Këtë të premte, KosovaJob dhe Aktiviteti për zhvillimin e fuqisë punëtore përmes sektorit privat, i cili financohet nga USAID dhe implementohet nga IREX kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Në bazë të kësaj marrëveshje, platforma #1 e punësimit në vend – KosovaJob do ta mbështesë këtë të projekt me të dhëna për trendet e punësimit që përfshin sektorët: TIK, Agrobiznes dhe Përpunim të Drurit dhe Energji. Nga KosovaJob janë shprehur të lumtur që këto të dhëna do të ndihmojnë sektorin privat për të arritur vendimet e duhura sa i përket fuqisë punëtore.
“Ne jemi të lumtur që KosovaJob edhe një herë vlerësohet si burimi më i saktë për informacion në lidhje me tregun e punës në Kosovë. Në këtë kohë, kur ekonomia e Kosovës pritet të përballet me një pasiguri të madhe që vjen drejtpërdrejt nga procesi i liberalizimit të vizave, besojmë se ky projekt do t'i ndihmojë kompanitë që të marrin vendime edhe më të informuara për punësim dhe të krijojnë plane strategjike për zhvillim. Besoj se ky bashkëpunim thekson përkushtimin e të dyja organizatave për të mbështetur bizneset në drejtimin e sfidave dhe nxitjen e një fuqie punëtore fleksibile në Kosovë”, është shprehur Drejtori Operativ në KosovaJob, Aleksandër Kochovski.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon fillimin e një pune të rëndësishme të Aktivitetit të USAID për zhvillimin e fuqisë punëtore përmes sektorit privat, për ofrimin e të dhënave të hapura rreth kërkesës dhe ofertës në tregun e punës në sektorët e TIK-ut, agrobiznesit, përpunimit të drurit, dhe energjisë. Bashkëpunimi me KosovaJob kontribuon në përkrahjen e kësaj iniciative me pasurimin e të dhënave për fuqi punëtore në këta sektorë”, është shprehuar udhëheqësja e këtij projekti, Valmira Haxhaj Gushlla.
Ky projekt ka vlerësuar nevojën e një platforme digjitale për sektorin privat që prezanton një realitet sa më të përafërt të fuqisë punëtore për këta tre sektorë. Prandaj ky projekt po synon të ndërtojë një platformë e cila duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe ku do të përfshihen të dhëna nga burimet publike (ATK, ASK, MASHTI, MINT, APRK, ARBK etj.) dhe nga ato private rreth kërkesës dhe ofertës për punësim, ku platforma KosovaJob është parë si një burim i besueshëm për t’i shpërndarë këto të dhëna.
Në mbështetje të objektivit zhvillimor të Misionit të USAID-it për të rritur kontributin e qytetarëve në demokraci dhe ekonomi duke harmonizuar shkathtësitë e të rinjve me nevojat e tregut, Aktiviteti për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore përmes Sektorit Privat në Kosovë, synon të shfrytëzojë udhëheqjen e sektorit privat për të ndërtuar modele të qëndrueshme dhe inovative për zhvillimin e fuqisë punëtore të Kosovës. Gjatë pesë viteve (2022-2027), Aktiviteti do të trajtojë kufizimet dhe mundësitë e sistemit për të fuqizuar tri aspekte: kërkesën, ofertën, dhe përmirësimin e mjedisit për t’i zhvilluar shkathtësitë e nevojshme tek të rinjtë për tregun e punës.
KosovaJob, e cila e ka primatin në punësim edhe më herët ka mbështetur shumë organizata me të dhënat e tyre qoftë për zhvillim të raporteve dhe studimeve dhe në projekte të tyre.