1
Kategoria
Skadon
Orari
Lokacioni
	 	 

Thirrje për Ofertë nga Individë/OJQ/Kompani për realizimin e dokumentarit për RrGK-në

Kërkesë për Ofertë

Hyrje

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse me mision të mbështesë, mbrojë dhe promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pa dallim të bindjeve politike, fesë, moshës, nivelit të arsimit, orientimit seksual apo aftësisë. RrGK përbëhet nga një rrjet prej 106 organizatash anëtare të udhëhequra nga gratë, të cilat përfaqësojnë komunitete të ndryshme etnike dhe veprojnë në të gjithë territorin e Kosovës. Përmes këtij rrjeti, RrGK punon për avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave, promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e organizatave të grave, në përputhje me objektivat e Strategjisë së RrGK-së 2023–2026.

RrGK kërkon të angazhojë një individ, OJQ ose kompani profesionale për realizimin e një dokumentari.

Qëllimi i kësaj “Thirrjeje për Ofertë” është të përcaktojë përgjegjësitë, produktet e pritshme dhe kërkesat për ofruesin e shërbimeve për realizimin e dokumentarit të planifikuar.

Sfondi dhe Arsyetimi

Rrjeti i Grave të Kosovës synon të realizojë një dokumentar me kohëzgjatje deri në 20 minuta, i cili do të dokumentojë historinë e RrGK-së, zhvillimin ndër vite, kontributin në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, si dhe ndikimin e tij në shoqërinë kosovare. Filmi do të shfaqet në kuadër të kremtimit të 30-vjetorit të RrGK-së gjatë javës së parë të muajit dhjetor dhe më pas do të transmetohet në televizion. Për këtë arsye, është planifikuar që realizimi i tij të fillojë më 25 gusht  2026 dhe të përfundojë deri më 30 nëntor 2026. 

Dokumentari do të realizohet me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe do të dokumentojë historinë, zhvillimin, arritjet dhe ndikimin e RrGK-së që nga themelimi i saj në vitin 1996 e deri më sot. Dokumentari do të trajtojë gjithashtu historinë, misionin, zhvillimin dhe kontributin e Shoqatës "Motrat Qiriazi" dhe Rrjetit të Grave Rurale gjatë viteve 1990 në promovimin e të drejtave të grave, fuqizimin e tyre, edukimin, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë. Këto iniciativa dhe organizata do të prezantohen si themeli mbi të cilin u ndërtua dhe u themelua Rrjeti i Grave të Kosovës, duke vënë në pah rolin e tyre në konsolidimin e lëvizjes së grave në vend.

Përmes intervistave me themeluese, anëtare, staf, partnerë, përfaqësues/e të institucioneve dhe palë të tjera relevante, dokumentari do të pasqyrojë rrugëtimin e RrGK-së gjatë tri dekadave, rolin që ka në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, ndikimin në hartimin dhe avancimin e politikave publike, avokimin për barazi gjinore, si dhe fuqizimin e organizatave të grave në Kosovë. Specifikisht, dokumentari do të pasqyrojë angazhimin dhe kontributin e Igballe Rogovës në avancimin e të drejtave të grave, fuqizimin e organizatave të grave, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e lëvizjes feministe në Kosovë, rajon dhe botë.

Dokumentari do të shërbejë si një dëshmi e rëndësishme e historisë institucionale të RrGK-së dhe e kontributit të saj në zhvillimin e lëvizjes feministe dhe të të drejtave të grave në Kosovë. Përmes dokumentimit të përvojave, sfidave dhe arritjeve ndër vite, ai do të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive, edukimin e publikut dhe frymëzimin e gjeneratave të ardhshme të aktivisteve.

Materiali i prodhuar do të prezantohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të RrGK-së dhe do të përdoret më tej në konferenca, aktivitete publike, fushata, rrjete sociale, uebfaqen e RrGK-së, media dhe materiale të komunikimit me donatorë.

Objektivi

Objektivi është realizimi i dokumentarit  profesionalë me cilësi të lartë, kreative dhe teknike, ku do të pasqyrohen në mënyrë autentike historitë, kontributi dhe ndikimi i Rrjetit të Grave të Kosovës në çdo hap të zhvillimit dhe shtetndërtmit të Kosovës. Dokumentari do të shërbejë po ashtu për dokumentim të historisë së rritës së RrGK-së por gjithashtu do të shërbejë edhe si shembull për edukim, avokim dhe promovim publik të të drejtave të njeriut, me theks tek të drejtat e grave në Kosovë,  përmes krijimit të kushteve dhe mundësive të barabarta për gratë dhe burrat pa dallim. 

Përgjegjësitë / Rezultatet e Pritshme

Individi ose kompania e kontraktuar do të jetë përgjegjëse për:

  • Bashkëpunim të ngushtë me stafin e RrGK-së për zhvillimin e konceptit, skenarin dhe planin e xhirimit e të montimit të dokumentarit. 
  • Përgatitjen e konceptit, strukturën e dokumentarit dhe planit të punës me inputet e RrGK-së. 
  • Përgatitjen e skenarit dhe zhvillimin e narrativës së dokumentarit. 
  • Realizimin e intervistave me persona relevantë. 
  • Përfshirja e materialeve arkivore, duke përdorur kryesisht materialet e ofruara nga RrGK-ja dhe, sipas nevojës, duke identifikuar dhe shfrytëzuar materiale të tjera relevante, në koordinim me RrGK-në.
  • Realizimin e xhirimeve profesionale në lokacione të ndryshme në Kosovë, sipas kërkesave të projektit. 
  • Sigurimin e pajisjeve profesionale për xhirim përfshirë: kamerën, mikrofonat dhe ndriqimin adekuat për ambient të brendshëm dhe të jashtëm.  
  • Plotësimin e formularëve për të siguruar pëlqimet e  nevojshme për përdorimin e intervistave dhe materialeve të regjistruara. Formularët përgatiten nga RrGK-ja. 
  • Realizimin e xhirimeve profesionale me cilësinë më të lartë të fotografisë dhe zërit. 
  • Montimin dhe përpunimin profesional të të gjitha materialeve filmike, me kujdes të shtuar tek materialet nga arkiva.
  • Përfshirjen e titrave, grafikave, muzikës së lincencuar dhe elementeve të tjera audiovizuale sipas kërkesave të projektit.
  • Përgatitjen e disa versioneve finale të dokumentarit për publikim online, prezantime në konferenca dhe aktivitete të tjera publike. 
  • Dorëzimin e komplet materialeve BRUTO të xhirimeve origjinale, skedarëve finalë dhe materialeve të tjera të prodhuara enkas për këtë dokumentar. 
  • Organizimin dhe arkivimin e të gjitha materialeve në një ‘external disc’ i cili i dorëzohet pastaj RrGK-së për arkivim pasi që është pronë e RrGK-së. 
  • Dorëzimin e versionit të parë, të dytë dhe atij final sipas kërkesave dhe brenda afateve të dakorduara me RrGK-në. 
  • Ndryshimin eventual të skenarit të dokumentarit në bazë të komenteve dhe në bashkëpunim të ngushtë me RrGK-në.
  • Transferimin e të drejtës së përdorimit të të gjitha materialeve të prodhuara tek RrGK-ja.
  • Të drejtat autoriale lidhur me këtë projekt i takojnë Rrjetit të Grave të Kosovës.

Përgjegjësitë e RrGK-së

RrGK-ja do të ndihmojë në: 

  • Zhvillimin e konceptit, skenarit, planin e xhirimit dhe koordinimin për realizimin e dokumentarit. 
  • Sigurimin e materialeve të nevojshme përfshirë foto dhe video nga arkivi i RrGK-së.
  • Identifikimi dhe koordinimi me palët për realizimin e intervistave sipas planit të miratuar paraprakisht.
  • Rishikimi i versionit të parë dhe të dytë të dokumentarit dhe ofrimi i komenteve deri në versionin final. 

Kohëzgjatja e Angazhimit

25 gusht 2026 – 30 nëntor 2026.

Kualifikimet

Individi, OJQ ose kompania duhet të ketë:

  • Minimum dy (2) vjet përvojë profesionale në video produksion, realizimin e dokumentarëve ose filmave 
  • Përvojë të dëshmuar në realizimin e dokumentarëve të metrazhit të shkurtët ose të mesëm  me karakter social, historik ose të ngjashëm. 
  • Aftësi profesionale në hulumtim, skenar, regji, xhirim, montazh dhe post-produksion.
  • Aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe përvojë në bashkëpunim me grupe të ndryshme njerëzish.

Vlerësimi i Ofertave

Ofertat do të vlerësohen sipas këtyre kritereve:

  • Përvoja profesionale – 10% 
  • Cilësia e punëve të mëparshme (portofoli i dokumentarëve/filmave) – 50% 
  • Oferta financiare – 40% 

Dorëzimi i Ofertave

Aplikuesit duhet të dorëzojnë:

  • Formularin e Propozimit Teknik (Forma 5.1);
  • Ofertën Financiare (Forma 5.2); 
  • Letërën e motivimit dhe Deklaratën e Nderit (Forma 4);
  • Portofolion e punëve të realizuara ndër vite, duke përfshirë përvojën në realizimin e dokumentarëve (nëse ka), si dhe një (1) deri në tre (3) shembuj të punëve të mëparshme të ngjashme (dokumentarë);
  • CV-të e stafit kryesor të propozuar për angazhim në realizimin e dokumentarit (përfshirë, sipas nevojës, producentin, regjisorin, skenaristin, kameramanin dhe/ose montazherin), të cilat dëshmojnë përvojën dhe kompetencat profesionale relevante për këtë angazhim.

Ju lutem, oferta duhet të jetë pa TVSH.

Dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen deri më 21 gusht 2026, në ora 17:00, në adresën: procurement@womensnetwork.org me subjektin: "Ofertë për realizimin e dokumentarit."

4: Letër përcjellëse dhe deklaratë nderi për kriteret e përjashtimit dhe mungesës së konfliktit të interesit

5.1: Formulari i propozimit teknik

5.2: Formulari i Propozimit Financiar

2: Udhëzime për Ofertuesit ose Konsulentët

1: Ftesë

3: Fleta e të dhënave dhe specifikimet teknike

6: Draft Kontratë për Shërbime

KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë i çertifikuar nga Bureau Veritas me ISO 9001:2015 Standardet për kualitet