1
Doni një ambient pune ku ndiheni të motivuar? “Slice” i ka të hapura dyert për ty!

Doni një ambient pune ku ndiheni të motivuar? “Slice” i ka të hapura dyert për ty!

	 	 

Prishtina ka mirëpritur një emër të njohur ndërkombëtarisht, pasi “Slice” zyrtarisht hapi dyert në zemër të qytetit. Ky hap është një lajm i madh për tregun e punës në Kosovë, duke sjellur mundësi të shumta për të rinjtë, studentët dhe profesionistët e rinj. Me fokus të veçantë në zhvillimin e aftësive dhe krijimin e një ambienti pune mbështetës, “Slice” jo vetëm që synon të punësojë, por edhe të transformojë mënyrën se si të rinjtë kosovarë ndërtojnë karrierën e tyre. Duke ofruar pozita të ndryshme në departamentin e shërbimit ndaj klientit, IT dhe menaxhim, kompania sjell qasje ndërkombëtare dhe standarde të larta. Për më tepër, programet e trajnimit, benefitet konkurruese dhe angazhimi për një kulturë pune të barabartë dhe gjithëpërfshirëse premtojnë që “Slice” do të jetë më shumë se një vend pune - do të jetë një trampolinë drejt suksesit. KosovaJob ka realizuar një intervistë me Alban Osmanin – Drejtor i operimeve i “Slice” në Kosovë, i cili na shpjegon më shumë detaje për mundësitë e reja të punësimit!

KosovaJob: Urime për hapjen e “Slice” në Kosovë. Një brend i suksesshëm ndërkombëtarisht, tash në zemër të Prishtinës. Si mendoni se do të ndikojë ky hap në punësimin e të rinjve kosovarë dhe cilat janë profilet e personave që po kërkon “Slice”?

Alban Osmani: Faleminderit për urimet tuaja dhe për mundësinë për të ndarë këtë moment të rëndësishëm me ju. Hapja e Slice në Prishtinë është një mundësi e madhe për të rinjtë kosovarë, duke ofruar mundësi punësimi dhe zhvillimi profesional. Fokusi ynë është veçanërisht te të rinjtë, studentët dhe të gjithë ata që kanë aftësi të shkëlqyera komunikimi në anglisht dhe ata që kanë interes për shërbimin ndaj klientit. Ky hap do të kontribuojë në zhvillimin e brezit të ri por edhe të tregut të punës dhe mundësive të zhvillimit të karrierës në Kosovë.

KosovaJob: Cilat janë vendet kryesore të punës që do të ofrohen nga “Slice” në Kosovë?

Alban Osmani: Deri më tani, pjesa më e madhe e punonjësve tanë janë të angazhuar në departamentin e kujdesit ndaj klientit, një sektor që ka një rëndësi të madhe për ne. Përveç kësaj, kemi hapur pozita të tjera, përfshirë pozita menaxheriale dhe ato për IT, për të pasuruar ekipet tona me talente të reja dhe për të ofruar mundësi të tjera për punësim.

KosovaJob: Deri tash keni punësuar mbi 40 punonjës. Sa vende pune të tjera pritet të hapen dhe si do të ndikojnë ato në tregun e punës?

Alban Osmani: Siç e dini, plani ynë fillestar ka qenë hapja e 100 vendeve të punës. Aktualisht, jemi shumë afër realizimit të këtij objektivi dhe presim që në fillim të vitit të ardhshëm ta tejkalojmë këtë shifër. Aktualisht, Slice ka 60 punonjës në Prishtinë, dhe jemi gjithmonë në kërkim të talenteve të reja për ti pasuruar ekipet tona. Hapja e pozitave të reja do të kontribuojë në zhvillimin e tregut të punës në Kosovë, duke ofruar mundësi për punësim dhe përmirësimin dhe zhvillimin e aftësive profesionale të individëve.

KosovaJob: Cilat janë kualifikimet kryesore që kërkon “Slice” nga kandidatët e mundshëm për pozicionet e hapura?

Alban Osmani: Siç e dini, kualifikimet për pozitat ndryshojnë në varësi të rolit përkatës, por ajo që është thelbësore për çdo pozitë është njohja e shkëlqyer e gjuhës angleze, si në shkrim ashtu edhe në komunikim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne, pasi Slice është një kompani ndërkombëtare me fokus në tregun Amerikan.

KosovaJob: A ka plane për trajnime dhe zhvillim profesional për stafin e ri që do të punësohet?

Alban Osmani: Po, padyshim, Slice është i fokusuar në zhvillimin e kapaciteteve dhe ofron një program trajnimi të strukturuar dhe të mirëorganizuar për të gjithë punonjësit e rinj. Ky program është thelbësor për integrimin e punonjësve në kompaninë tonë dhe ofron mundësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional, si dhe përfitime për të gjithë ekipin.

KosovaJob: A do të ofrohen mundësi për punë me orar fleksibil ose punë në distancë për pozicionet e “Slice” në Kosovë?

Alban Osmani: Aktualisht, shumica e pozitave që ofrojmë janë onsite, me orare të ndryshme pune. Është e rëndësishme të theksohet se këto pozita kërkojnë një kujdes të lartë për konsumatorët, pasi punojmë në një treg amerikan, ku angazhimi për ofrimin e shërbimit cilësor ndaj klientëve ka prioritet të veçantë.

KosovaJob: Si do të sigurohet barazia dhe diversiteti në procesin e punësimit në “Slice”?

Alban Osmani: Slice është shpërblyer shumë herë për kulturën e saj të barazisë dhe diversitetit. Ne e besojmë fort në mundësitë e barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh gjininë, fenë, kombësinë, orientimin ose ndonjë karakteristikat tjetër. Çdo individ ka mundësinë të trajtohet me korrektësi dhe të shprehë plotësisht potencialin e tij brenda kompanisë.

KosovaJob: A ka plane specifike për të mbështetur rritjen profesionale të të rinjve brenda kompanisë?

Alban Osmani: Po, duke pasur parasysh që Slice në Kosovë është ende në fazën e rritjes, ne ofrojmë mundësi për zhvillim dhe avancim të stafit tonë. Aktualisht, kemi filluar përgatitjen dhe trajnimin e disa punonjësve për pozita të tjera, duke mundësuar kështu avancim brenda kompanisë dhe zhvillim profesional të vazhdueshëm.

KosovaJob: A pritet që “Slice” të ofrojë benefite dhe përfitime shtesë për punonjësit e saj në Kosovë?

Alban Osmani: Slice ofron benefite dhe përfitime të ndryshme për pozita të ndryshme, të cilat janë konkurruese me ato që ofrohen në tregun kosovar. Ne punojmë ngushtë me ekipet tona për të siguruar që benefitet të jenë të tilla që përmirësojnë mirëqenien e punonjësve dhe i motivon ata të qëndrojnë dhe rriten brenda kompanisë.

KosovaJob: Si do të siguroheni që punonjësit e “Slice” do të kenë një ambient pune pozitiv dhe mbështetës?

Alban Osmani: Siç e theksova më parë, Slice është e njohur globalisht për kulturën e saj pozitive dhe mbështetëse, e shpërblyer me shumë çmime, përfshirë "Best Place to Work" nga organizmat më kredibil. Edhe në Kosovë, kemi implementuar të njëjtën kulturë, duke organizuar shpesh aktivitete sociale dhe ngjarje brenda kompanisë që krijojnë një ambient pozitiv dhe motivues, duke siguruar një atmosferë të shkëlqyer pune për të gjithë punonjësit./ KosovaJob

Bëhuni pjesë e kësaj historie të suksesit!

Customer Experience Manager

Customer Experience Team Lead

Senior Customer Success Representative Onboarding & Resolution

IT Engineer

 

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet