcë shtytëse e shumë proceseve në Kosovë – nga gjërat që janë dukur të pamundura ka krijuar rezultate që shihen jo vetëm në numra, por që kanë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë impakt në jetët e njerëzve, veçmas të të rinjve. Albina Berisha – menaxhere e projektit “EYE” ka thënë se rrugëtimi me këtë projekt ka qenë jashtëzakonisht i pasur dhe frymëzues.

“Nga fillimi në vitin 2012, projekti ka pasur një mision të qartë: të ndihmojë të rinjtë e Kosovës të zhvillojnë aftësitë relevante dhe të përgatiten për tregun e punës. Përgjatë 12 viteve, kemi krijuar një ndikim të jashtëzakonshëm në shumë segmente, si trajnime profesionale (bazuar në kërkesën e sektorit privat), ndërmjetësimi për punësim, dhe orientimi në karrierë”, ka treguar ajo.

Projekti EYE ka zhvilluar bordet industriale për rritje të bashkëpunimit me sektorin privat dhe ka zhvilluar standarde të profesioneve për profile të kërkuara nga tregu i punës. Veç kësaj, edhe ka konceptuar “të mësuarit në vend të punës”, gjë që i ka hapë rrugë sistemin dual në Kosovë. Megjithatë, çka e bën EYE më të veçantë është zhvillimi i trajnimeve profesionale të kërkuara nga tregu i punës, ku përgjatë 12 viteve janë ofruar rreth 100 pako të trajnimit nga liderët e industrisë dhe ofruesit e trajnimeve. Me financim nga zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, e implementim nga Helvetas dhe MDA, EYE ka arritiur të krijojë rezultate të qëndrueshme.  

19 qendra të orientimit në karrierë dhe punësimi i 1,600 nxënësve

Kalimi i të rinjve nga shkolla në punë ka qenë i domosdoshëm në Kosovë. EYE lehtësoi partneritete me shkollat dhe komunat, për të hapur 19 qendra të orentimit për karrierë në shkolla profesionale, që ofruan rreth 150,000

shërbime për nxënësit, në bashkëpunim me 2,300 biznese. E gjitha kjo rezultoi në punësimin e 1,600 nxënësve. Projekti EYE ka qenë gjithmonë i kujdesshëm në gjithpërfshierje, prandaj ka punuar me organizata partnere në ofrimin e trajnimeve në gjuhë serbe, me qëllim që të gjitha komunitetet të të përfitojnë nga ky projekt.

“Përveç numrave të madh të të rinjve që janë përfshirë, EYE ka krijuar një kulturë re të bashkëpunimit midis institucioneve publike dhe industrisë. Kemi arritur të sjellim trajnime që janë kërkuar nga tregu dhe kemi promovuar gjithëpërfshirjen e grave dhe komunitetet pakicë për të siguruar që mundësitë të jenë të barabarta për të gjithë”, ka treguar ajo.

Nga start-up në lider të punësimit, rrugëtimi i KosovaJob me EYE

Nga një start-up në liderin e punësimit në vend – kjo është historia e KosovaJob që përfshihet edhe në dokumentarin e EYE, që ndalet në disa nga pikat kyçe të kontributit për punësimin dhe zhvillimin e të rinjve. Historia e KosovaJob që tejkaloi të gjitha pritshmëritë duke u pozicionuar gradualisht në tregun e punësimit, e rrëfyer nga Arion Rizaj ka qenë një nga pikat e dokumentarit që u shfaq para të pranishmëve më 23 shtator.

Përgjatë dokumentarit, themeluesi dhe udhëheqësi i platformës #1 të punësimit në vend, Arion Rizaj është kthyer vite pas për të treguar se si nisi KosovaJob si një iniciativë e re që suksesi i erdhi rrugës me këmbëngulësi me përkrahjen e vazhdueshme te EYE.

“KosovaJob nëse kthehemi në histori ka filluar si një projekt i vogël , ku i kemi marr gazetat për çdo ditë i kemi skanuar dhe i kemi vendosur “online”. Si student, për mua ka qenë një projekt që as vetë nuk e kam besuar që mund të rritet aq shumë, e ideja për një “biznis plan” nuk ka qenë as hapi i parë që e kam menduar”, ka treguar Arioni përgjatë dokumentarit.

Ai ka treguar që fillimi i bashkëpunimit me EYE në atëkohë i mundësoi ta realizonin një vizitë studimore në Sarajevë për tu takuar me personat kryesorë të Moj Posao dhe për t’i marr udhëzimet dhe përgjigjet e të gjitha dilemave që ju nevojiteshin t’i dinin në atë kohë.

“Pretendonim që pas disa vjetësh të arrinim në pikën e tyre”, ka treguar Arioni.  Edhe disa platforma edukative për vetëdijesimin në punë iu shtuan përgjatë rrugës KosovaJob. Arioni është ndalur te revolucionarizimi i mënyrës së punësimit me AI – ku mundësohet që punëdhënësit dhe punëkërkuesit ta gjejnë njëri-tjetrin më shpejt se kurrë më parë.

“Në 2021 në bashkëpunim me EYE e kemi filluar transformimin e vërtetë të KosovaJob për të krijuar shërbime më profesionale se sa që kemi pasur deri në atë kohë . Si rezultat i atij transformimi sot një biznes çfarë mund të përfitojë është ta përdorë KosovaJob-in edhe nëpërmjet AI që me një klikim t’i filtrojë të gjithë kandidatët” , ka treguar tutje Arioni.

Ai ka theksuar edhe suksesin që kanë arritur vite më pas duke krijuar samitin e parë të burimeve njerëzore në vend, “PowerToHR”, që ka sjellur folës të spikatur nga gjithë bota në fushën e HR-it, e ka mbledhur mbi 350+ pjesëmarrës për dy edicione.

“KosovaJob tashmë në treg njihet edhe për samitin “PowerToHR” të cilin e kemi bërë që ta krijojmë një komunitet ku të gjithë HR-at të mblidhen në një vend, t’i ndajnë të mirat dhe të këqijat që bashkërisht të zhvillohemi. EYE na ka përcjellur deri në pikën që KosovaJob të jetë lider në tregun e punësimit dhe ju shërben ma shumë se 50-60 mijë njerëz në baza ditore”, ka shpjeguar ai.

EYE po e përmbyll rrugëtimin me sukses. Ky mision jo vetëm që përfundon me arritje të mëdha dhe momente të paharrueshme, por edhe ka vendosur themelet për një transformim të vazhdueshëm.

“Besoj se trashëgimia e EYE do të vazhdojë të ketë një ndikim të qëndrueshëm në të ardhmen. Ne kemi vendosur themelet për një sistem të qëndrueshëm të arsimit profesional dhe për një kulturë të "të mësuarit në vend të punës", që është çelësi për të përgatitur të rinjtë për tregun dinamik të punës. Rrjeti i qendrave të karrierës dhe partneritetet me bizneset do të vazhdojnë të funksionojnë, duke ndihmuar të rinjtë të gjejnë mundësi dhe të ndërtojnë karrierën e tyre në një mjedis gjithnjë e më konkurrues. Rezultatet e punës së bërë nga EYE do të formësojnë jo vetëm të ardhmen e të rinjve, por edhe vetë zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës”, ka shpjeguar tutje Albina.

Duke pasur udhëheqje lokale, vendi është më i përgatitur për t'u përballur me sfidat e së ardhmes me më shumë qëndrueshmëri dhe kapacitet. Të gjitha këto u realizuan falë Ministrive dhe Agjencive qendrorë, komunave, shkollave profesionale, bizneseve, shoqatave, ekipit të EYE dhe bashkëpunëtorëve më të mirë përgjatë vjetëve. / KosovaJob.com

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet