1
Programi “Women of Impact” vjen në Kosovë për të fuqizuar lidershipin e grave

Programi “Women of Impact” vjen në Kosovë për të fuqizuar lidershipin e grave

	 	 

Programi “Women of Impact Leadership Program” (WILP) në partneritet me Odën Ekonomike të Kosovës po vjen për herë të parë në Prishtinë me synimin për të fuqizuar gratë lidere dhe për të krijuar një komunitet ku ato ndihen të dëgjuara, të vlerësuara dhe të mbështetura.

Sipas organizatoreve, motivimi për ta sjellë këtë program në Kosovë lidhet drejtpërdrejt me nevojën për fuqizim të grave në shoqëri që ende mbart gjurmë të forta të mentalitetit patriarkal. Gratë në Ballkan janë rritur shpesh me bindje kufizuese – të mos bien në sy, të mos dalin përpara dhe të mos synojnë role udhëheqëse. Ky “programim” i hershëm ndikon më vonë në mungesë vetëbesimi, në dyshim ndaj aftësive personale dhe në hezitim për të shfaqur potencialin e plotë.

Studime ndërkombëtare tregojnë se gratë e vlerësojnë veten 20–30% më pak në aftësi udhëheqëse sesa burrat, për shkak të normave kulturore që e lidhin lidershipin me tipare “mashkullore”. “Në vende si Kosova, kjo përforcohet edhe nga pritshmëritë shoqërore që gratë të vendosin familjen përpara karrierës. Po ashtu, mungesa e trajnimeve në Evropën Lindore ndikon që një pjesë e konsiderueshme e grave të mos e shohin veten të gatshme për role drejtuese. Pikërisht për këtë arsye, programi fokusohet në ndërtimin e besimit dhe aftësive udhëheqëse përmes metodave praktike dhe përvojës së drejtpërdrejtë”, ka thwnw udhwheqja e WILP, Irena Jakimova.

Përvoja ndërkombëtare dhe suksesi i deritanishëm

Programi nisi fillimisht në Gjermani, ku u orientua drejt grave lidere në sektorin joqeveritar dhe akademik, për shkak të mungesës së fondeve për zhvillim personal në këto fusha. Më pas, edicioni i avancuar u organizua në Maqedoninë e Veriut me pjesëmarrjen e 18 grave nga sektorë dhe kombësi të ndryshme. Fazat e para u mbështetën nga Erasmus+, ndërsa pas dëshmimit të efektivitetit të kurrikulës, programi vazhdoi në Austri dhe përsëri në Maqedoninë e Veriut.

Aktualisht, një grup prej 18 grave lidere – kryesisht nga sektori i biznesit, por edhe nga fusha të tjera – po ndjekin versionin e zgjeruar të programit në Shkup, të njëjtin format që do të zbatohet edhe në Prishtinë. Sipas organizatoreve, është krijuar një rrjet aktiv bashkëpunimi mes pjesëmarrëseve, me fitore personale dhe profesionale që dëshmojnë ndikimin e programit.

Një qasje ndryshe ndaj lidershipit

WILP nuk është një trajnim klasik, por një proces transformues që nis nga brenda. Programi fokusohet në ndryshimin e mënyrës së të menduarit, në riformësimin e bindjeve personale dhe në ndërtimin e një perspektive të re për veten, të tjerët dhe jetën. Theksi vihet te autenticiteti dhe tek forca unike e secilës pjesëmarrëse.

Gratë shpesh ndihen sikur duhet të zgjedhin mes familjes dhe karrierës, mes suksesit dhe paqes personale. Programi synon të tregojë se lidershipi i vërtetë fillon kur gratë krijojnë rregullat e tyre dhe nuk ndjekin më modele të imponuara. Ndryshimet më të mëdha të vërejtura lidhen me qëndrimin personal, vetëvlerësimin dhe mënyrën e shprehjes. Rritet vetëbesimi, kreativiteti dhe ndjenja e balancës, ndërsa zvogëlohen ndjenjat e fajit dhe turpit.

Temat kryesore të programit

Programi përbëhet nga katër module kryesore:

  • Harmonia e brendshme, që përfshin inteligjencën emocionale, menaxhimin e gjendjes së brendshme, vetëvlerësimin dhe bazat e lidershipit të trupëzuar.
  • Komunikimi ndikues dhe negocimi, ku trajtohen dëgjimi aktiv, gjuha e trupit, vetëdija dhe komunikimi i qëllimshëm.
  • Të folurit në publik dhe udhëheqja e të tjerëve, me fokus në përgatitjen, paraqitjen para audiencës dhe kamerës, delegimin dhe lidershipin kongruent.
  • Produktiviteti personal, që përfshin vendosjen e prioriteteve, menaxhimin e kohës, kufijve dhe vendimmarrjen.

Secila pjesëmarrëse do të ketë gjithashtu mundësi për punë individuale me trajneret, si dhe për aktivitete rrjetëzimi me pjesëmarrëset nga Maqedonia e Veriut. Programi përfundon me ceremoni certifikimi në Prishtinë në fillim të qershorit 2026.

Kujt i dedikohet programi

Programi u drejtohet grave që kanë përvojë profesionale dhe dëshirojnë të forcojnë vetë-udhëheqjen dhe ndikimin e tyre në shoqëri, pavarësisht sektorit ku veprojnë – biznes, sektor joqeveritar, institucione publike apo akademi.

Përfitimet për pjesëmarrëset

Pjesëmarrëset do të zhvillojnë stilin e tyre unik të lidershipit, do të përmirësojnë komunikimin, negocimin dhe të folurit në publik, si dhe do të rrisin vetëbesimin. Një nga përfitimet më të vlerësuara është krijimi i komunitetit të grave, që shërben si rrjet mbështetës dhe burim frymëzimi afatgjatë.

Ndikimi i pritshëm në shoqërinë kosovare

Programi synon të krijojë lidership të bazuar në qartësi të brendshme, vetërespekt dhe vetëdije për vlerën personale. Gratë pritet të ndihen më të guximshme për të aplikuar për pozita drejtuese, për të marrë iniciativa dhe për të qenë aktive në fusha me rëndësi shoqërore.

Si e përshtatin suksesin për çdo grua?

Suksesi shihet ndryshe për secilën grua: për dikë është avancimi në karrierë, për dikë tjetër krijimi i më shumë kohe për veten, apo aftësia për të folur me zë të lartë dhe të qartë. Fuqizimi i secilës pjesëmarrëse konsiderohet sukses i programit dhe një hap drejt lidershipit të balancuar gjinor.

Mesazhi për gratë që hezitojnë të aplikojnë

Koha ideale për të investuar në veten nuk vjen kurrë në mënyrë perfekte. Investimi në vetvete është gjithmonë i duhuri tani. Në vend që të reagoni ndaj rrethanave, krijoni një mjedis ku mund të rriteni dhe të lulëzoni. Bëhuni ajo që merr hapin e parë. Fillon nga marsi deri në qershor 2026. Nëse jeni gati të përballoni sfidat tuaja si një profesioniste, të ngriheni dhe të rriteni, sigurohuni të bëheni pjesë! Shiko të gjitha detajet (çmimet, përmbajtja, kalendari) këtu: https://www.womenleadership.zone/sq/

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet