Panairi i Praktikës do të organizohet për herë të parë në Kosovë me shumë mundësi. Arion Rizaj – udhëheqës dhe themeluesi i kompanisë, KosovaJob gjatë ditës së hënë ka qenë i ftuar në RTV21 ku ka ndarë më shumë detaje për “Panairin e Praktikës”, i cili po organizohet nga platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob në bashkëpunim me Taiwan Business - EBRD Technical Cooperation Fund dhe Promnestria.
Arioni përgjatë intervistës ka shpjeguar se ky panair është finalizim i një procesi më të gjatë i cili ka qenë më i fokusuar te puna praktike dhe për tu ju dhënë mundësi të rinjve që të kyçen në tregun e punës.
“Ka qenë një projekt që ka zgjatur 18 muaj dhe ka tentuar ta krijojë një skemë funksionale të punës praktike. Kjo është hera e parë që BERZH ka bashkëpunuar me KosovaJob sa i përket punës praktike. Duke qenë se KosovaJob është platforma më e madhe sa i përket punësimit në vend kjo ka qenë një avantazh që na ka ndihmuar që të bëjmë diçka konkrete”, ka shpjeguar Arioni.
Organizimi i Panaireve të Punës është i vazhdueshëm në Kosovë, por jo dhe panairet e praktikës andaj Arioni ka shpjeguar si pikërisht nga kjo mungesë ka lindur edhe ideja për një panair të tillë. Ai i ka cilësuar panairet si shumë të rëndësishme dhe si një urë lidhëse për në tregun e punës.
“Kjo është një mundësi për një të ri apo të re për ta njoftuar një kompani, që ta fillojë një hap të parë të karrierës dhe të kuptojë më shumë për ato kompani dhe tregun e punës”, ka treguar ai.
Arioni në intervistë ka treguar se 18 muaj në faza të ndryshme kanë përfshirë shumë aktivitete që i shërbejnë më mirë punës praktike – si hapi i parë drejt punësimit. Rreth 50 kompani janë pjesë e Panarit të Praktikës me të cilat KosovaJob e ka lidhur bashkëpunimin jo vetëm sa i përket fazës së punësimit, por si pikësynim për t’i angazhuar ata edhe në punëtorë të rregullt.
“Janë rreth 50 kompani të cilat në këtë 18-muajshin e fundit, kemi punuar intensivisht me to. Kanë publikuar një numër të madh të konkurseve për praktikë. Janë kompani të fushave të ndryshme të cilat kanë potencial jo vetëm më i mbajtë, por në të ardhmen edhe t’i kthejnë në punëtorë të rregullt”, ka thënë tutje ai.
“Praktika – mundësia më e mirë e eksplorimit se çfarë do të thotë një vend i punës”
Arioni ka theksuar rëndësinë e praktikës si mundësia më e mirë e eksplorimit se çfarë do të thotë një vend i punës. Në një fazë të hershme të punësimit si praktika pjesëmarrësit mund ta kuptojnë më mirë se ku duan të fokusohen në profesionin e tyre.
“Ndodhë që fillon punën praktike në një kompani të marketingut dhe e sheh që nuk po të pëlqen. E sheh që je për diçka tjetër. Kjo është një avantazh i madh. Nuk është asnjëherë vonë për ta ndryshuar dhe karrierën. Ndodhë je duke studiuar një drejtim dhe hyn në një kompani dhe e sheh që nuk po të pëlqen. Është më mirë në këtë fazë të ndryshohet karriera", ka thënë Arioni.
Ai ke theksuar edhe sesionet informative që janë mbajtur në zyret e KosovaJob kur shumë të rinj dhe të reja kanë ardhur dhe kanë mësuar nga profesionistë të njohur të fushës së Burimeve Njerëzore.
“Kemi pasur një numër të madh të njerëzve që kanë shprehur interesim dhe kanë ardhur në këto sesione, të cilat kanë qenë pa pagesë. E mira ka qenë se kanë pasur mundësi të mësojnë direkt nga një person i burimeve njerëzore dhe të mësojnë më shumë rreth një temë specifike që e kemi shtjelluar. Gjithmonë është më mirë kur takohen me persona që i intervistojnë direkt”, është shprehur ai.
Arioni ka theksuar se ka shumë interesim për pjesëmarrje në “Panairin e Praktikës” dhe kjo është një sinjal pozitiv sepse është një rini e cila është e interesuar të bëj hapa në karrierë. Ai ka shtuar se është e rëndësishme që në panair të shkohet me një vizion më të qartë në mënyrë që të arrihen rezultate.
“Duhet ndjekur këto panaire sepse janë një mundësi për të hapur një derë të re. Ku ka mundësi më të mirë se t’i takosh 50 punëdhënës në një vend. Unë e kam një këshillë që është shumë e rëndësishme që ata që vijnë ta kenë një koncept para se të vijnë. Është e rëndësishme ta dish ti si individ çfarë do të fitosh nga ky panair”, ka thënë në intervistën e tij Arioni.
Ceremonia e hapjes do të karakterizohet nga fjalime të rëndësishme të ekspertëve të fushës së punësimit dhe organizatorë të kësaj ngjarje. Ceremonia do të filloj me fjalën e hapjes dhe prezantimin e të arriturave të Iniciativës Rinore të Sektorit Privat nga përfaqësues të KosovaJob, të BERZH dhe të Promnestria, si dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit.
Pjesëmarrësve u rekomandohet të marrin materiale që u mundësojnë të marrin shënime dhe të lidhin kontakte të reja. Ngjarja fillon nga ora 09:30 deri në ora 14:00 në hotelin “Swiss Diamond”. Karriera fillon këtu!