Në trevjetorin e Integralis Leadership, themeluesja me përvojë 19-vjeçare në Google, Jonika Dhima Hoomes ofron bursë për liderët e së ardhmes.
Përmes bursës së programit “Summer of Aligned Action”, synohet mbështetja e profesionistëve që po ndërtojnë produkte, po zhvillojnë biznese ose po kalojnë nga roli i operatorit në atë të themeluesit.
Themeluesja e Integralis Leadership, e cila ka kaluar 19 vite në Google duke punuar me mijëra liderë, partnerë dhe organizata në mbarë botën, thotë se ideja për këtë bursë buron nga një mësim i rëndësishëm që ka marrë gjatë karrierës së saj.
“Kompanitë më të suksesshme ndërtohen nga njerëz që mendojnë përtej vetes. Kjo bursë është mënyra ime për ta kthyer atë që kam marrë. Besoj se njohuria, kur ndahet, shumëfishohet. Në vend që të festoj vetëm përvjetorin e biznesit tim, doja ta shndërroja atë në një mundësi për dikë tjetër”, shprehet Jonika.
“Summer of Aligned Action” – më shumë se një program motivues
Ndryshe nga programet tradicionale të coaching-ut dhe mentoring-ut, “Summer of Aligned Action” është konceptuar si një hapësirë praktike për profesionistët që ndodhen në mes të proceseve të rëndësishme të transformimit.
Programi u dedikohet atyre që po lansojnë një produkt të ri, po ndërtojnë një biznes, po përpiqen të lidhin vizionin me ekzekutimin ose po kërkojnë të pozicionojnë më mirë atë që kanë krijuar në treg.
Sipas Jonikës, këta individë nuk kanë nevojë për më shumë motivim, por për t’i pasur gjerat më të qarta.
“Kanë nevojë për qartësi mbi atë që i ndalon, atë që u mungon dhe hapat që janë vërtet të rëndësishëm. Kjo është ajo që ndërtojmë bashkë gjatë verës”, theksoi ajo.
Pse fokusi është te liderët në teknologji dhe sipërmarrje?
Programi synon veçanërisht liderët në teknologji, sipërmarrësit dhe profesionistët që punojnë në projekte me ndikim të lartë, pasi shpesh pikërisht në këto fusha vendosen momentet kyçe të suksesit ose stagnimit.
Ajo thekson se sfida nuk qëndron gjithmonë te mungesa e ideve apo talentit, por te aftësia për të krijuar urën mes asaj që është ndërtuar dhe asaj që tregu mund të kuptojë, vlerësojë dhe blejë.
“Kam parë produkte të shkëlqyera që nuk u shitën kurrë. Kam parë operatorë të fortë që nuk bënë dot kalimin. Kam parë themelues që dinin si të ndërtonin por jo si të shisnin. Kjo bursë është për ata që janë pikërisht në atë fazë”, u shpreh ajo.
Qartësia – sfida më e madhe e liderëve të sotëm
Sipas saj, në një kohë kur informacioni është më i qasshëm se kurrë, problemi kryesor nuk është mungesa e njohurive, por mungesa e qartësisë.
“Lidershipi nuk është më aftësia për të pasur të gjitha përgjigjet. Është aftësia për të bërë pyetjet e duhura, për të ndërtuar besim dhe për të krijuar mjedise ku njerëzit japin më të mirën e tyre”, theksoi ajo.
Kush mund të aplikojë?
Bursa nuk është e orientuar drejt kandidatëve me CV-të më të pasura, por drejt atyre që ndodhen në një fazë të rëndësishme tranzicioni profesional.
Programi kërkon individë që kanë ndërtuar diçka reale dhe tani po përpiqen ta shpjegojnë, ta shesin ose ta shkallëzojnë atë.
Kurioziteti, integriteti, përulësia dhe dëshira për të krijuar ndikim pozitiv konsiderohen vlera thelbësore për kandidatët potencialë.
“Mos ndërtoni vetëm një karrierë. Ndërtoni një mënyrë jetese që ju lejon të keni ndikim pa humbur veten. Suksesi nuk matet vetëm me fitimin, por me njerëzit që rriten falë jush, me besimin që krijoni dhe me guximin për të vepruar në përputhje me vlerat tuaja”, tha tutje ajo.
Jonika ka shtuar se trashëgimia e vërtetë e një lideri nuk matet me pozitat që ka mbajtur, por me njerëzit që ka ndihmuar të ecin më larg se ai vetë.
Si të aplikoni?
Të interesuarit mund të aplikojnë duke kontaktuar drejtpërdrejt në adresën jonika@integralisleadership.com. Në aplikim kërkohet që kandidatët të shpjegojnë se ku ndodhen aktualisht në rrugëtimin e tyre profesional dhe çfarë synojnë të arrijnë.
Sipas organizatorëve, programi është i hapur për ata që ndajnë vlerat e kuriozitetit, integritetit, guximit dhe dëshirës për të krijuar ndikim pozitiv në komunitetet dhe organizatat ku veprojnë./ KosovaJob