Pse anashkalohen aplikacionet e punës? Intervista me KFC Kosova

Pse anashkalohen aplikacionet e punës? Intervista me KFC Kosova

	 	 

Gjatë jetës suaj do të aplikoni për punë të ndryshme. Mirëpo, jo çdoherë do të merrni një thirrje për intervistë.

Pikërisht ndër ankesat më të shpeshta të punëkërkuesve është që nuk kanë marrë anjëherë përgjigje nga kompania ku kanë aplikuar. Kjo mund të ndodhë për shumë arsye. Që aplikacionit tuaj të mos i zbehet rëndësia, ju duhet t’i shmangni disa gabime të mundshme.

Për t’i shmangur këto gabime, menaxherja e burimeve njerëzore në KFC, Lorika Tahiri, jep disa këshilla për të gjithë ata që kanë ngelur pa përgjigje pasi që kanë plotësuar aplikacionin e tyre.

Në një intervistë për KosovaJob, ajo thotë se vëmendje të madhe gjatë pranimit të aplikacioneve të punës i kushtohet nëse kandidatët kanë ndjekur udhëzimet e cekura në shpalljen e punës.

“Kjo për mua është një indikator i madh i asaj se sa me seriozitet e ka marr aplikimin personi në fjalë si dhe rëndësisë që pozita e punës ka për të. Gjithashtu, më flet për kohën që ai person ka kaluar për të punuar në aplikacion dhe për të dhënë atë që është kërkuar. P.sh. nëse kerkohet një CV dhe shtjellimi i një eseje me titullin “What is your proudest accomplishment” dhe në vend të saj pranojmë një letër motivuese, kjo më jep shumë pak shtytje që të vazhdoj më tutje shqyrtimin e kandidatit në fjalë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një tjetër arsye se pse anashkalohen aplikacionet e kandidatëve është edhe prezentimi jo i duhur e CV-së apo tekstet e gjata e të cilat mund të përmbajnë edhe gabime gramatikore.

“Nëse kërkohet CV, çdo kandidat duhet ta ketë parasysh që CV-ja nuk duhet të jetë më e gjatë se dy faqe. Në botën dinamike që po jetojmë, koha është shumë e shkurtër dhe interesimi humbet shumë shpejt nëse hasim në dokumente të gjata, ku shkruhet shumë e thuhet pak. CVja gjithashtu duhet të jetë lehtë e lexueshme, e përditësuar dhe të mos ketë gabime gramatikore”

Një aplikacion i cili nuk është konsideruar i përshtatshëm, ajo thotë se mund të kthehet për rishikim në rastet kur njëri nga top pesë kandidatët e përzgjedhur për intervistën e parë nuk është paraqitur. Pra, vetëm nëse ai person pas vlerësimit, qëndron akoma në nivelin e kënaqshëm apo të pranueshëm të panelit intervistues.

Me anashkalimin e aplikacioneve të punës, padyshim që lidhen edhe njohuritë të cilat një kandidat i përçon kur aplikon për një punë.  Gjithmonë duke u bazuar në përvojën e saj në burime njerëzore, Tahiri u rekomandon kandidatëve që kur të aplikojnë për një vend pune, të marrin fillimisht informacione rreth kompanisë ku aplikojnë si dhe të kenë parasysh kriteret dhe përgjegjësitë të cilat kërkohen.

“Çdo punëkërkues para se të aplikojë për një vend pune duhet të dijë rreth kompanisë për të cilën po aplikon, historisë së saj dhe atë çfarë e bën të vecantë. Duhet të dijë për pozitën e punës – më konkretisht nëse kriteret dhe përgjegjësitë e kërkuara janë në përputhje me atë që ofron. Pastaj, punëkërkuesi duhet të jetë i informuar për fushën përkatëse – p.sh. nëse aplikon për departament të Marketingut, duhet të jetë në rrjedha për atë se çfarë kampanjash ka pasur kompania deri më tash, çfarë konsideron të jetë e suksesshme dhe çfarë mund të ketë nevojë për përmirësim”, ka thënë ajo.

Padyshim që për punëkërkuesit interes zgjon edhe mënyra se si të rriten shancat për punësim, e sipas Tahirit, në lidhje me këtë kandidatët duhet të punojnë në të gjitha fazat e rekrutimit, duke filluar nga aplikimi, përpilimi i CV‐së dhe materialeve të tjera që nevojiten. Ajo thekson se punëkërkuesit duhet të fokusohen në avancimin e aftësive komunikuese dhe prezentuese, si për intervistë ashtu edhe për ndonjë prezentim tjetër lidhur me punën që mund t’u kërkohet.

Jo gjithmmonë kandidatët informohen nëse aplikacionet e tyre kanë qenë bindëse për t’i ftuar ata në intervistë, mirëpo kjo nuk është një praktikë që e ndjekë edhe KFC. Në këtë kompani, varësisht prej pozitave, kandidatët informohen gjithnjë nëpërmjet email apo telefonatës në rast të përzgjedhjes ose jo.

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJob, Artikulli i javesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC