Petar Boshkoski, Menaxher i Shitjes në Coca-Cola HBC Kosova, sjell një përvojë të pasur ndërkombëtare dhe një vizion të qartë për zhvillimin e tregut kosovar. Pas një karriere të suksesshme në Maqedoninë e Veriut, ai ka zgjedhur Kosovën si destinacionin e radhës për t’iu bashkuar nje ekipi te fort dhe per te kontribuar edhe me tej në forcimin e pranisë së kompanisë në rajon. Në këtë intervistë, ai ndan përvojën e tij personale dhe profesionale, sfidat e integrimit në një kompani globale, rëndësinë e përshtatjes së standardeve ndërkombëtare me realitetin lokal, si dhe përkushtimin e Coca-Cola HBC ndaj qëndrueshmërisë, zhvillimit të të rinjve dhe partneritetit me komunitetin.
KosovaJob: Pas një karriere të suksesshme në Maqedoninë e Veriut, çfarë ju motivoi të merrnit sfidën profesionale për ta vazhduar rrugëtimin tuaj në Kosovë, dhe si iu qasët integrimit në një organizatë si Coca-Cola HBC Kosova?
Petar Boshkoski: Marrja e përgjegjësisë për të udhëhequr ekipin e Coca-Cola HBC Kosova më dha ndjesinë e rikthimit në shtëpi, për dy arsye kryesore. E para, sepse udhëtimin tim profesional e kam nisur në Birra e Shkupit, pjesë e sistemit të Coca-Cola-s, ku kalova gati dhjetë vjet duke ndërtuar karrierën time. Pas një periudhe të kaluar në kompani ndërkombëtare jashtë këtij sistemi, vitin e kaluar u ndjeva sinqerisht i lumtur të rikthehem dhe të bëhem sërish pjesë e kësaj organizate të jashtëzakonshme.
Arsyeja e dytë është mikpritja e ngrohtë dhe e sinqertë që mora nga kolegët e mi në Kosovë. Kjo, për mua, është “magjia e vërtetë”, siç na pëlqen ta themi, tek Coca-Cola HBC. Edhe pse Coca Cola HBC është një kompani ndërkombëtare që operon në 29 tregje, ajo krijon mundësi që njerëzit të shfrytëzojnë potencialin e tyre maksimal, të eksplorojnë drejtime të reja dhe të kontribuojnë në rritje e kompanisë në mënyrë domethënëse. Kjo kulturë unike nxit ndjenjën e përkatësisë dhe bindjen se, së bashku si ekip, mund të arrijmë gjëra të jashtëzakonshme.
Duke qenë se kam mbajtur pozita kyçe në veprimtari komerciale, sjell një ekspertizë të fuqishme në planifikim dhe pozicionim strategjik të kategorive të ndryshme të produkteve në treg, nga pijet freskuese, birra, pijet energjike dhe produktet e qumështit, deri te produktet inovatore në industri të tjera. U bashkova me një ekip profesionistësh të përkushtuar që ofrojnë një portofol të larmishëm të disa prej brendeve më të njohura të pijeve, përmes një kompanie që tashmë për më shumë se 20 vjet ka qenë një partner i besueshëm i komunitetit Kosovar.
KosovaJob: Coca-Cola HBC në Kosovë arrin ta ndërthurë fuqinë e një brendi global me ndikim domethënës lokal. Si arrini të përshtatni standardet globale me nevojat specifike të tregut tonë?
Petar Boshkoski: Balancimi i standardeve globale me nevojat lokale për ne është diçka e natyrshme. Si pjesë e një sistemi ndërkombëtar, ne sjellim në treg disa prej brendeve më të njohura të pijeve në botë, duke ofruar cilësi, qëndrueshmëri dhe inovacion. Njëkohësisht, jemi thellësisht të përkushtuar të investojmë në komunitetin ku operojmë që e quajmë shtëpi të dytë. Që nga hapja e zyrës sonë në Prishtinë në vitin 2003, kemi punësuar mbi 100 punonjës lokalë dhe për më shumë se dy dekada kemi kontribuar në mënyrë aktive në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës na bëjnë krenarë, ndaj investojmë me përkushtim në ta duke ofruar trajnim falas përmes programit tonë për fuqizimin e të rinjve “Youth Empowered”. Qëllimi ynë është t’i mbështesim në zhvillimin e tyre profesional dhe t’i përgatisim më mirë për sfidat e tregut të punës. Vetëm nga viti 2018, përmes këtij programi kemi arritur të trajnojmë mbi 5,000 persona. Njohja si nismëtarë të ekonomisë qarkore në vitin 2024 nga Oda Ekonomike e Kosovës ishte një dëshmi e fortë e përkushtimit tonë ndaj agjendës së gjelbër. Përmes iniciativave komplekse, si Sistemi i Kthimit të Ambalazheve, kemi punuar me krenari me qeverinë e Kosovës për të ngritur këtë skemë dhe për të përshpejtuar agjendën e menaxhimit të mbetjeve të ambalazhit. Duke aplikuar zotimet tona globale, qoftë në qëndrueshmëri, inovacion apo përfshirje në komunitet, dhe duke i përshtatur me realitetin e Kosovës, sigurojmë që ndikimi ynë të jetë njëkohësisht i harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe domethënës në nivel lokal. Kjo qasje na mundëson të mbetemi partner i besueshëm i komunitetit, duke përmbushur në të njëjtën kohë standardet e larta të një lideri të vërtetë të industrisë.
KosovaJob: Keni pasur nderin të përfaqësoni Coca-Cola HBC Kosova kur kompania mori çmimin “US–Kosovo Partnership 2025”. Çfarë ka nënkuptuar ai moment për ju personalisht dhe profesionalisht?
Petar Boshkoski: Marrja e çmimit “US–Kosovo Partnership 2025” në emër të Coca-Cola HBC Kosova ishte një moment veçanërisht domethënës për mua. Kjo është hera e tretë që kompania jonë e merr këtë çmim, gjë e cila aprovon lidershipin tonë në importin e brendeve amerikane të dashura në Kosovë, shkëlqesinë tonë operacionale dhe kontributin tonë në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Çmimi u nda gjatë një organizimi të nivelit të lartë nga AmCham në Prishtinë, dhe të jesh i vlerësuar në një ambient të tillë vetëm se e përforcon rëndësinë e punës sonë lokale dhe ndikimin e marrëdhënieve të forta ekonomike. Personalisht, ndjeva një krenari të jashtëzakonshme për ekipin tonë, sepse përkushtimi dhe puna e tyre e palodhshme e bënë të mundur këtë arritje.
KosovaJob: CCHBC ka krijuar një portofol të vazhdueshëm “24/7”, të dizajnuar për t’iu përgjigjur dinamikës së nevojave dhe shprehive të konsumatorëve në çdo moment dhe situatë. Si i shihni sjelljet e konsumatorëve në Kosovë dhe si ndikon kjo në strategjinë tuaj të portofolit në nivel lokal?
Petar Boshkoski: Në Kosovë, ashtu si në shumë tregje të tjera, po shohim një ndryshim të qartë në shprehitë e konsumatorëve, me një kërkesë gjithnjë në rritje për opsione të përshtatshme për konsum “në lëvizje”. Konsumatorët e sotëm, veçanërisht gjeneratat e reja, nuk zgjedhin vetëm produkte, por marrin parasysh edhe vlerat, reputacionin dhe përpjekjet për qëndrueshmëri të kompanive që qëndrojnë zgjidhjeve të tyre të konsumit. Kjo është arsyeja pse unë besoj se Coca-Cola HBC, si lider në industrinë e pijeve dhe në iniciativat për qëndrueshmëri, është e pozicionuar në mënyrë ideale për të përmbushur këto pritshmëri. Pijet tradicionale si Coca-Cola, Fanta dhe Schweppes mbeten ndër më të preferuarat në familje, në HoReCa dhe tregun me pakicë, duke reflektuar praninë e tyre të fortë në jetën e përditshme. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të sjellim risi që përputhen me shijet në ndryshim dhe krijojnë mundësi për eksperienca të reja. Lançimet e fundit, si Coca-Cola Lime (me shije limoni të gjelbër) dhe Fanta Grape (me shije rrushi), u ofrojnë konsumatorëve opsione të reja, duke ruajtur njëkohësisht shijet e njohura. Kemi vërejtur gjithashtu një interes në rritje për opsionet me “zero sheqer”, gjë që udhëzon mënyrën se si duhet të formësojmë portofolin tonë dhe si i përgjigjemi preferencave që po ndryshojnë. Duke shfrytëzuar portofolin tonë “24/7”, ne mund të ofrojmë një gamë të gjerë pijesh për çdo orë dhe për çdo rast, duke u siguruar që i përgjigjemi nevojave të klientëve dhe konsumatorëve tanë 24/7
Petar Boshkoski: Nga përvoja juaj, cili është çelësi për të balancuar objektivat e shitjes me ndërtimin e një kulture pozitive pune?
Çelësi është krijimi i një harmonie mes objektivave të performancës dhe një kulture që vlerëson vërtet njerëzit. Gjithçka nis me vendosjen e objektivave të qarta dhe realiste, si dhe sigurimin që ekipi të ketë mjetet, trajnimin dhe mbështetjen e nevojshme për të pasur sukses. I kushtoj rëndësi të madhe komunikimit të hapur, në mënyrë që pritshmëritë të jenë transparente, feedback-u të jetë i dyanshëm dhe sfidat të adresohen në mënyrë konstruktive. Njohja dhe festimi i arritjeve, qofshin ato individuale apo të ekipit, të mëdha ose të vogla, e mban lart moralin dhe forcon ndjenjën e suksesit të përbashkët. Kur njerëzit ndihen të vlerësuar, të mbështetur dhe pjesë e një misioni të përbashkët, ata janë shumë më të motivuar jo vetëm t’i përmbushin, por edhe t’i tejkalojnë objektivat, gjë që i shërben njëkohësisht biznesit dhe kulturës së punës. Në Kosovë, ekipi ynë i shitjes viziton mbi 8,000 klientë në treg me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata njihen jo vetëm për ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe të bazuara në besim, për edhe për kuptimin në thellësi të nevojave të klientëve dhe ofrimin e zgjidhjeve që sjellin vlerë të mirëfilltë. Çdo ndërveprim është një mundësi për të forcuar brendin tonë dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme, e pikërisht aty performanca dhe kultura bashkohen në mënyrën më të fuqishme.
Coca-Cola HBC njihet për investimin e saj të fortë në zhvillimin profesional të të rinjve dhe për mbështetjen e tyre në hapat e parë të karrierës. A tregojnë të rinjtë në Kosovë interes për të ndërtuar karrierën e tyre brenda sistemeve shumëkombëshe të mëdha?
Petar Boshkoski: Coca-Cola HBC është e njohur për investimin e saj të fuqishëm në zhvillimin profesional të të rinjve, duke i mbështetur ata në hapat e parë të karrierës. Shumë nga iniciativat tona globale janë aktive edhe në Kosovë, si programi për fuqizimin e të rinjve “Youth Empowered”, i cili po ofrohet në Kosovë tashmë prej tetë vitesh. Qëllimi është i qartë, fuqizimi i të rinjve në hapat e parë të karrierës së tyre..
Tregu i punës po ndryshon me hapa shumë të shpejtë, aftësitë praktike, edukimi joformal dhe përvoja praktike shpesh bëjnë gjithë diferencën për kandidatët. Duke i njohur sfidat me të cilat përballen të rinjtë, ne synojmë të jemi një burim i besueshëm njohurish dhe aftësish që i përgatisin ata për sukses në karrierë. Vetëm në Kosovë, përmes këtij programi kemi fuqizuar mbi 5,000 të rinj, ndërsa në nivel grupi ky numër ka kaluar shifrën mbresëlënëse prej 1.1 milionë.
Në nivelin lokal, kemi gjithashtu një partneritet të fuqishëm me UBT-në, të cilin e nisëm vitin e kaluar. Dhjetë studentë kaluan fillimisht në programin tonë të praktikës, dhe këtë vit kemi edhe dhjetë praktikantë të tjerë. Ky bashkëpunim u ofron studentëve mundësinë për të fituar përvojë në departamente të ndryshme të Coca-Cola HBC Kosova, përfshirë shitjen, logjistikën, financat, burimet njerëzore, marketingun dhe marrëdhëniet me publikun.
Përmes iniciativave të tilla, shohim se të rinjtë në Kosovë janë me të vërtetë të interesuar për të ndërtuar karrierë brenda sistemeve të mëdha shumëkombëshe, pasi ata kërkojnë njëkohësisht zhvillim profesional dhe eksperienca domethënëse në mësim.
KosovaJob: Çfarë ju pëlqen më së shumti në punën tuaj në Prishtinë?
Petar Boshkoski: Jam vërtet i impresionuar nga atmosfera unike që ka Prishtina, numri i madh i të rinjve, energjia, sa me mendje të hapur janë dhe entuziazmi i tyre. Është frymëzuese të shohësh kaq shumë ndërmarrës të rinj, të guximshëm e vizionarë, që po ndërtojnë biznese jo vetëm në nivel lokal, por po konkurrojnë me sukses edhe në tregjet globale.
Përtej aspektit profesional, e shijoj shumë edhe skenën e ushqimit në qytet, me restorantet e shumta dhe të shkëlqyera, si dhe atë që mund ta quajmë “pushimi i famshëm i drekës” – një veçanti krejtësisht kosovare së fundmi, për shembull, kalova shumë mirë në Sunny Hill Festival, i cili pasqyron në mënyrë të jashtëzakonshme shpirtin e gjallë të qytetit. Në planin personal, mezi pres të shkoj së shpejti në shtigjet e Gërmisë dhe të shoh qytetin nga një këndvështrim krejtësisht i ri.
KosovaJob: Cila është këshilla më e vlefshme që do t’u jepnit të rinjve profesionistë që ëndërrojnë të ndërtojnë karrierë në kompani globale pa e lënë rajonin?
Petar Boshkoski: Nuk e mohoj që ekzistojnë arsye të forta që qëndrojnë prapa prirjes aktuale të të rinjve për të kërkuar mundësi jashtë vendit, por besoj se shumë prej tyre janë të kapur në një “kurth perceptimi shoqëror” – idenë se nëse nuk shkon jashtë, disi je një “humbës”. Ndryshimi i këtij mentaliteti kërkon përpjekje të përbashkët nga të gjitha palët, nga institucionet, sektori publik, bizneset private, prindërit dhe, sigurisht, vetë të rinjtë.
Këshilla ime për profesionistët e rinj është: merrni përgjegjësinë për të ardhmen tuaj. Jini kureshtarë, eksploroni çdo mundësi që ekziston në nivelin lokal dhe sfidoni veten për të ecur përpara brenda komunitetit tuaj. Karrierat globale nuk përcaktohen nga kodi postar; ato ndërtohen përmes aftësive, mentalitetit dhe reziliencës, dhe Coca Cola HBC është një shembull i gjallë që këto mundësi mund të fillojnë nga zhvilimi lokal. Nëse fokusoheni për të qenë të shkëlqyer aty ku jeni, mund të arrini dhe tejkaloni ambiciet tuaja, të siguroni një të ardhme të ndritur dhe të ndieni krenarinë që po kontribuoni në përparimin e shoqërisë suaj. / KosovaJob