Zana Havolli-Veseli - Menaxhere e Rekrutimit në KosovaJob dhe HumanPower ka qenë e ftuar për Ditën e Punonjësve në emisionin “Captain Fm” në Glam Radio më Fiona Xhema Troshupa. Aty kanë shtjelluar disa tema sa i përket punësimit të punëkërkuesve, kushteve të punës në Kosovë dhe sfidave në këtë fushë. Zana ka treguar për fazat e punësimit të një kandidati dhe çfarë ndikon për të tërhequr të duhurit.
Zana, e cila ka më shumë se 8 vjet përvojë në fushën e rekrutimit ka theksuar përgjatë intervistës se po vërehet përmirësim i kushteve të punës nga kompanitë, por që ka akoma edhe shumë për të bërë në këtë drejtim duke pasur parasysh inflacionin që ka disbalancuar atë se çfarë konsiderohet pagë e mirë.
“Unë mendoj që kushtet e punës janë përmirësuar mirëpo ka nevojë akoma për përmirësim. Pagat vazhdojnë të mos jenë në nivelin e dëshiruar duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve ku nëse krahasohen pagat me shpenzimet e jetesës atëherë pagat kanë vazhduar të mbesin të njëjta. Në Kosovë mendoj që industria e teknologjisë ka paga konkurruese”, është shprehur ajo.
Tutje Zana ka adresuar mungesën e trajnimeve si një problematikë që haset te kompanitë në Kosovë dhe është shprehur se kompanitë duke tu kushtojnë mundësi më shumë trajnimeve dhe zhvillimit të punonjësve brenda kompanisë – si një mundësi e përfitimit të dyanshëm.
“Çfarë e shoh si problem në tregun e punës është mungesa e trajnimeve përbrenda kompanisë pasi që nuk po i japin mundësi punëtorit brenda kompanisë t’i zhvillojë aftësitë e tyre. Nëse u japin mundësi të ndjekin trajnime atëherë kjo automatikisht i sjell përfitim edhe kompanisë sepse për brenda e zhvillon një punonjës”, ka thënë Zana në emisionin “Captain Fm”.
Sipas saj vetëdijesimi i kompanive për të ofruar kushte më të mira është drejtpërdrejt i lidhur me vetëdijesimin e punëkërkuesve të cilët që në intervistë janë më të interesuar për kushtet e punës me të cilat do të punojnë.
“Mendoj që shumë kompani tani janë vetëdijesuar dhe po punojnë duke e respektuar Ligjin e Punës, por në anën tjetër mendoj që janë vetëdijesuar edhe punonjësit, nuk është si më herët që kanë ardhur në një intervistë dhe i kanë pranuar të gjitha kushtet që ua ke ofruar, por edhe punonjësit kanë kushte. Dhe e vërej që në shumicën e intervistave bëhen pyetje se “A ka sigurim shëndetësor?”, pyetje të cilat më herët nuk janë bërë”, ka treguar ajo.
Zana po ashtu është pyetur edhe për ndikimin e kushteve të punës në largimin e punonjësve nga Kosova – ku ajo ka theksuar pikërisht mungesën e kushteve të punës që i ka detyruar disa punonjës të kërkojnë zgjidhje në vendet evropiane, por edhe atje disa nuk e kanë gjetur veten dhe janë kthyer përsëri në Kosovë.
“Ka pasur shpesh raste kur ka shkuar dikush jashtë vendit më arsyetimin se “jo se këtu s'po e gjej veten” dhe kur ka shkuar atje i është dukur edhe më keq, por mandej e ka ditur vetë të vlerësoj. Dhe kjo ndoshta u shërben pak edhe si shkollë për me pa se si funksionon një kompani, një biznes apo si është tregu i punës në vende evropiane që ta dinë si të funksionojnë këtu”, ka thënë tutje ajo.
Ajo ka thënë se aftësia kryesore që kërkohet nga punëkërkuesit sot është mënyra e manxhimit të kohës. Sipas Zanës sot punëkërkuesit duhet të fokusohen më shumë të karakteri i punonjësit pasi që puna mund të avancohet me kalimin e kohës dhe me trajnimin e duhur.
“Për momentin mund të them që ndoshta si aftësia kryesore është aftësia për ta menaxhuar kohë. Është e rëndësishme të punësohet dikush që di ta menaxhojë kohë pasi që puna mësohet , por është e rëndësishme që punonjësit pas një viti të di vetë t’i menaxhojë punët e tij e jo t’i qëndrosh mbi kokë gjatë gjithë kohës. Edhe gjithmonë them është mirë me pasë një karakter të mirë se puna mësohet veçmas kur ka vullnet”, ka thënë ajo.
Zana ka shpjeguar edhe të gjitha procedurat e rekrutimit të një kandidati nga kompania HumanPower për klientin e tyre “Teleperformance”, ku nga ekipi të gjitha aplikimet shqyrtohen me kujdes të veçantë, për të vazhduar në fazën e intervistimit në telefon e deri te “Ditët e Dyerve të Hapura”- si forma më efikase dhe e suksesshme e punësimit. Ajo ka theksuar se kampanjat janë një formë e suksesshme për t’i tërhequr kandidatët e duhur.
“Krijimi i ndoshta një strategjie më të suksesshme është krijimi i kampanjave. Pastaj “Ditët e Dyerve të Hapura u mundësojnë kandidatëve (kryesisht gjermo-folës) të testohen dhe intervistohen brenda ditës dhe të bëhet një parakontratë”, ka treguar Zana./ KosovaJob