Ministria e Financave e Republikës së Kosovës ka filluar pilotimin e reformës së Skemës së Asistencës Sociale (SAS) me synimin të ndihmojë përfituesit e kësaj skeme të integrohen në tregun e punës dhe të jenë të pavarur nga skema e asistencës sociale. Kjo reformë përqendrohet në ofrimin e mundësive konkrete për punësim dhe zhvillim profesional për individët që janë të aftë për punë, duke e zhvendosur asistencën sociale nga një formë e ndihmës së përhershme drejt një procesi të fuqizimit dhe integrimit në tregun e punës.
Subvencionimi i pagës si stimulim për punësim
Për të inkurajuar punësimin e përfituesve të SAS-it, shteti ofron subvencione për punëdhënësit që mund të jenë bizneset apo organizatat jo-qeveritare. Subvencioni mbulon deri në 70% të pagës (deri në 350 euro në muaj për 6 muaj) dhe, në rast se punësimi vazhdon edhe për 6 muaj të tjerë, ofrohet mbështetje shtesë.
Ky përfitim u dedikohet personave të moshës 18-64 vjeç që janë të papunë për të paktën 3 muaj, të regjistruar në Agjencinë e Republikës së Kosovës (APRK) dhe që vlerësohen si të gatshëm për punë..
Procesi përfshin aplikimin e punëdhënësit nëpërmjet APRK-së, propozimin e kandidatëve nga këshilltari i punësimit, intervistimin e tyre dhe nënshkrimin e marrëveshjes tripalëshe. Brenda pesë ditëve, nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit për të formalizuar bashkëpunimin.
Qëllimi i reformës
Reforma e SAS-it i ka dy objektiva të qarta: të mbështesë financiarisht familjet më të varfra dhe të ndihmojë anëtarët e aftë për punë të këtyre familjeve të gjejnë një vend pune dhe të largohen gradualisht nga varësia ndaj ndihmës sociale. Për ta arritur këtë, janë paraparë dy masa kryesore: subvencionimi i pagës për punëdhënësit dhe ofrimi i trajnimeve profesionale për përfituesit e SAS-it.
Si realizohet aktivizimi në tregun e punës?
Procesi fillon me regjistrimin në Zyrën e Punësimit në komunën përkatëse. Çdo përfitues i SAS-it që është i aftë për punë dhe në moshën 18-64 vjeç duhet të paraqitet te këshilltari i punësimit, i cili ofron informata, ndihmon në hartimin e Planit Individual të Punësimit dhe orienton individin drejt punësimit apo trajnimeve të përshtatshme. Ky takim është i obligueshëm dhe mungesa e pajustifikuar në dy raste mund të rezultojë në rekomandim për ndërprerje të përfitimeve.
Disa kategori përjashtohen nga detyrimi për t’u regjistruar si të aftë për punë, përfshirë prindërit e vetëm me fëmijë nën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, studentët deri në moshën 26 vjeç dhe gratë shtatzëna ose në pushim lehonie.
Çfarë është Plani Individual i Punësimit?
Plani Individual i Punësimit (PIP) është një dokument që përmbledh të dhënat personale, arsimin, përvojën dhe aftësitë e individit, si dhe përcakton mënyrat më të përshtatshme për ndërmjetësim në tregun e punës. Ai shërben si një udhërrëfyes praktik për bashkëpunimin ndërmjet punëkërkuesit dhe këshilltarit të punësimit.
Trajnimet si rrugë drejt zhvillimit profesional
Për të rritur aftësinë konkurruese të përfituesve të SAS-it, reforma ofron trajnime profesionale në Qendrat për Aftësim Profesional (QAP) dhe nga ofrues të tjerë jopublikë (OJQ apo biznese). Kohëzgjatja e trajnimeve varion nga dy deri në gjashtë muaj dhe përfituesit marrin mbështetje për shpenzimet ditore të transportit dhe ushqimit deri në 10 euro në ditë.
Përmes Skemës së Kuponëve për Trajnime, përfituesit mund të ndjekin kurse të financuara me kuponë që mbulojnë vlerën dhe qëllimin e trajnimit. Ofruesit jopublikë mund të përfitojnë edhe incentive shtesë deri në 200 euro për individ nëse arrijnë të ndihmojnë në punësimin e përfituesve.
Fushat prioritare të trajnimit
Fushat kryesore ku ofrohen trajnime përfshijnë teknologjinë informative, dizajnin grafik, gjuhët e huaja, gastronominë, rrobaqepësinë, estetikën, frizerinë, mekanikën, riparimet teknike, instalimet, hidraulikën, ndërtimtarinë, kontabilitetin, mikpritjen dhe turizmin. Këto trajnime janë të ndërtuara sipas kërkesave të tregut të punës dhe kanë për qëllim rritjen e punësimit apo vetëpunësimit.
Roli i Qendrave për Aftësim Profesional
QAP-të janë të pranishme në të gjitha rajonet e vendit dhe ofrojnë trajnime në fusha të ndryshme me mundësi konkrete për punësim pas përfundimit të kursit. Ato bashkëpunojnë ngushtë me bizneset lokale për të siguruar që trajnimet të jenë të përshtatura me nevojat reale të tregut të punës.
Përfundim
Reforma e Skemës së Asistencës Sociale nuk është vetëm një ndihmë financiare por është mundësi reale për ndryshim. Duke orientuar përfituesit drejt zhvillimit të aftësive dhe përfshirjes në tregun e punës, kjo nismë hap rrugën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe dinjitoze për përfituesit e asistencës sociale../KosovaJob