Çka ndodhë nëse nuk shfaqeni në intervista të punës?

Çka ndodhë nëse nuk shfaqeni në intervista të punës?

	 	 

Ftesa për intervistë është padyshim një hap shumë i rëndësishëm për të fituar vendin e punës ku keni aplikuar. Kjo nënkupton që kompanisë i ka pëlqyer aplikacioni juaj dhe gjasat që ju të bëheni pjesë e asaj kompanie janë shumë të mëdha. Mirëpo, nganjëherë në përiudhen mes aplikimit dhe ftesës për intervistë, dëshira juaj për t’u bërë pjesë e kompanisë mund të ketë ndryshuar.  

Sipas një studimi të CV-Library, një në dhjetë profesionistë në Britani të madhe e kanë pranuar që nuk janë shfaqur në intervista të punës. I njejti studim zbuloi gjithashtu se 34% e kandidatëve nuk u shfaqën në intervista sepse nuk e donin punën më, ndërkaq 22% prisnin të paktën edhe një konfirmim emaili ose kishin harruar fare të shkonin.

Mos shkuarja në intervista të punës pa ndonjë paralajmërim mund të ketë pasoja të mëdha në punësimin tuaj.

  1. Do të futeni në listën e zezë (blacklist) të kompanisë

Listat e zeza të kompanive vërtetë ekzistojnë, sidomos tek kompanitë e rekrutimit. Nëse keni aplikuar për punë dhe nuk jeni shfaqur në intervistë, atëherë gjasat që rekruterët t’iu fusin në listën e zezë janë shumë të mëdha. Kjo nuk përbën shumë dallim edhe po aplikuat direkt tek një punëdhënës, ngase në të ardhmen mund të keni dëshirë te aplikoni tek e njejta kompani për një pozitë tjetër.

Mos shkuarja juaj në intervistë mund t’i zhgënjejë personat të cilët ju kanë besuar si dhe rekruterët që kanë vendosur t’iu sjellin përballë klientit të tyre. Gjithashtu, kjo do t'iu bëjë të dukeni edhe shumë jo profesional.

  1. Do të prishni urat me kompanitë

Një tjetër pasojë e mos shfaqjes tuaj në intervistë është se ju do të prishni urat që do të mund të ndërtonit me kompanitë në rast se do të ishit prezent.  Sigurisht, kompania ose pozita e punës mund të mos kenë qenë të përshtatshme në atë kohë por kjo nuk nënkupton se do të jenë edhe në vitet e ardhshme. Ruajtja e imazhit profesional mund t'ju sjellë shumë dobi, pasi që rekrutuesi ose punëdhënësi mund t'iu ndihmojnë të gjeni një rol tjetër në të ardhmen, sidomos kur flitet për kompanitë e rekrutimit.

Rastet e mos shkuarjes në intervista të punës janë shumë të shpeshta edhe në Kosovë. Rekruterja nga kompania e rekrutimit Humanpower, Zanë Havolli, në një intervistë për KosovaJob thotë se kandidatët të cilët nuk shfaqen në intervista të punës dhe nuk lajmërojnë, hyjnë direkt në listë të zezë.

Kur një kandidat nuk shfaqet në intervistë të punës si dhe nuk na lajmëron neve si kompani, atëherë ai futet direkt në listë të zezë. Në rast se i njejti aplikon për një pozitë të re të punës, atëherë kompania merr njoftimin se ky kandidat ka qenë njëherë në listë të zezë dhe pastaj mund të mos merret në shqyrtim fare”, ka thënë ajo.

Ajo tha se kandidatët hyjnë në listë te zezë edhe nëse nuk shfaqin interes për punën e sidomos nëse janë arrogantë gjatë intervistimit.

Ndërkaq, Minire Sadriu, menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë Albi Group, po ashtu ka thënë se kandidatët të cilët nuk shkojnë në intervistë e nuk lajmërojnë, humbin shancën për t’u ftuar përsëri për ndonjë intervistë në të ardhmen.

“Ne i kemi të gjitha evidencat, me data, me orë, për të gjithë kandidatët. Ata të cilët nuk kanë ardhë në intervista të punës dhe nuk na kanë lajmëruar, nuk thirren më asnjëherë për intervistë. Ndërsa, sa u përket kandidatëve të cilët na japin një arsye valide, ata emra i lemë të hapur ose i kalojmë në rundin e dytë të intervistave” theksoi Sadriu.

Si të shpëtojmë nga “lista e zezë” e kompanive?

Mos shkuarja në intervistë mund t’iu shoqërojë me pasoja në të ardhmen sidomos nëse jetoni në një qytet të vogël ose ne ndonjë zonë ku ka një mungesë të kompanive që veprojnë. Që të mos humbisni shancat për t’iu bashkuar kompanisë ndonjëherë tjetër, ju duhet të keni parasysh mënyrën se si refuzoni të shkoni në intervistë. KosovaJob, ju sjellë disa këshilla që mund t’i ndiqni, në mënyrë që emri juaj të mos mbetet në listën e zezë të kompanive.

  • Tregoni me mirësjellje nëse pozita e punës ose orari nuk është i përshtatshëm për ju në atë periudhë.
  • Lajmëroni në rast se keni pasur ndonjë urgjencë.
  • Tregoni rekruterëve nëse keni pranuar një ofertë tjetër të punës e cila ju është përshtatur më shumë. 

TAGS: KosovaJobArtikulli i JavesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC