1
PREMIUM PLUS

Thirrje për Aplikime për kryerjen e praktikës profesionale në kuadër të Programit Hibrid të Zhvillimit të Talentëve

Ruaj
KOSTT Sh.a
Ndiqe
Kategoria
Skadon
Orari
Lokacioni
	 	 

THIRRJE PËR APLIKIM

për kryerjen e praktikës profesionale në kuadër të Programit Hibrid të Zhvillimit të Talentëve në KOSTT

Bazuar në Politikën për Programin Hibrid të Zhvillimit të Talentëve, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.A., fton të diplomuarit e rinj dhe absolventët që plotësojnë kriteret e kësaj thirrjeje të aplikojnë për pjesëmarrje në Programin Hibrid të Zhvillimit të Talentëve.

Programi kombinon përkrahjen financiare mujore (Bursën e Programit) me praktikën profesionale të strukturuar në KOSTT, me mentorim, plan individual, indikatorë performance dhe produkte pune të matshme e të dokumentuara.

TË DHËNAT KRYESORE TË THIRRJES

  1. NUMRI DHE FUSHAT E PJESËMARRËSVE

KOSTT synon të përzgjedhë deri në 15 pjesëmarrës, me shpërndarje orientuese si në vijim:

  • 10 - 12 pjesëmarrës nga fusha inxhinierike që kanë ndërlidhje të drejtpërdrejtë me sektorin e energjisë dhe veprimtarinë e KOSTT-it respektivisht elektroenergjetikë, elektronikë, automatikë,
  • telekomunikacion, teknologji informative - IT, energji të ripërtëritshme, mekatronikë dhe fusha tjera të ngjajshme;
  • 3 - 5 pjesëmarrës nga fusha e ekonomisë dhe financave.

Numri përfundimtar i pjesëmarrësve dhe shpërndarja sipas fushave do të përcaktohen nga KOSTT, varësisht nga numri dhe cilësia e aplikimeve, rezultatet e procesit të përzgjedhjes, nevojat konkrete të kompanisë dhe kapacitetet e mentorimit. KOSTT rezervon të drejtën të përzgjedhë numër më të vogël të pjesëmarrësve se numri i planifikuar.

  1. KUSH MUND TË APLIKOJË?

Për pjesëmarrje në Program mund të aplikojnë vetëm të diplomuarit e rinj që kanë diplomuar në vitet akademike 2024/2025 dhe 2025/2026 ose absolventët që kanë përfunduar studimet, respektivisht ligjëratat, brenda afateve të rregullta, në njërën nga fushat e përcaktuara në këtë thirrje.

Kandidatët duhet të dëshmojnë përgatitjen përkatëse akademike dhe plotësimin e kushteve të kësaj thirrjeje.

  1. ÇFARË OFRON PROGRAMI?

Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të përfshihen në një program të strukturuar të zhvillimit profesional që përfshin:

  • angazhim praktik në një departament/zyrë të KOSTT-it;
  • mentor të emëruar nga njësia organizative pritëse;
  • plan individual të zhvillimit dhe të punës;
  • angazhim në detyra dhe aktivitete profesionale të ndërlidhura me fushën përkatëse;
  • monitorim dhe vlerësim periodik të vijueshmërisë, progresit, cilësisë së punës dhe zhvillimit të kompetencave;
  • zhvillim të produkteve konkrete dhe të dokumentuara të punës;
  • prezantim dhe vlerësim final të rezultateve të Programit.

Çdo pjesëmarrës duhet të realizojë së paku:

  1. një dokument profesional (raport, analizë, model ose plan);
  2. një mjet operacional (procedurë, listë kontrolli, model pune ose raportim);
  3. një prezantim final dhe përmbledhje të mësimeve (me konkluzion, rrezik, rekomandim).
  4. KOHËZGJATJA DHE FILLIMI I PROGRAMIT

Data indikative e fillimit të Programit është 15.10.2026.

Kohëzgjatja e Programit është deri në 12 muaj. Kohëzgjatja konkrete për secilin pjesëmarrës përcaktohet në varësi të përgatitjes (nivelit të studimeve), natyrës dhe objektivave të angazhimit praktik dhe kërkesave të Programit, brenda kufirit maksimal të lejuar nga legjislacioni në fuqi.

  1. BURSA E PROGRAMIT

Pjesëmarrësit aktivë në Program përfitojnë Bursën e Programit në nivel prej 75% të pagës minimale në fuqi.

Pagesa e Bursës kushtëzohet me:

  • vijueshmërinë e rregullt;
  • përmbushjen e obligimeve të përcaktuara me Program;
  • performancën minimale të dokumentuar;
  • raportin mujor të mentorit dhe konfirmimin e Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Në rast të mosvijueshmërisë së pajustifikuar, shkeljeve të rregullave ose ndërprerjes së Programit, pagesa e Bursës mund të pezullohet ose ndërpritet.

  1. PROCESI I PËRZGJEDHJES

Përzgjedhja e pjesëmarrësve do të zhvillohet mbi bazën e dokumentacionit dhe kritereve të shkruara dhe do të përfshijë:

  • shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit të aplikimit;
  • vlerësimin e letrës motivuese;
  • testimin;
  • intervistën.

Referenca/rekomandimi nga fakulteti mund të kërkohet ose të dorëzohet si dokument opsional.

Procesi i përzgjedhjes zhvillohet në kuadër të Programit Hibrid të Zhvillimit të Talentëve dhe nuk përbën procedurë konkursi për themelimin e marrëdhënies së punës. Në përputhje me Politikën e Programit, për këtë proces nuk parashihet procedurë ankese.

  1. DOKUMENTET PËR APLIKIM

Kandidati duhet të dorëzojë:

  1. Formularin e aplikimit për Programin Hibrid të Zhvillimit të Talentëve;
  2. CV-në;
  3. letrën motivuese;
  4. dëshminë për përfundimin e studimeve ose dëshminë për statusin e absolventit;
  5. dokumentin që dëshmon fushën/drejtimin e studimeve;
  6. dëshminë se studimet, respektivisht ligjëratat, janë përfunduar brenda afateve të rregullta.

Referenca/rekomandimi nga fakulteti mund të bashkëngjitet në mënyrë opsionale.

KOSTT rezervon të drejtën të verifikojë dokumentet dhe informatat e paraqitura nga kandidati.

  1. MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT

Aplikimi bëhet vetëm në formë elektronike përmes adresës: internship@kostt.com

Në rubrikën Subject/Lënda të email-it duhet të shënohet, sipas fushës së aplikimit:

  • Aplikim – Programi Hibrid – Inxhinieri; ose
  • Aplikim – Programi Hibrid – Ekonomi/Financa.

Thirrja është e hapur deri më 04.09.2026, ora 23:59.

Dokumentet duhet të dërgohen në format elektronik dhe të jenë të lexueshme. Aplikimet e dërguara pas përfundimit të afatit nuk do të merren në shqyrtim.

  1. INFORMATA TË RËNDËSISHME
  • Pjesëmarrësit e përzgjedhur janë të obliguar të respektojnë rregullat e KOSTT-it për sigurinë dhe shëndetin në punë, konfidencialitetin dhe sigurinë e qasjes në sisteme/pajisje.
  • Qasja në sisteme, pajisje dhe informata kritike bëhet vetëm me autorizime të kufizuara, nën mbikëqyrje dhe sipas nevojave të Programit.
  • Programi nuk përdoret për mbulimin e mungesave të stafit ose për zëvendësimin e vendeve të punës.
  • Pjesëmarrja dhe përfundimi me sukses i Programit nuk garantojnë punësim dhe nuk krijojnë përparësi në konkurset publike të KOSTT-it.

 

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet