E-mail është ndër format më profesionale të komunikimit, qoftë në marrëdhënie pune ose edhe jashtë saj. Një email shkruhet për arsye të ndryshme - për të caktuar një takim të rëndësishëm, për të shkëmbyer informacione, për të përcjellur dokumente, kërkesa, për të aprovuar diçka, etj.
Sipas Harvard Business Review, punonjësit kontrollojnë emailet e tyre mesatarisht 74 herë në ditë si dhe dërgojnë dhe pranojnë më shumë se 150 emaile gjatë një dite.
Ka shumë pika në të cilat mund të gaboni kur dërgoni një email. Prandaj, për të mësuar si shkruhet një email i mirë dhe pa gabime, nevojitet pak praktikë. Vlen të theksohet se duhet t’i ikni sa më shumë gabimeve drejtshkrimore.
Një email i mirë, ka një strukturë të cilës duhet t’i kushtohet shumë vëmendje. Nëse emailin e dërgojmë tek një person i njohur apo familjar, atëherë edhe mund të mos i kushtohet shumë rëndësi strukturës. Mirëpo, kur atë ia drejtojmë ndonjë klienti apo bashkëpunëtori, atëherë duhet të respektohet struktura, të cilën do ta elaborojmë në vazhdim të këtij artikulli.
Disa nga hapat që mund t’iu ndihmojnë në krijimin e një emaili profesional:
Caktoni qëllimin. Para se ta shkruani një email, pyesni veten se çka prisni nga pranuesi pasi ta lexojë. P.sh, nëse pritshmëritë tuaja janë që pranuesi ta lexojë medoemos një dokument të bashkëngjitur, sigurohuni që ia keni shpjeguar mirë se për çka është dokumenti dhe pse juve ju nevojitet një përgjigje prej tij.
Keni parasysh audiencën. Nëse emaili i dërgohet një personi të cilin nuk e njihni, tentoni të jeni sa më zyrtar dhe të mos përdorni shprehje të papërshtatshme. Ndërkaq, nëse email i dërgohet një kolegu me të cilin keni raporte të mira, mund të keni edhe një qasje pak më miqësore.
Kontrolloni nëse email është pranuar. Shumica e njerëzve pranojnë një mori e-mailesh gjatë një dite dhe mbase mund të harrojnë të kthejnë përgjigje. Nëse personi nuk është përgjigjur as pas dy ditësh, kontaktojeni përsëri dhe mundohuni të tregoheni sa më të sjellshëm.
Kontrollojeni para dërgimit. Gjithmonë këshillohet ta analizoni edhe njëherë mesazhin, që të mund t’iu ikni gabimeve të mundshme.
Përmbledheni emailin. Sot, jeta është shumë dinamike dhe njerëzit nuk kanë shumë kohë t’i analizojnë detajet. Kësisoj, tentoni ta shkruani një email përmbledhës i cili përmban të gjitha informacionet kryesore apo të nevojshme.
Cila është struktura e një emaili të mirë?
Një email i mirë ka një strukturë strikte. "subject line", përshëndetja, hyrja, përfundimi janë pjesë përbërëse të një emaili të mirë.
Shembuj të e-maileve profesionale:
E -mail për një grup njerëzish
Subject: Anulim i takimit
Pëshendetje të nderuar,
Me lejoni t’iu informoj se është shtyrë takimi për strategjitë në shitje, i planifikuar për ditën e mërkurë në ora 10:00.
Ju kërkojmë shumë ndjesë për këtë ndryshim dhe shpresojmë në mirëkuptimin e secilit prej jush. Takimin tjetër për këtë çështje do ta mbajmë të mërkurën e ardhshme, duke filluar prej orës 9:00.
Ju falemnderit shumë!
Sinqerisht,
(Emri dhe mbiemri)
E-mail për një person
Subject: Mundësi punësimi si dizajner
Përshendetje e nderuara Zana,
Uroj të jeni mirë dhe punët po iu ecin mbarë.
Po ju shkruaj në lidhje me një mundësi shumë të mirë punësimi për ju, në kompaninë tonë (cekni emrin e kompanisë).
Momentalisht, jam duke menaxhuar një projekt në fushën e marketingut digjital dhe jemi në kërkim të një dizajneri me orar të plotë. Puna mund të bëhet edhe nga shtëpia.
Ju lutem më njoftoni ne rast se jeni e interesuar të bëheni pjesë e projektit dhe mund ta caktojmë një takim që t'i diskutojmë të gjitha detajet.
Me respekt,
(Emri dhe mbiemri)
E-mail kontrollues:
Përshëndetje Znj. Ana,
Shpresoj që jeni mirë.
Desha vetëm të sigurohem nëse i keni pranuar listat e kandidatëve të përzgjedhur. Gjithashtu, sa i përket takimit tuaj me z. Gashin - nuk e kemi caktuar ende një datë të fundit.
A mund të më njoftoni cila prej datave është më e konvenueshme për ju për ta mbajtur takimin, 7 apo 8 tetor?
Falemnderit shumë!
(Emri dhe Mbiemri)
Aftësitë në shkrimin e një emaili profesional janë shumë të nevojshme në ditët e sotme, qoftë nëse jeni në marrëdhënie pune ose jo. Prandaj, është e nevojshme që të praktikoni sa më shumë. Përdorni këshillat dhe shembujt e mësipërm dhe do të përpiloni emaile sa më profesionale në çdo komunikim.