Kosova, vendi me popullsinë më të re në Evropë, vazhdon ta ketë papunësinë e të rinjve problem serioz dhe sfidë për të ardhmen e vendit. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), situata është alarmante, duke reflektuar një realitet ku të rinjtë kanë gjasa më të larta për të qenë të papunë krahasuar me të rriturit.
Megjithatë, të rinjtë nuk po dorëzohen. Ata po vazhdojnë të aplikojnë në pozita të ndryshme për punë. Për këtë në në një intervistë për platformën GenVox është shprehur Gili Hoxhaj nga KosovaJob, e cila ka treguar se prania e të rinjve është mjaft e dukshme në profilet profesionale që krijohen brenda kësaj platforme. Një përqindje e madhe e tyre i përkasin moshës 20-24 vjeç.
“Nëse e masim me numrin e profileve të krijuara në KosovaJob, ne vërejmë një interesim mjaft të madh të të rinjve nga mosha 20 deri 24 që është edhe mosha kur i përfundojnë studimet dhe hyjnë në tregun e punës dhe janë të interesuar në zhvillimin e karrierës së tyre. Kemi diku rreth 26% të përdoruesve tanë që i përkasin pikërisht kësaj moshe”, ka thënë ajo.
Fushat kryesore që të rinjtë kanë interesim për punë dhe praktikë, sipas KosovaJob dalin të jenë ato që ndërlidhen me teknologjinë.
“Vërehet një interesim i madh për praktikë në fushën e IT-së pasi që po konsiderohet si një fushë edhe më profitabile për të rinjtë, është fusha e dizajnit grafik, pastaj ka të interesuar në shërbim ndaj klientëve në gjuhën angleze. Pra, janë fusha që kanë të bëjnë më shumë me inovacionin dhe teknologjinë që do të thotë se është kjo gjenerata Z që adaptohet shumë më lehtë me zhvillimet e teknologjisë dhe janë më të nxitur nga profesione që kanë të bëjnë me nxitjen e kreativitetit”, ka shtuar tutje Gili.
Platforma që shërben si urë lidhëse mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, KosovaJob, muajt e fundit ka arritur mbi 17 mijë përdorues aktiv. Kështu duke krijuar profilin tuaj, ju mund të kryeni kërkimin tuaj për punën e ardhshme.
Sipas ASK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2023, në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 16.7% ishin të papunë. Kjo shifër është edhe më e lartë për femrat e reja, ku papunësia arrin në 23.5%, krahasuar me 12.8% për të rinjtë meshkuj.
Ndërkaq, një e treta e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo trajnim (NEET), me 35.8% për femrat e reja dhe 34.2% për të rinjtë meshkuj./ KosovaJob