1

Thirrje për Ofertë: Ofrimi i shërbimeve të dizajnimit, printimit dhe vendosjes së brendimit të minibusit (Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Prizren)

Ruaj
Down Syndrome Kosova
Follow
(LEXO MË SHUMË PËR KËTË KOMPANI)
Kategoria
Skadon
Orari
Lokacioni
	 	 

TERMAT E REFERENCËS (ToR)

Për ofrimin e shërbimeve të dizajnimit, printimit dhe vendosjes së brendimit të minibusit

Projekti: Nismë komunitare për gjithëpërfshirje sociale

Zbatuar nga: Shoqata Down Syndrome Kosova

Mbështetur nga: Bashkimi Evropian përmes Barabar Grassroot Network (BGN)

Lokacioni i implementimit: Mitrovicë e Jugut, Ferizaj dhe Prizren

Informatat e përgjithshme mbi Shoqatën

Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK), e themeluar nga  prindërit e fëmijëve me sindromën Down, prej vitesh është zëri më i fuqishëm dhe mbështetja kryesore për personat me sindromën Down dhe familjet e tyre në Kosovë. Me përkushtim, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë, Shoqata Down Syndrome Kosova ka udhëhequr përpjekjet për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të personave me sindromën Down, si dhe për përmirësimin e pozitës së të gjithë personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

Përmes iniciativave inovative dhe programeve me ndikim të drejtpërdrejtë, DSK ka arritur të adresojë nevoja thelbësore të komunitetit, duke u shndërruar në një model të organizimit, avokimit dhe ofrimit të shërbimeve cilësore në Kosovë. Këto iniciativa janë vlerësuar gjerësisht si të dobishme dhe me interes të përgjithshëm për qytetarët me aftësi të kufizuara.

Misioni

Promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me sindromë Down në Kosovë dhe familjarëve të tyre.  

Programet e Shoqatës Down Syndrome Kosova: 

  1. Programi për Avokim (PA)
  2. Programi për Intervenim dhe Edukim të Hershëm (PIEH)
  3. Programi për Autonomi dhe Aftësim Profesional (PAAP)
  4. Programi për Kulturë, Rekreacion dhe Sport (PKRS)

Objektiva e thirrjes

Shoqata Down Syndrome Kosova është duke zbatuar projektin "Nismë komunitare për gjithëpërfshirje sociale", i financuar nga Bashkimi Evropian përmes Barabar Grassroot Network (BGN).

Në kuadër të projektit do të realizohet brendimi i një minibusi i cili do të përdoret si platformë lëvizëse për sensibilizim dhe promovim të gjithëpërfshirjes sociale në komunat e Mitrovicës së Jugut, Ferizajt dhe Prizrenit. Brendimi do të përmbajë elemente grafike dhe mesazhe sensibilizuese që promovojnë diversitetin, barazinë dhe pjesëmarrjen aktive të personave me sindromë Down.

Qëllimi i angazhimit 

Të kontraktohet një operator ekonomik për ofrimin e shërbimeve të dizajnimit grafik, printimit dhe vendosjes së brendimit të minibusit, në përputhje me konceptin e projektit dhe kërkesat e Shoqatës Down Syndrome Kosova.

Përmbledhje e detyrave të punës

Operatori ekonomik do të jetë përgjegjës për:

  • Hartimin e konceptit grafik të brendimit.
  • Përgatitjen e dizajnit final në koordinim me DSK.
  • Përgatitjen e materialeve për print.
  • Printimin në materiale cilësore për automjete.
  • Vendosjen profesionale të folies në minibus.
  • Sigurimin që brendimi të mos dëmtojë sipërfaqen e minibusit.

Brendimi duhet:

  • të mbulojë sipërfaqet e dakorduara të autobusit; 
  • të realizohet me folie cilësore për automjete; 
  • të jetë rezistent ndaj kushteve atmosferike dhe rrezeve ultravjollcë
  • të ketë printim me rezolucion të lartë; 
  • të përfshijë logot dhe elementet e vizibilitetit sipas udhëzimeve të Bashkimit Evropian dhe DSK-së; 
  • të vendoset në mënyrë profesionale, pa dëmtuar sipërfaqen e minibusit.

Periudha e angazhimit

Angazhimi do të realizohet gjatë periudhës së implementimit të aktivitetit, sipas planit të projektit. Afatet për dizajnimin, printimin dhe vendosjen e brendimit të minibusit do të përcaktohen në kontratën e nënshkruar ndërmjet Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe operatorit ekonomik.

Koordinimi/përgjegjësia

Operatori ekonomik do të bashkëpunojë ngushtë me Menaxherin e Projektit dhe stafin përgjegjës të Shoqatës Down Syndrome Kosova gjatë gjithë procesit të realizimit të shërbimit, duke përfshirë dizajnimin, printimin dhe vendosjen e brendimit të minibusit.

Politika për mbrojtje të fëmijëve / Politika për mbrojtje nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual

Si kusht për të hyrë në marrëdhënie pune, operatori ekonomik duhet të nënshkruaj Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të respektojë termat dhe kushtet e saj. DSK, poashtu ka politikë të tolerancës zero ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual. Të gjithë punonjësit e DSK-ës dhe personeli i lidhur pritet të respektojnë standardet më të larta të sjelljes personale dhe profesionale në çdo kohë, dhe të ofrojnë ndihmë dhe shërbime humanitare në një mënyrë që respekton dhe nxit të drejtat e përfituesve dhe anëtarëve të tjerë të cenueshëm të komuniteteve lokale.

Dorëzimi i ofertave

Operatorët ekonomikë duhet të dorëzojnë:

  • Certifikatën e biznesit. 
  • Portofolin me punë të ngjashme. 
  • Përshkrimin teknik të materialeve dhe metodës së printimit dhe vendosjes së folies.
  • Propozimin grafik ose konceptin paraprak të brendimit të minibusit
  • Afatin e realizimit. 
  • Ofertën financiare.

Aplikacionet duhet të dorëzohen në formë elektronike në e-mail adresën: info@downsyndromekosova.org 

me subjektin; Aplikim për dizajnimin, printimin dhe vendosjen e brendimit të minibusit.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacionit është: 31 korrik 2026, ora 16:00.

Vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur në listën e ngushtë do të kontaktohen. Varësisht nga cilësia e ofertave të pranuara dhe numri i operatorëve ekonomikë të përzgjedhur në listën e ngushtë, Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK) mban të drejtën të kërkojë sqarime shtesë, prezantim të ofertës teknike ose dokumentacion plotësues. Në mungesë të ofertave të përshtatshme, DSK mban të drejtën të mos përzgjedhë asnjë nga operatorët ekonomikë aplikues.

Kjo thirrje shpallet në kuadër të projektit "Nismë komunitare për gjithëpërfshirje sociale", i cili zbatohet nga Shoqata Down Syndrome Kosova në kuadër të Barabar Grassroot Network (BGN) dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet