Kush do të rezistojë sot, do të udhëheqë nesër!

Kush do të rezistojë sot, do të udhëheqë nesër!

	 	 

Nga Erald Pashaj

EPPC Albania & Kosovo ltd.

Kush do të rezistojë sot, do të udhëheqë nesër!

Në këtë kohë të paimagjinueshme që po kalojmë, kur paniku shëndetësor dhe ekonomik është në krye të mendimve të kujtdo, disa Drejtues të Burimeve Njerëzore, Drejtorë të Përgjithshëm dhe Pronarë Sipërmarrjesh më kanë pyetur se çfarë duhet të bëjnë më mirë në këtë periudhë në kompanitë e tyre. Çfarë mund të bëjmë ne më mirë në kompanitë tona, më shumë sesa një vështrim ekonomik mbi situatën globale dhe makroekonomike. Ndonjëherë ne shqetësohemi më shumë për faktorët makro, të cilët nuk i kontrollojmë dot, dhe harrojmë të menaxhojmë si duhet kompaninë tonë. Ndihemi më mirë kur “fajin” e ka situata makro dhe ne nuk na mbetet asgjë tjetër përveç dëshpërimit. Në gjykimin tim, ekipi drejtues, si HR Manager, CFO, CEO dhe pronarë kompanish, sot duhet të përqëndrohet tek ato që ata mund të bëjnë. Natyrisht që këto funksione drejtuese kanë detyra të veçanta sipas përgjegjësive të strukturës, ku sa më lartë në hierarki, aq më e madhe është barra e vendimmarrjes. Mendoj që pikat më poshtë duhen marrë sipas radhës:

1. Shëndeti i punonjësve dhe kushtet e punës.Duhet të merren të gjitha masat që mbrojnë punonjësin në mjedisin e punës dhe të krijohen kushtet e duhura që punonjësit të punojnë të sigurtë dhe të qetë.

2. Puna në distancë.Zhvendosni operacionet tuaja online dhe aty ku është e mundur vendosni punën nga distanca. Puna nga distanca ka rregullat dhe mënyrat e veta, për të cilat kam shkruar më parë.

3. Ruajtja e punonjësve më të mirë.Bëni maksimumin që të mbani dhe paguani më të mirët! Mos i trajtoni të gjithë njësoj, nëse nuk janë njësoj. Çfarëdo që të themi mbi menaxhimin e njerëzve, nëse nuk paguhet bazuar në meritë, çdo gjë tjetër është populizëm.

4. Vazhdoni operimin e përditshëm.Është jetësore që ndërmarrja të mos ndalojë dhe fiket, por të punojë me kapacitet minimal derisa volumet të rriten gradualisht, ku vendime të tjera do të duhet të merren.

5. Optimizimi i kostove.Ka shumë mënyra për të optimizuar kostot. Duhet të bëni një plan të qartë për ndërhyrjen në kosto, masën dhe kohën, por asnjëherë mos shkurtoni çdo gjë emocionalisht, sepse mund të “vrisni” biznesin tuaj. Kjo është temë e gjerë dhe delikate, e cila kërkon analizë të personalizuar për krijimin dhe zbatimin e planit të masave. 

6. Komunikim të qartë, por jo shumë të shpeshtë.Me komunikim të qartë, nuk kam parasysh komunikimin e hollësishëm për çdo vendim, por komunikimin e nevojshëm për të shmangur çdo panik të panevojshëm apo thashetheme që krijohen me shumicë në situata të tilla. Komunikimet nuk mendoj se duhet të jenë të përditshme, por më së shumti një herë në javë ose në dy javë. Komunikimi i përditshëm me qëllim transparencën e panevojshme, etj., e vendos kompaninë dhe drejtuesit në një situatë stresi të përditshëm, përkeqëson cilësinë e punës minimale aktuale, shkakton ankth për të nesërmen dhe mendoj që as punonjësit dhe as drejtimi apo pronësia nuk fitojnë gjë nga ky lloj komunikimi.

7. Konsultojini vendimet tuaja.Përpara sesa të ndërmerrni vendime të rëndësishme apo gjysmë të rëndësishme, konsultojini ato me persona që nuk kanë konflikt interesi me vendimin. Një këshillë vlen më shumë në kohë krizash.

8. Zbato vendimin tënd.Zbatimi është pjesa më e vështirë e çdo vendimi, por duhet bërë. Në kohë të vështira, merren vendime të vështira.

9. Shpenzo me zgjuarsi. Shpenzo për ato aktivitete që sjellin dhe mund të sjellin të ardhura. Edhe në kohë krizash shpenzohet, por duhet shpenzuar për ato asete, shërbime apo ide që mund të sjellin të ardhura shtesë nesër.

10. Mendo për risi. Mendo si mund ta rimodelosh kompaninë apo punën tënde. Çfarë ndryshimesh mund të bësh sot dhe nesër. Koha po ndryshon, edhe ju fillimisht duhet të mendoni të ndryshoni. Të mendosh nuk është humbje kohe.

Uroj që sa më lartë t’ju ndihmojnë për të përqendruar veprimet brenda kompanisë tuaj. Në këtë situatë të vështirë mos harroni të mendoni se dielli do të dalë përsëri, asnjëherë koha e keqe nuk ka vazhduar përgjithmonë!

EPPC Footer

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC