KosovaJob javën e kaluar ka lansuar produktin më të ri të integrimit të Inteligjencës Artificiale me të cilin synon ta lehtësojë mënyrën e punësimit për punëkërkuesit dhe punëdhënësit. Arion Rizaj – Udhëheqës dhe themeluesi i platformës #1 të punësimit në vend, KosovaJob sot ka qenë i ftuar në RTK për të diskutuar mbi këtë proces të ri të punësimit dhe peizazhin e përgjithshëm të ndikimit të AI në punësim.
“Gjithmonë e them që disa procese që kanë marr shumë kohë mund të thjeshtësohen. Disa aspekte edhe për punëdhënës edhe për punëkërkues që kanë marrë kohë jemi munduar t’i thjeshtësojmë nëpërmjet AI”, ka thënë Arioni në fillim të intervistës në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”.
Ai ka treguar se numri i konkurseve të punës në KosovaJob po shkon duke u rritur dhe kjo jo vetëm në kryeqendër të Kosovës, por që tashmë edhe kompanitë nga vende të ndryshme po i besojnë kësaj platforme për të gjetur punonjësit e duhur.
“Gjashtë-shtatë muajt e fundit është një fluks i madh edhe i konkurseve të punës që vijnë në KosovaJob – cfarë mund të them është se në KosovaJob shumica e konkurseve kanë qenë në Prishtinë dhe përreth, për herë të parë sivjet mundemi me pa një numër të konkurseve që po vijnë prej qyteteve të tjera. Kur ka mungesë edhe sfidë për më punësu, kompanitë mendojnë cila është alternativa më e shpejt që të vijnë deri te punëtorët”, ka treguar ai.
Pikërisht me produktin e ri, KosovaJob synon ta përshpejtojë edhe më shumë gjetjen e punonjësve të duhur për kompanitë por edhe për punëkërkuesit për të qenë një hap me zhvillimet dhe konkurset e kompanive ku ata synojnë të aplikojnë. Arioni ka shpjeguar më në detaje efektin që do të ketë integrimi i AI brenda KosovaJob.
“Në Kosovë gjithmonë e dimë që një nga sfidat ka qenë filtrimi i kandidatëve. Nëse në një kompani kanë aplikuar 150 persona, filtrimi i këtyre kandidatëve gjithmonë merr shumë kohë dhe çfarë ndodhë shumë shpesh nëse në 15 CV-at e para i ke gjetur kandidatët e përshtatshëm atëherë i ke injoruar të tjerat. Ne e kemi krijuar një softuer i cili aktualisht po përdoret nga kompanitë ku punëkërkuesit a janë në formë të listume, aplikojnë me CV dhe dokumentet që kërkohen. Kompanitë në bazë të asaj që kanë nevojë që e kanë në përshkrim të vendit të punës, me një klikim i filtrojmë të gjithë kandidatët. Që nga 150 kandidatë të dinë se cilët janë top 10 kandidatët që i përshtaten profilit që ata e kanë kërkuar”, ka shpjeguar ai.
Arion Rizja: Në këtë fazë AI nuk mund ta zëvendësojë rekruterin
Kjo veçmas do të ndikojë në kursimin e kohës sa i përket procesit të rekrutimit, ku kompanitë dhe punëkërkuesit nuk do të jenë “peng” i këtij procesi për shumë kohë.
“Gjithmonë ka qenë e rëndësishme dhe vazhdon të jenë të rëndësishme dokumentet që dorëzojmë momentin kur aplikojmë për një vend pune, mirëpo një proces që një kompanie i ka marr kohë 1 javë mund të kryhet brenda 10 minutave. Kjo e përshpejton procesin e rekrutimit në një kompani përderisa një kandidat është dashur të presë 10 ditë për ta marrë një telefonatë nga kompania tash mund ta marr brenda një dite. Mbyllet konkursi dhe tash kompanisë nuk i merr kohë 1 javë, 1 muaj por shumë më pak”, ka treguar Arioni përgjatë emisionit.
Sipas Arionit kjo nuk do ta zbehë rolin që ka rekruteri në procesin e punësimit pasi që intervista mbetet një nga fazat më të rëndësishme të punësimit.
“Çfarë duhet të dimë në këtë fazë është se Inteligjenca Artificiale nuk e zëvendëson rekruterin. Është një softuer, produkt, aset që ta jepë një opinion për një kandidat por nuk e zëvendëson, por gjithsesi edhe për një kohë shumë të gjatë do të kemi nevojë t’i marrim kandidatët në intervistë”, ka treguar ai.
Tutje Arioni ka thënë që për të mbetur konkurrues në treg duhet vazhdimisht të investojmë në aftësitë tona dhe ato që kërkohen në të ardhmen që të jemi një hap me trendet andaj trajnimet dhe zhvillimi i shkathtësive duhet të jenë vazhdimisht pjesë e punonjësve.
“Është me rëndësi që ne si individë duhet të investojmë në veten tonë. Po e shohim që jemi duke u rrezikuar prej zhvillimeve teknologjike, duhet ta shohim se çfarë duhet të bëjmë më shumë ne si individë që të mbesim konkurrues në vendin e punës. Për momentin nuk mendoj që është e mjaftueshme për një të ri apo të re të thotë e përfundova fakultetin dhe tash po shkoj të aplikojë për punë. Mendoj që është shumë me rëndësi të përcillet trendi, të shihet se cilat industri janë që kanë më së shumti nevojë në vitet që po vijnë, cilat janë shkathtësitë, trajnimet që duhet t’i ndjekë që të përshtatem më të ardhmen sepse do të vijë një moment që nuk do të jemi të dobishëm në tregun e punës sepse për shkathtësitë që ne i kemi nuk do të ketë më nevojë” , ka treguar ai./ KosovaJob