Në përputhje me nenin 10 dhe nenin 11, paragrafin 1, nënparagrafin 1.13 të Ligjit nr. 05/L-057 për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-138, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) shpall:
Shpallje
për
një (1) Specialist për Kërkesat për Pagesë dhe Rikthimet
Numri i referencës: 01/2026
Informacion i përgjithshëm
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) është entitet i pavarur juridik, i themeluar me bazë ligjore, me misionin për të lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Kosovë. Përmes instrumenteve të garancisë kreditore, FKGK-ja synon të mbështesë zhvillimin e sektorit privat, të përmirësojë klimën e të bërit biznes dhe të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës. Në këtë mënyrë, Fondi kontribuon në fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe shërbyese të ndërmarrjeve që krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi.
Duke ua rritur NMVM-ve qasjen në financim, FKGK-ja mbështet investimet private dhe zhvillimin e aftësive konkurruese të ndërmarrjeve vendore. Si rezultat, këto ndërhyrje ndikojnë pozitivisht në performancën e sektorit privat dhe kontribuojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit.
Përshkrimi i përgjegjësive të punës
Specialisti për Kërkesat për Pagesë dhe Rikthimet mbështet FKGK-në në administrimin dhe vlerësimin e kërkesave për pagesën e garancive kreditore, si dhe në monitorimin dhe verifikimin e rikthimeve nga kreditë për të cilat FKGK-ja ka paguar garancinë. Specialisti do të jetë përgjegjës për detyrat e mëposhtme:
- Zbatimi i politikave dhe procedurave: Siguron zbatimin e politikave dhe procedurave të FKGK-së për menaxhimin e rrezikut të garancive kreditore, si dhe të kërkesave që rrjedhin nga Marrëveshjet e Garancisë lidhur me kërkesat për pagesë dhe rikthimet.
- Menaxhimi dhe administrimi i kërkesave për pagesë nga Institucionet e Regjistruara Financiare (IRF), përmes:
- Shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të kërkesave për pagesë të paraqitur nga IRF-të, për të verifikuar përputhshmërinë me kushtet e përcaktuara në Marrëveshjet e Garancisë dhe me politikat e brendshme të FKGK-së;
- Përgatitjes së rekomandimeve dhe propozimeve për kërkesat e parashtruara për pagesë dhe, sipas rastit, prezantimit të tyre në Komisionin për Kërkesa për Pagesë.
- Menaxhimi dhe monitorimi i rikthimeve nga kreditë për të cilat janë paguar garancitë, përmes:
- Monitorimit të veprimeve të ndërmarra nga IRF-të për rikthimin e mjeteve të paguara në kuadër të garancive kreditore;
- Komunikimit të rregullt me IRF-të për të përcjellë statusin e proceseve të rikthimit pas pagesës së garancisë dhe masat e ndërmarra;
- Analizimit të mundësive për rikthim dhe identifikimit të rasteve që kërkojnë ndjekje të mëtejshme;
- Monitorimit dhe verifikimit të shumave të rikthyera;
- Përgatitjes së raporteve për statusin, progresin dhe rezultatet e rikthimeve.
- Menaxhimi i kërkesave për pagesë dhe i rikthimeve në raport me institucionet rigarantuese, duke siguruar administrimin, dokumentimin dhe përcjelljen e kërkesave për pagesë dhe të shumave të rikthyera, në përputhje me marrëveshjet përkatëse.
- Analiza e portofolit të kërkesave për pagesë dhe e rikthimeve, përmes analizimit të të dhënave sipas sektorëve ekonomikë, rajoneve, karakteristikave të bizneseve, institucioneve financiare dhe faktorëve të tjerë përkatës, me qëllim identifikimin e tendencave dhe shkaqeve të mospagesës, vlerësimin e rezultateve të rikthimeve dhe propozimin e masave për zvogëlimin e rrezikut.
- Kontrolli i cilësisë përmes verifikimit të përmbushjes së kërkesave dhe kushteve të përcaktuara në Marrëveshjet e Garancisë ndërmjet IRF-ve dhe FKGK-së, me fokus në dokumentacionin, procedurat dhe veprimet që lidhen me kërkesat për pagesë dhe rikthimet.
- Trajnimi dhe mbështetja e IRF-ve: Organizon dhe realizon trajnime për zyrtarët përgjegjës për rikthimet në IRF, lidhur me procedurat e paraqitjes dhe përpunimit të kërkesave për pagesë, kriteret e pranueshmërisë, dokumentacionin e nevojshëm, detyrimet pas pagesës së garancisë dhe procedurat për monitorimin dhe realizimin e rikthimeve.
- Vizitat në terren: Realizon vizita periodike në IRF dhe, sipas nevojës, te NMVM-të, me qëllim verifikimin e informacioneve përkatëse, shqyrtimin e rasteve specifike, vlerësimin e veprimeve të ndërmarra për rikthim dhe identifikimin e mundësive për përmirësimin e proceseve.
- Kryen detyra të tjera përkatëse të deleguara nga mbikëqyrësi, në përputhje me natyrën dhe përgjegjësitë e pozitës.
Kualifikimet
Specialisti për Kërkesat për Pagesë dhe Rikthimet duhet t’i plotësojë kërkesat e mëposhtme:
- Diplomë universitare në ekonomi, financë, administrim biznesi, drejtësi, bujqësi ose në një fushë tjetër përkatëse për detyrën;
- Së paku pesë (5) vjet përvojë pune përkatëse në huadhënie, mbledhjen e detyrimeve apo fusha të tjera të ndërlidhura me kreditimin;
- Përvoja e punës në sektorin bankar ose në fusha të ndërlidhura me sektorin financiar është e preferueshme.
Aftësitë dhe kompetencat që do të vlerësohen gjatë procesit të përzgjedhjes janë:
- Njohuri të mira të produkteve dhe operacioneve bankare;
- Aftësi të mira analitike dhe vendimmarrëse;
- Njohuri për procedurat e rikthimit të kredive, përmbarimit dhe realizimit të kolateralit;
- Aftësi për interpretimin e marrëveshjeve kreditore dhe dokumentacionit përkatës;
- Saktësi dhe vëmendje ndaj detajeve;
- Aftësi të mira komunikuese dhe aftësi për të punuar në grup.
Procesi i vlerësimit
- Procesi i vlerësimit të kandidatëve do të zhvillohet në tri faza:
- Vlerësimi i aplikacioneve për të verifikuar nëse plotësojnë kriteret minimale të përcaktuara në këtë përshkrim të pozitës (TOR);
- Kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë do t’i nënshtrohen një testimi me shkrim;
- Kandidatët që arrijnë pragun e kërkuar të pikëve në testimin me shkrim do të ftohen në intervistë dhe do të vlerësohen.
Kushtet e përgjithshme
Specialisti për Kërkesat për Pagesë dhe Rikthimet do të jetë pjesë e stafit të rregullt, sipas strukturës organizative të FKGK-së, dhe do të punojë në zyrat e FKGK-së në Prishtinë. Ai/ajo duhet të jetë i/e gatshëm/e të udhëtojë dhe të mbajë takime në mbarë vendin.
Specialistit për Kërkesat për Pagesë dhe Rikthimet do t’i ofrohet kontratë një (1)-vjeçare, me mundësi vazhdimi, bazuar në rezultate të kënaqshme të vlerësimit të performancës dhe në përputhje me politikat dhe standardet e brendshme institucionale të FKGK-së.
Specialisti për Kërkesat për Pagesë dhe Rikthimet do të përfitojë nga trajnime të specializuara, në përputhje me nevojat e FKGK-së.
Kontrata e punës përfshin pagë mujore konkurruese dhe përfitime nga paketa e sigurimit shëndetësor dhe të jetës.
Aplikimi
Kandidatët duhet të plotësojnë formularin e aplikimit online, të disponueshëm në https://fondikgk.org/careers, dhe të ngarkojnë dokumentet e mëposhtme:
- Curriculum Vitae (CV);
- Letër motivimi;
- Diploma, certifikata dhe dëshmi për trajnimet përkatëse.
Dorëzimi i aplikacionit:
Të gjitha aplikacionet duhet të dorëzohen ekskluzivisht përmes platformës online të rekrutimit në https://fondikgk.org/careers, brenda afatit të përcaktuar për aplikim.
Konkursi është i hapur deri më 03.11.2026, në orën 16:30.
Shënim
- Do të merren parasysh vetëm aplikacionet me dokumentacion të kompletuar.