Puna është shumë e vlefshme sa i përket ndërtimit intelektual por jo vetëm, e njëjta ka rëndësi edhe për shkak se shërben në aspektin financiar, pra edhe në ndërtimin jetësor të një individi. Paga është shpërblimi i përpjekjeve të personit për t’i realizuar detyrat e tij në punë. E paga, jo gjithherë mund të jetë e pranueshme për një individ. Prandaj, negocimi i pagës është proces shumë i rëndësishëm por edhe i vazhdueshëm gjatë tërë karrierës së një personi.
Gjatë një interviste për rrjetin e punësimit KosovaJob, Menaxherja e Burimeve Njerëzore në Monego, Anesa Ramaxhiku Begolli, dha disa këshilla si të kalohet me sukses procesi i negocimit të pagës.
Pse duhet të mësohemi ta negociojmë pagën?
Ramaxhiku-Begolli tha se pavarësisht se a është puna e parë apo e pestë e dikujt, është e rëndësishme të mësohet se paga mund të negociohet.
“Nëse mendoni që nuk paguheni sa e meritoni dhe nuk negocioni, atëherë kjo dëmton përformancën tuaj në punë. Negocimi i pagës i tregon një punëdhënësit që e njihni vlerën e punës tuaj dhe siguron përfitime tjera përveç atyre financiare. Kjo ju ndihmon të mësoni se si të përballeni me biseda të vështira në punë, në një frymë profesionale, bashkëpunuese dhe jo-kontradiktore”, nënvizoi ajo.
Ajo jep disa këshilla thelbësore për të gjithë punëkërkuesit dhe punëmarrësit, të cilët hasin në vështirësi për ta diskutuar pagën me punëdhënësin e tyre.
Rezultate të pyetësorëve të ndryshëm në mbarë botën kanë treguar se shumë njerëz kurrë nuk e kanë sjellë në tavolinë diskutimin mbi pagën. Ramaxhiku-Begolli thotë se kjo mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme.

“Bisedimi rreth pagës i bënë njerëzit të ndjehen jo rahat, sidomos kur kërkohet më shumë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së hulumtimit për pagat e në industri dhe në rajon për pozitën specifike, mungesës së aftësive të negocimit, mendimit se nëse negocioni mund të duket sikur po kërkoni shumë”
E për ta shmangur një gjë të tillë, Ramaxhiku-Begolli tha se duhet të konsiderohen të gjitha përparësitë dhe mangësitë gjatë shqyrtimit të negociatave.
“Krijoni një propozim me ide të qarta, që i tregon punëdhënësit aftësitë e juaja. Negocimi në fund të fundit dërgon një mesazh të rëndësishëm tek punëdhënësi dhe është thjesht pjesë e procesit të rekrutimit”
Ndonëse shumë njerëz hezitojnë ta diskutojnë pagën me punëdhënësin, sipas Ramaxhiku-Begolli kjo nuk është edhe aq e vështirë sa duket.
“Negociatat rreth pagës nuk janë aq të komplikuara sa duken. Pagën duhet ta negocioni kur ta keni ofertën (e shkruar) në dorë, kur ta keni bërë të qartë vlerën që po sillni në kompani dhe keni bërë hulumtimet e duhura para se të propozoni një shifër”
Krejt në fund, ajo theksoi se është e rëndësishme të kuptohet që secila situatë është e ndryshme. Negociatat rreth pagës mund të jenë të frikshme, por gjithmonë duhet të tentohet që biseda të mbahet në një frymë pozitive.
Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com
TAGS: KosovaJob, Artikulli i Javes, Vende Pune, Njoftime Pune, Oferta Pune, Portal Pune, Lyp Pune, Vende te lira Pune, Kerko Pune