Platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob para dy vjetëve ka lansuar platformën RROGA e cila është e para që llogarit pagën mesatare të punonjësve në fusha të ndryshme. Qëllimi kryesor i platformës Rroga.com është të sjellë transparencë dhe informacion të vlefshëm për rrogat mesatare në të gjithë territorin e Kosovës. Platforma Rroga gjithashtu ndihmon në shpërndarjen e të dhënave mbi nivelin e rrogave për pozitat për punë të ndryshme, duke marrë parasysh faktorë si rajoni gjeografik, arsimimi, përvoja e punës, madhësia e kompanisë etj.
Rinor Jahaj, menaxher i produkteve në KosovaJob ka treguar se platforma ofron një burim të disponueshëm dhe të vlefshëm të të dhënave për pagat duke u ofruar kompanive dhe punonjësve informacion të përditësuar nga më shumë se 20 mijë vizitorë në muaj. Numri i madh i përdoruesve ka bërë që të krijohet një pasqyrë e qartë e nivelit të pagave në Kosovë. Kjo platformë është kredibile edhe për faktin që ka arritur të mbledhë të dhënat bazë nga 400 mijë përdorues.
“Kemi pranuar dhe analizuar afërsisht 60,000 informacione të rrogave për pozicione të ndryshme pune në të gjithë territorin e Kosovës”, ka treguar Rinori.
Rinori ka treguar se sektori që ka shfaqur një interesim të veçantë dhe ka përdorur më shumë platformën për llogaritjen e pagave është ai i teknologjisë. Dhjetë pozitat që prijnë me numrin e përdorimit janë: dizajnerë grafik, zhvilluesit e softuerit, zhvilluesit Front End, agjentët të shitjes, arkitektët, kontabilistët, kamerierët, zhvilluesit Full Stack, agjentët e qendrës së thirrjeve (gjuhë gjermane) dhe menaxherët. Rinori ka treguar se rritje më të madhe të pagës ka pasur në sektorin e teknologjisë, ku ka pasur një rritje prej mbi 18% në nivelin e pagave.
Cilat janë pozitat më të paguara sipas Rroga.com?
Sipas të dhënave të mbledhura dhe llogaritura në platformën Rroga.com, këto janë katër pozitat që prijnë me pagën më të lartë mesatare në vend:
Kryeshefi Ekzekutiv - Paga mesatare: 2015 euro
Zyrtari kryesor financiar – Paga mesatare: 1637 euro
Drejtori Ekzekutiv – Paga mesatare: 1332 euro
Produkt Menaxher - Paga mesatare: 1098 euro
Zhvilluesi i softuerit - Paga mesatare: 1084 euro
Zhvillues Full Stack - Paga mesatare: 933 euro
Sipas ritmit të të dhënave të përditësuara, Rinori ka treguar se këto fusha pritet të kenë rritje më të madhe:
Teknologjia dhe IT: Kjo industri vazhdon të rritet dhe të zhvillohet me shpejtësi.
Kërkesa e lartë për profesionistë në fushën e teknologjisë pritet të sjellë ngritje të ndjeshme të rrogave.
Shërbimet Shëndetësore dhe Mjekësore: Me rritjen e kërkesës për shërbime shëndetësore, sektori i shërbimeve shëndetësore pritet të shohë ngritje të pagave, sidomos për profesionistët mjekësorë dhe infermierët.
Financat dhe Sektori Bankar: Zhvillimi i sektorit financiar bën që kjo industri të ofrojë shumë mundësi karriere. Profesionistët në fushën e financave dhe bankave, pritet të përfitojnë nga ngritjet e rrogave.
Sa është rritur paga mesatare në Kosovë?
Sipas publikimit të këtij viti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka pasur një lëvizje të vogël të pagës mesatare në sektorin privat krahasuar me atë publik. Për dhjet vjet, paga në sektorin publik është rritur rreth 50% krahasuar me sektorin privat ku kjo rritje është rreth 30%. Publikimi i muajve të kaluar nga ASK përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në Sektorin Publik (Administrata), Ndërmarrjet Publike dhe Sektorin Privat në Kosovë.
Sipas këtij publikimi në vitin 2022, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 521 Euro, derisa në vitin 2021 ishin 484 Euro. Pra, kishte një rritje prej 37 Eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2022 ishte 446 Euro, krahasuar me vitin 2021 që ishte 432 Euro. Pra, një rritje prej 14 Eurosh.
Sipas këtij publikimi paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2022 ishte 473 Euro, derisa në vitin 2021 ishte 419 Euro. Pra, kishte një rritje prej 54 Eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto (paga e tatimuar) ishte 401 Euro, krahasuar me vitin 2021 e cila ishte 376 euro. Pra, një rritje prej 25 Eurosh.
Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2022 ishte 604 Euro, duke u rritur për 197 Euro, ose 48.4%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 366 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 536 Euro në vitin 2022. Një rrije prej 170 Eurosh, ose 46.4%.
Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 561 Euro, derisa në vitin 2022 ishte 789 Euro. Një rritje prej 228 Eurosh ose 40.6%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 502 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 659 Euro në vitin 2022. Një rrije prej 157 Eurosh, ose 31.3%.
Sipas të dhënave të këtij raporti ende ekziston një hendek mes pagës mesatare të sektorit publik krahasuar me atë privat. Nivel i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat. Paga mesatare bruto në vitin 2022, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (968 Euro) dhe Informim dhe komunikimi (896 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (323 Euro).
Paga mesatare neto në vitin 2022, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (804 Euro); Informim dhe komunikim (745 Euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (277 Euro).