Gjetja e një vendi të përshtatshëm pune apo edhe vetëpunësimi shpesh nuk është një proces i lehtë. Edhe në Kosovë, përfshirja në treg të punës shoqërohet me shumë vështirësi.
Duke i parë këto pengesa, projekti “Rritja e Punësimit për të Rinjtë” - (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që implementohet nga Helvetas dhe partneri lokal MDA, solli për herë të parë në Kosovë përvojat dhe idetë sesi të mbështetën të rinjtë vetëkrijues por edhe shkollat profesionale në përgatitjen e të rinjve për profesionet të cilat janë në kërkesë. Krejt kjo, për të ndikuar në identifikimin e potencialit vetëpunësues si dhe tek të rinjtë të cilët kanë aftësi në profesione të caktuara, të duhura për tregun e punës të ditëve të sotme.
Projekti EYE ka për synim të përkrahë ofruesit e trajnimeve në zhvillimin e shkathtësive të punëtorëve, ku si rrjedhojë, kjo mbështetje e fuqisë punëtore të ndikojë dukshëm në fuqizimin e sektorit privat. Pra, duke mbuluar në masë të duhur sektorin privat me fuqi punëtore të kualifikuar por edhe përmes mbështjetjes së ndërmarrjeve të reja, të cilat dukshëm ndikojnë në uljen e papunësisë në vend.
Përmes aktiviteteve të projektit EYE, 4794 të rinjë kanë përfituar nga trajnimet, 1009 të rinjë kanë përfituar nga ndërmjetësimi në punësim dhe 350 vende të reja të punës janë krijuar për rininë e Kosovës.
Pos kësaj, ky projekt vazhdimisht përkrahë edhe grupet e margjinalizura. Këtu vlen të theksohet se qindra persona nga këto grupe kanë marrë mbështetje nga ky projekt.
“Në dy vitet e fundit, nga grupet e margjinalizuara, 300 persona kanë përfituar nga trajnimet e përkrahura nga projekti EYE, 70 janë punësuar dhe janë realizuar 300 ndërmjetësime në punësim. Ndërkaq, po në dy vitet e fundit, projekti EYE ka ndihmuar në krijimin e gjithsej 350 vendeve të punës për të rinjtë e Kosovës.”, shpjegoi për KosovaJob Vlora Kastrati, zyrtare për Monitorim dhe Matje të Rezultateve në EYE.
Një dukuri që vazhdon të jetë prezente në Kosovë është papunësia. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia te të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë. “Në tremujorin e dytë të vitit 2019, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 49.1 % ishin të papunë”, thuhet ndër të tjerash në raport.
Sipas përfaqësuesve të projektit, disa nga faktorët që ndikojnë në papunësi janë: mungesa e informatave për vendet e lira të punës, ekonomia e paqëndrueshme, mosgatishmëria e sektorit privat për të publikuar vendet e reja të punës, etj. Ajo që iu mungon të rinjve për t’u punësuar, sipas tyre janë: mungesa e përgatitjes nga institucionet arsimore në përputhje me kërkesat e tregut, shërbimet e orientimit në karrierë dhe shkathtësitë e buta.
E njëra prej arsyeve pse shfaqet ky problem konsiderohet mungesa e bashkëpunimit në mes të insitucioneve të edukimit dhe sektorit privat. Duke e parë edhe këtë problematikë, EYE vazhdimisht punon nga afër edhe me shkollat profesionale, që të rinjtë të orientohet drejt profesioneve të cilat ua mundësojnë një përfshirje më të shpejtë në treg të punës.
EYE është një projekt i cili i përshtatet dinamikave që zhvillohen në treg. Ky projekt synon të krijojë një ambient të favorshëm, si për bizneset ashtu edhe për të rinjtë që jetojnë në Kosovë, dhe një treg dinamik të punës të ofrojë më shumë vende pune, duke përfshirë vetëpunësimin në mënyrë gjithpërfshirëse për të gjithë të rinjtë e Kosovës.
Këto të dhëna janë nxjerrë në fazën e dytë të projektit EYE, në periudhën prej 1 janar 2017 deri me 30 qershor 2019.