Përfaqësues të rreth 50 kompanive janë takuar të martën në “Swiss Diamond Hotel”, ku kanë pritur fluks të madh të pjesëmarrësve të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për punë praktike. Takime, biseda, shkëmbim të kontakteve dhe ideve janë vetëm disa nga gjërat që e kanë karakterizuar “Panairin e Praktikës”. 800+ pjesëmarrës e kanë vendosur vulën e suksesit të panairit i cili u organizua të martën nga platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob në bashkëpunim me Taiwan Business - EBRD Technical Cooperation Fund dhe Promnestria.
Të rinjtë e kanë mirëpritur me entuziazëm këtë organizim, i cili është cilësuar si mundësia më e mirë për të depërtuar në tregun e punës. Vlera Zeqiri, e cila është studente në vitin e dytë në AUK – Universiteti Amerikan në Kosovë ka thënë se “Panairi i Praktikës”, i ka hapur shumë dyer drejt ndërtimit të karrierës së saj pasi që praktikën e sheh si pjesë shumë të rëndësishme të plotësimit të studimeve. “Është më të vërtetë shumë me rëndësi të marrim pjesë në panaire të tilla duke e parë që ofrohen kësi lloj praktikash, sidomos duke e marrë parasysh që tregu i punës është shumë i rëndësishëm kur lidhet edhe me studimet, pasi që pas studimeve Bachelor tentojmë të përfundojmë Master dhe të gjesh punë është shumë e vështirë pasi që nuk kemi eksperiencë të punës dhe është kënaqësi kur mund t’i bëjmë të dyja në të njëjtën kohë dhe të jemi më adekuat për tregun e punës. Unë pashë shumë mundësi nga kompanitë që ofrojnë punë praktike me gjysmë-orari dhe me orar të plotë, unë e gjeta veten shumë mirë te disa kompani dhe mezi po pres të aplikojë”, ka thënë ajo.
Kompanitë të gatshme për t’i punësuar të rinjtë
Kompanive ky organizim u ka shërbyer për t’i njoftuar të rinjtë me mënyrën e funksionimit dhe kulturën e punës së tyre. Gëzim Sahiti – specialist i rekrutimit në “RunawayExtenders”, ka treguar se si kjo ngjarje u ka ndihmuar të njoftojnë shumë të rinj të cilët kanë interesim të madh për t’u futur në tregun e punës.
“Gjatë këtij organizimi, ne si RunwayExtenders patëm një eksperiencë shumë të mirë. Patëm mundësinë të njohim të rinjtë që shfaqnin entuziazmin dhe motivimin e tyre për të shtruar pyetje si dhe interesimin e madh për integrim në treg të punës. Ishte kënaqësi që patëm mundësinë të ndajmë njohuritë dhe eksperiencën tonë me ta dhe t'i ndihmojmë në të kuptuarit më të mirë të sfidave dhe mundësive në fushat përkatëse”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar se pas kësaj ngjarje, të rinjtë i presin faza të tjera që u ndihmojnë të ngriten në karrierë drejt një vendi stabil të punës.
“Për t'i inkurajuar dhe inkorporuar ata brenda kompanisë sonë, planifikojmë ofrimin e trajnimeve të nevojshme dhe mentorim individual për t'u siguruar që ata të zhvillojnë aftësitë e tyre. Në kulturën e kompanisë tonë çdo kontribut vlerësohet, dhe presim me padurim të shohim si ata do të rriten dhe kontribuojnë në suksesin tonë të përbashkët”, ka thënë ai.
Edhe Anila Hajdari nga kompania “Alexander Chapman” në Kosov, ka treguar se të rinjtë pjesëmarrës i presin faza të tjera me të cilat synojnë t’i punësojnë ata brenda kompanisë së tyre.
“Të rinjtë kryesisht ishin të interesuar për më shumë detaje rreth mundësisë së punësimit në kompaninë tonë, pas “phone screen’s” që do t’i zhvillojmë në intervista fizikisht. Nëse proceset e rekrutimit kalojnë me sukses atëherë do t’i punësojmë”, ka treguar ajo.
Ky edhe ka qenë qëllimi i gjithë projektit. Shkamb Kërleshi – Drejtor Komercial në KosovaJob, thotë se me koordinim të brendshëm me stafin, kanë arritur të krijojnë një event të mirëplanifikuar dhe që kjo u dëshmua nga komentet pozitive të kompanive pjesëmarrëse, si dhe nga interesimi i të rinjve që eksploruan panairin me shumë interesim.
“Fakti që të gjitha shtandet ishin plot me kompani te njohura, tërhoqën edhe interesimin e lartë të të rinjve dhe të rejave për te aplikuar dhe për te filluar karrierën në njërin nga top punëdhënësit në Kosovë. Ky panair ka krijuar një mjedis të favorshëm për shkëmbimin e kontakteve në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve duke i dhënë edhe më shumë vlerë këtij organizimi”, ka thënë Shkambi.
“80% të pozitave për punë praktike të përmbushura me sukses”
Praktika cilësohet si hapi i parë dhe shtegu më i rëndësishëm drejt një karriere të gjatë e me shumë mundësi zhvillimi. Praktika përfshinë shumë aspekte pozitive që çojnë në eksplorimin e profesionit dhe janë mundësia më e mirë për të parë përshtatjen me një kompani dhe për të mësuar aftësi të reja.Ky aktivitet ka qenë finalizim i projektit “Youth Career Elevator” që ka zgjatur 18 muaj dhe ka përfshirë disa faza për fuqizimin e të rinjve. Surgiy Muslinchenko – udhëheqës i EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) në Kosovë ka thënë se janë të lumtur që e kanë përkrahur një projekt të tillë në një vend dinamik me shumë të rinj.
“Jam i lumtur të jem këtu dhe ta shoh një ambient dinamik. Kosova është një ndër vendet ku sheh shumë të rinj që janë shumë aktivë dhe kanë synime për të bërë më shumë dhe kjo është shumë inkurajuese. Jam shumë krenar për këtë ngjarje dhe që kemi realizuar një program kaq të mirë që është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai gjatë fjalimit të hapjes së ceremonisë së “Panairit të Praktikës”.
Arion Rizaj – Udhëheqës dhe themelues i KosovaJob i ka falendëruar të pranishmit që gjithnjë i përgjigjen pozitivisht eventeve të KosovaJob. Ai ka theksuar disa nga arritjet e këtij programi për të rinjtë teksa ka premtuar edhe mbështetje të vazhdueshme për ta.
“Vizionin për fuqizimin e punës praktike gjithmonë e kemi pasur prioritet dhe do të vazhdojmë ta kemi prioritet. Këtë mision e kemi fuqizuar më shumë me BERZH-in dhe Promnestria, vetëm gjatë viteve të fundit kemi arritur që numrin e konkurseve të praktikës ta rrisim për të paktën 311% që tregon që jemi duke punuar në atë drejtim. Kjo ka rezultuar që në vitin 2023 mbi 1500 pozita të lira të jenë për punë praktike dhe ku 80% prej tyre janë mbushur me sukses”, ka thënë Arion Rizaj.
Në kuadër të këtij programi janë mbajtur dhe disa sesione informuese ku të rinjtë kanë marrë pjesë në takime me profesionistë të fushës së Burimeve Njerëzore dhe kanë fituar aftësi të reja. Ky program ka përfshirë edhe udhëzimin e të rinjve për të krijuar profile punë në KosovaJob, ku kanë mundësi në mënyrë automatike të profilizohen si të interesuar për praktikë. Shkamb Kërleshi ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit me shumë kompani të njohura për publikimin e shpalljeve.
“Sa herë qe KosovaJob publikon shpallje për punë praktike, përdoruesit marrin njoftime për këto shpallje në mënyrë që të mos ju ikin pa aplikuar”, ka thënë Shkambi./ KosovaJob