A kanë përparësi në treg të punës njerëzit që njohin gjuhë të huaja?

A kanë përparësi në treg të punës njerëzit që njohin gjuhë të huaja?

	 	 

"Sa më shumë gjuhë që njeh, aq më shumë njerëz vlen"

Hyrja në tregun e punës, përveç që është sfidë dhe përgjegjësi, konsiderohet edhe privilegj e dëshirë për t’u kyçur në një profesion të caktuar. Përpos arsimimit cilësor dhe përgatitjes se nevojshme profesionale, edhe njohja e gjuhëve të huaja ka një rëndësi të posaçme në sistemimin e një kandidati në një vend të caktuar të punës. Njohja e gjuhëve të huaja, e sidomos e gjuhëve më të rralla, mund të cilësohet si përparësi.

Pos pozitave që domosdoshmërisht kërkojnë njohuri të një gjuhe të caktuar, shpesh mund të hasim edhe në konkurse të punës në të cilat preferohet apo ka përparësi edhe njohja e gjuhëve të tjera, që kryesisht lidhen me veprimtarinë e asaj kompanie. Kjo zakonisht haset në industritë ku dominojnë organizatat apo mekanizmat e huaj që ushtrojnë veprimtari konkrete në Kosovë.

Prandaj, në shumicën e rasteve zotërimi i një apo disa gjuhëve të huaja cilësohet si avantazh, varësisht prej pozitës në të cilën aplikohet. Shumica e punëdhënësve janë të interesuar të punësojnë kandidatë që përveç se kanë një bagazh të pasur profesional, kanë edhe njohuri të gjuhëve të ndryshme të cilat e favorizojnë atë për një pozitë të caktuar.

Në një intervistë për KosovaJob, Bashkëthemeluesja e shkollës së gjuhëve të huaja Britannica-ELT, Nasire Bala-Rizaj foli për rëndësinë që kanë gjuhët e huaja në përgjithësi. Ajo tha se edhe në Kosovë si në çdo vend tjetër të botës, njohja e një apo më shumë gjuhëve të huaja është përparësi për secilin individ, si në rrafshin e punësimit ashtu edhe të ngritjes së karrierës profesionale.

“Nga përvoja dhe ekspertiza ime shumëvjeçare mendoj se të mësuarit e një gjuhe të huaj është një vlerë e shtuar për CV-në e secilit person. Pa dyshim se gjuhët e huaja i hapin më lehtë dyert e punësimit në profesionin e dëshiruar, kudo në kompani, në organizata e në institucione që i përshtaten profesionit dhe specializimit përkatës. Ekonomia bashkëkohore e tregut të lirë dhe qarkullimi intensiv i mallrave, dijes dhe njerëzve e ka determinuar pothuaj si domosdo njohjen e gjuhëve të huaja për një punësim dinjitoz. Kontaktet me popujt tjerë janë bërë të përditshme në çdo fushë të jetës, andaj këtu edhe e shoh elementin kyç të ndërlidhjes së gjuhëve të huaja me punësimin në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ndonëse gjuha angleze dominon gjithandej në botë, ajo theksoi se në Kosovë rrethanat aktuale bëjnë që pas gjuhës angleze, mësimi i gjuhës gjermane të jetë shumë i kërkuar. Bala-Rizaj shtoi se edhe njohja e njërës prej gjuhëve të popujve të Ballkanit Perëndimor është e preferueshme duke qenë se Kosova është pjesë e Gadishullit Ballkanik.

Natyrisht, gjuha angleze sot është gjuhë dominante në mbarë globin por në rrethanat aktuale në Kosovë, mësimi i gjuhës gjermane është bërë shumë i kërkuar. Edhe gjuhët tjera, si frëngjishtja dhe italishtja janë shumë të rëndësishme, sidomos për ata që karrierën profesionale e kanë drejtuar nga fusha e kulturologjisë. Megjithatë, mos të harrojmë se ne jemi pjesë e Gadishullit Ballkanik dhe njohja e njërës prej gjuhëve të popujve të Ballkanit Perëndimor është mjaftë i preferuar”, ka thënë ajo.

Bala-Rizaj nuk mendon që niveli i njohurive të gjuhëve të huaja në Kosovë është i ulët, kjo sepse sipas saj të rinjtë tashmë e kanë kuptuar rëndësinë që kanë gjuhët e huaja e kësaj pozivisht i ndikon edhe përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.  Pavarësisht kësaj, ajo konsideron se  ka akoma nevojë për më shumë avancim në këtë drejtim ngase secili profesion e ka natyrën e vet të gjuhës përkatëse.

E krejt në fund, Bala-Rizaj vuri theksin edhe tek njohja e mirëfilltë e gjuhës amtare. Ajo tha se pa njohje të mirë të gramatikës dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe, është vështirë të arrihet nivel i lartë i mësimit të gjuhëve së huaja.

“Për njohje sa më të avancuar të cilësdo gjuhë të huaj nevojitet njohja po ashtu e avancuar edhe e gjuhës amtare, të cilit aspekt kryesisht nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme. Sot më shumë çmohet njohja e gjuhës së shkruar sesa e komunikimit verbal dhe pa njohje të mirëfilltë të gramatikës dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe, vështirë se do të arrihet niveli i lartë i mësimit të gjuhës së huaj”, ka thënë ajo.

Në Tetor të vitit 2015, Britannica- ELT lansoi testimin online të nivelit të gjuhës angleze në Kosovë. Në një periudhë prej 7 ditësh, më shumë se 5400 nga 7867 persona arritën të përfundojnë me sukses testin duke plotësuar të gjitha pyetjet. Statistikat treguan se niveli i përgjithshëm është B2 apo Upper Intermediate dhe B1+ apo Intermediate. Për këtë testim, interesim më i madh u vërejt nga mosha 18-24 vjeç ndërsa sa i përket gjinisë statistikat treguan se për një nivel të vogël femrat kanë pasur rezultate më të mira se meshkujt.

 

Ky artikull është prodhim i KosovaJob – Rrjetit më të madh të punësimit në Kosovë. Për çdo informatë kontakto 045 111 414 apo info@kosovajob.com

TAGS: KosovaJobArtikulli i javesVende PuneNjoftime PuneOferta PunePortal PuneLyp PuneVende te lira PuneKerko Pune

KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC
Copyright © 2019 - KosovaJob LLC