Dekorimi i zyreve me elemente që përfshijnë festën e Halloweenit, aktivitetet socializuese e argëtuese kanë qenë disa nga pikat që e kanë karakterizuar datën 31 tetor në zyret e KosovaJob. Ekipi e ka nisur ditën me një ftesë për të marrë një nga maskat e vendosura për ta në një ambient ku ka dominuar ngjyra e zezë me portokalli. Maska e dekore të frikshme janë vendosur edhe në kënde të ndryshme të zyreve.
Gjatë pasdites, ekipi është mbledhur në një aktivitet të përbashkët ku kanë improvizuar skena të ndryshme me kostume të frikshme. Ky aktivitet ka ngjallur kreativtetin e grupit që ka zgjedhur të shtjellojë momente improvizuese për këtë festë.
Halloweeni është një festë e veçantë që festohet në shumë vende të botës, veçmas në SHBA kjo ditë renditet si festa më e organizuar pas Krishtlindjeve. E njohur si “Nata e Shtrigave” është një festë tepër e lashtë mbërriti në SHBA së bashku me emigrantët irlandezë dhe hodhi rrënjë për një transformim radikal. Megjithatë, festa e Halloweenit thuhet se i ka rrënjët në festën e lashtë kelte të Samhainit, kremtim fetar pagan për t’i mirëpritur të korrat në fund të verës (të mirat vjeshtore), kur njerëzit ndiznin zjarre dhe vishnin kostume për të larguar shpirtrat e këqij. 31 tetori kur festohet Halloweeni shënon fundin e Vitit të Keltëve dhe besohet të jetë dita kur shpirtrat e atyre që kanë vdekur vitin e mëparshëm do të kthehen për të zënë vend në trupin e një të gjalli. Pra përmes Halloweenit festohet për të mirat që sjell stina e vjeshtës si dhuratë./ KosovaJob