Liberalizimi i vizave po parashikohet të jetë një fazë e vështirë për tregun e punës në Kosovë. Kriza e mungesës së punëtorëve veçse është hetuar pesë vjetët e fundit dhe po pritet të thellohet edhe më shumë në vend. “A ka punë dhe punëtorë në Kosovë”, ka qenë një ndër temat që është diskutuar në emisionit “Start Up” në “RTV 21”. Automatizimi dhe digjitalizimi i punëve dhe importimi i punonjësve nga Turqia janë dhënë si dy nga opsionet që ndihmojnë për tu përballur me këtë krizë.
Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se është shfaqur mungesa e fuqisë punëtore kurse punë ka mjaftueshëm. Sipas tij mungesa e fuqisë punëtore është sfida më e madhe momentalisht në Kosovë e që i prin të gjitha sfidave të tjera. Sipas tij largimi i të rinjve ka ndikuar që të ketë më shumë vende të reja kurse teknologjia është një faktor tjetër.
“Po flasim për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të pakualifikuar. Janë dy kategori që na mungojnë. Mungesa e fuqisë punëtore e ka hapur mundësinë për vende të reja të punës. Ne jemi ende duke kaluar nëpër tranzicione të ndryshme, derisa disa sektorë kanë qenë të mbushura me vende pune tani me largimin e fuqisë punëtore është hapur mundësia për vende të reja”, është shprehur ai.
Sektori i ndërtimtarisë dhe gastronomisë – dy sektorët që vuajnë më së shumti papunësinë
Jahir Morina nga Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore ka thënë se sektori i ndërtimtarisë ka hyrë në fazën më të rrezikshme të mungesës së punëtorëve të kualifikuar dhe punëtorëve fizik dhe arsyeja është për shkak të ikjes së punëtorëve dhe gjetjes së vendeve të punës në Ballkan dhe Evropë. Kjo mungesë ka filluar të hetohet 3-4 vjetët e fundit dhe pritet që ta prekë veçmas zhvillimin e ndërtimit në Kosovë.
“Për shkak të liberalizimit të vizave pritet ta kemi edhe një rrezik tjetër. Duke marrë parasysh që mungojnë kontratat afatgjate, sigurimi në punë dhe gjëra të tjera mund të ndodhë që punonjësit të ikin pa paralajmërim”, ka thënë ai.
Sipas Arion Rizajt nga KosovaJob nuk mund t’i kërkosh të qëndrojë një punonjësi që nuk i ofron as kontratë të rregullt dhe sipas tij sot paga nuk është problemi kryesor se pse punonjësit braktisin një kompani, por ka të bëj edhe me aspekte të tjera që lidhen me kulturën e një kompanie dhe sa respektohesh brenda saj.
“Ka akoma një numër të madh të punëdhënësve që nuk u japin kontrata punëtorëve. Kontrata nuk është më benefit, është obligim ligjor”, ka theksuar ai.
Arion Rizaj nga KosovaJob tutje ka treguar se në vitin 2023 ka rritje të konkurseve të punës por që shumica e këtyre konkurseve nuk janë konkurse për vende të reja, por konkurse për zëvendësim të stafit aktual të punës.
“Jo gjithmonë numri i konkurseve që publikohen është një indikator se sa ka vende të lira të punës, ndoshta shumica janë konkurse për zëvendësim të një vendi pune. Rritja e konkurseve në kalim me vitin 2022 është 25 % dhe presim që në 2024 rritja do të jetë më e madhe sepse kompanitë kanë nevojë ta përdorim jo vetëm KosovaJob-in por çdo resurs të mundshëm për të ardhur te një punëtor i caktuar”, ka shtuar ai.
Tutje ai ka treguar se ka rënie të përgjithshme të punëkërkuesve edhe në sektorin publik dhe sipas tij të rinjtë kanë filluar të vetëdijesohen dhe të hulumtojnë më shumë pozitën për të cilën po aplikojnë dhe shpesh dy kompani për pozitën e njëjtë marrin kandidatë të ndryshme. Sipas tij shumë procese duhet të shkojnë drejt automatizimit.
“Një pjesë e madhe e kompanive në Kosovë janë duke punuar ndër numrin adekuat se sa duhet të ketë ajo kompani për ta kryer punën në punën më të mirë të mundshme. Shumë kompani duhet të mendojnë në aspektin e digjitalizimit të shumë proceseve, të zvogëlimit të resurseve që ndoshta nuk kanë nevojë për t’i zëvendësuar me resurse të tjera të cilat kanë nevojë. Punën manuale të mundohen maksimalisht ta largojnë që t’i automatizojnë shumë procese që gjithmonë ta minimizojmë rrezikun me të cilin po ballafaqohemi dhe po ballafaqohet secila kompani”, ka thënë ai.
Adem Qorrolli – ekspert i ekonomisë ka thënë se tani kompanitë duhet t’i rrisin ofertat për punonjësit dhe t’i rrisin stimulimet për ta. Ai theksoi se sipas të dhënave të Agjencisë së Bizneseve pritet që deri në 300 mijë do të udhëtojnë në vitin 2024. Tutje ai ka treguar për faktorët që kanë ndikim në largimin e punonjësve.
“Ne jemi me fat që kemi ¾ në vend të fuqisë punëtore. Ajo që shihet për ikjen apo emigrimin e fuqisë punëtore është diçka që e kanë provuar vendet edhe para nesh si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me liberalizimin e vizave dhe kjo është një “marketing” i fuqisë punëtore që kanë jetu jashtë për tretmanin dhe respektimin e fuqisë punëtore të cilën në vendin tonë nuk e kanë gjetur. A është shkaktar kjo, mund të them është 60%, keqpërdorimi i fuqisë punëtore si në sektorin privat, ashtu dhe në sektorin publik, tretmani i tyre në fuqi punëtore”, ka thënë ai gjatë emisionit “Start Up”.
Si të parandalohet dhe si të gjendet zgjidhja?
Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë që instutucionet duhet ta përgatisin një strategji se si ta parandalojnë largimin e njerëzve duke i stimuluar të rinjtë dhe të rejat që të hapin biznese nga një “start-up” në një biznes familjar dhe të zhvillohen tutje. Si dhe ai sugjerohen që të stimulohen që ata që kanë dalur jashtë të kthehen si investitorë.
“Është çështje e ministrit, dikasteri që të thonë kaq kemi mundësi buxhetore dhe po fillojmë një program. Dhe për mua ka qenë shqetësuese konsumi, ne jemi mburrur me rini dhe konsumi ku ka rini është shumë më i madh krahasuar me vendet fqinje. Në Kosovë ata që kanë dalur më herët kanë arritur edhe të krijojnë kompani dhe po marrin ekipe të gatshme ndërkohë kompania jonë e ka afatin për ta kryer punën dhe për të rekrutuar punëtorë të rinj i merr kohë”, ka thënë ai.
Sektori privat ka lëvizur shumë me kushte pasi që tani kompania nuk i vendosë kushtet, por i vendosë punonjësi. Jahir Morina ka thënë se zgjidhja momentale është ulja e intensitetit të punës në ndërtimtari, përdorimi më i madh i teknologjisë dhe të mirren punonjës nga jashtë.
“Për dhjetë vjet kemi menaxhuar me 300 punëtorë, tani me 10 ose 15 % të kapaciteteve tre vjetëve të fundit. Do të ulim intensitetin e ndërtimit dhe të përdorën metoda të reja të teknologjisë , ne paisjeve të reja që mund të zëvëndësojnë fuqinë punëtore. Jemi edhe në negociatave me punonjës të vendeve të tjera dhe është pak e vështirë pasi që janë ekipet politike pasi që ne llogaritemi si vend i tretë”, është shprehur ai.
Sipas tij edhe pse llogaritemi si vend i tretë, në Kosovë punohet me metoda të avancuara dhe punonjësit nga Turqia janë të vetmit momentalisht në të cilët mund të llogariten. Sipas tij ardhja e punonjësve turq do të jetë në ndihmesë e madhe.
“Për punësim të qëndrueshëm i vetmi vend që mund të llogarisim është vendi turk, janë të kualifikuar kurse tregjet e tjera sikur është pjesa e Indisë, Pakistanit nuk janë zgjidhje për ne pasi që janë vende të pazhvilluara dhe ne jemi vend i avancuar, kemi një metodë dhe teknologji të punës mjaft të avancuar dhe jemi një vend që kemi bashkëjetuar 50-70 vjet në ish-Jugosllavi dhe jemi llogaritur si fuqia e tretë evropiane në çdo sferë”, ka thënë ai.
Këtë e ka konfirmuar edhe Arion Rizaj, i cili ka thënë se tani në konkurse identifikohen edhe aplikantë nga Bangladeshi, Turqia e vende të tjera që edhe kërkojnë të qëndrojnë këtu dhe të pajisen me dokumentacione, por që mund ta shfrytëzojnë Kosovën vetëm si trampolinë për shkak të pozitës së përshtatshme gjeografike. Ai theksuar edhe numrin e kompanive ndërkombëtare të cilat duan të marrin punonjës nga Kosova.
“Ka kompani nga Rumania, Gjermania, Zvicra, Franca, Italia. Një pjesë e këtyre kompanive kërkojnë punëtorë nga Kosova që kërkojnë që ata të jetojnë jashtë dhe ua sponsorizojnë komplet pjesën e dokumentacioneve dhe janë një pjesë e madhe e tyre që kërkojnë punonjës në Kosovë që mund të punojnë nga shtëpia” , është shprehur ai. / KosovaJob