Caritas

Thirrje për propozime

	 	 

CARITAS

Thirrje për propozime

Fuqizimi i iniciativave të grave në sektorët

e përzgjedhur bujqësorë

Udhëzime për aplikuesit

Program i financuarnga ADC-ja, me numër 8191-00/2019

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve

22.4.2021 në orën 16:00

Sfondi

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, Caritas-i zviceran (CaCH) është duke e zbatuar projektin "Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik Rural" (SIRED), i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC), i bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe tetë komuna të tjera. Projekti ka për qëllim të promovojë sisteme më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të tregut përmes rritjes së prodhimit, duke përfshirë më shumë akterë të tregut dhe duke rritur të ardhurat dhe produktivitetin e tyre, duke kontribuar kështu në uljen e varfërisë së popullsive rurale. Në mënyrë të veçantë ftohen që të aplikojnë gratë dhe grupet shoqërore të margjinalizuara nga komunat Dragash, Graçanicë, Kamenicë, Novobërdë, Prishtinë, Prizren, Ranillug, Shtërpcë, Suharekë dhe Viti.

Bazuar në kërkesat e tregut dhe në një analizë të kujdesshme, CaCH ka identifikuar tre zinxhirë të vlerave/sisteme tregu si nënsektorë bujqësorë që kanë potencial të mjaftueshëm për rritje ekonomike, ekologjike dhe në aspektin e integrimit gjinor:

  • Produkte Pyjore Jodrusore (PPJD) dhe Bimë Mjekësore dhe Aromatike (BMA),
  • Fruta manore (mjedra, dredhëza, boronica, të tjera) dhe
  • Përpunimi shtëpiak i perimeve dhe pemëve.

Sipas Raportit të fundit të BE-së për Analizën Gjinore të Kosovës1, gratë janë të nënpërfaqësuara në sektorin e bujqësisë, duke përbërë vetëm 5% të fermerëve të licencuara në vitin 2018. Mungesa e posedimit të pronës, niveli i ulët arsimor, puna e paregjistruar, qasja e dobët në informacion në lidhje me subvencionet dhe rolet e socializuara gjinore minojnë pjesëmarrjen e tyre zyrtare. Ekzistojnë hulumtime të pamjaftueshme në lidhje me përfshirjen e grave dhe burrave në ekonominë joformale. Sipas Analizës së Shpejtë Gjinore (2020), gratë përbënin vetëm 2% të të gjithë përfituesve të subvencioneve për bujqësi në vitin 2016.2

Në vitin 2017, gratë ishin pronare të vetëm 13% të të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë dhe morën vetëm 17% të granteve nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA)3. Megjithëse raporti mes ndërmarrjeve në pronësi të grave dhe atyre në pronësi të burrave është një me gjashtë, ndërmarrjet në pronësi të grave morën 25 herë më pak fonde në subvencione gjatë vitit 2017. Për më tepër, vetëm 15% e grave pronare të bizneseve kanë përdorur kredi nga bankat komerciale4.

Bazuar në analizën e tregut, kufizimet e bazuara në gjini tregojnë se gratë përballen me pengesa të konsiderueshme për të filluar një agrobiznes të formalizuar, ndërsa shumë nga aktiviteti ekonomik bëhet në mënyrë joformale. Disa nga kufizimet kryesore përfshijnë mungesën e mbështetjes teknike dhe financiare për krijimin e bizneseve të grave (përkatësisht për të regjistruar një biznes), veçanërisht në tre prej sektorëve të përzgjedhur: Përpunimi Shtëpiak, BMA/PPJD dhe Frutat manore.

Objektivi i thirrjes

T'i identifikojë dhe t'i fuqizojë iniciativat e grave (për t'u regjistruar) si dhe OJQ-të dhe kooperativat e grave në zinxhirët e përzgjedhur të vlerave/sektorët bujqësorë.

Mbështetja financiare do të sigurohet për iniciativat e grave të cilat kanë një historik të suksesshëm në sektorët e përmendur më lart, si dhe për ato që janë të gatshme të formalizohen duke u regjistruar si kooperativë, OJQ ose biznes. Do të ofrohen mundësi për tregti dhe për treg për ta përmbushur kërkesën e  tregut dhe për t'i fuqizuar zinxhirët e vlerës/sektorët bujqësorë. Ato do të investojnë në trajnime, marketing profesional, pajisje, ndihmë juridike, kapacitete prodhuese ose ndërgjegjësim.

Rezultatet e pritshme të projektit SIRED

  • Më shumë iniciativa të grave janë formalizuar dhe regjistruar si biznes, OJQ ose kooperativë
  • Iniciativat e grave kanë rritur kapacitetet përpunuese për fruta manore, pemë dhe perime, bimë mjekësore aromatike dhe produkte pyjore jodrusore,
  • Iniciativat e grave kanë forcuar linjat e prodhimit në zinxhirët e sipërpërmendur të vlerave,
  • Është rritur numri i organizatave të drejtuara nga gratë, është rritur pjesa e tyre e tregut,
  • Është rritur shkalla e punësimit dhe janë krijuar vende të reja pune për gratë dhe burrat,
  • Është realizuar ndryshimi sistemik në sektorët e përzgjedhur,
  • Më shumë gra shfrytëzojnë të drejtat e tyre ekonomike, përfshirë të drejtat pronësore,

Lokacioni

Intervenimet do të mbështeten në komunat vijuese:

Dragash, Graçanicë, Kamenicë, Novobërdë, Prishtinë, Prizren, Ranillug, Shtërpcë, Suharekë dhe Viti.

Korniza kohore

Kohëzgjatja e aktiviteteve të propozuara të projektit mund të jetë midis 30.05.2021 – 31.12.2021

Kush mund të aplikojë:

Iniciativat, kooperativat, shoqatat dhe OJQ-të e grave për qasje në financa, kultivim, përpunim dhe marketing të produkteve më poshtë:

  • perimeve dhe pemëve,
  • mjedrave, boronicave dhe dredhëzave,
  • bimëve mjekësore aromatike dhe produkteve pyjore jodrusore,

Kriteret për pranueshmërinë e aplikuesëve:

Për të qenë i pranueshëm për një grant, aplikuesi duhet t'i përmbushë kriteret e mëposhtme:

  • Iniciativat e grave, të cilat janë aktive në sektorët e bujqësisë në kuadër të projektit (frutat manore, BMA-të, pemët dhe perimet) tashmë të regjistruara ose të gatshme për ta formalizuar dhe regjistruar aktivitetin ekonomik.
  • Të jetë e organizuar në mënyrë efektive dhe me origjinë nga njëra nga dhjetë komunat (shih më lart).
  • Të jetë direkt përgjegjës për përgatitjen dhe menaxhimin e projektit.
  • Të jetë një lloj specifik i iniciativës së grave:
    • Të jetë pjesë e të paktën një sektori specifik të mjedrave, boronicave, dredhëzave, pemëve dhe perimeve, produkteve pyjore jodrusore dhe bimëve mjekësore dhe aromatike.
    • Të ofrojë dëshmi se posedon një nivel të pajisjeve infrastrukturore/të punës, pajisjeve tjera, kapaciteteve përpunuese ose linjave të prodhimit,
    • Të ketë krijuar marrëdhënie me anëtarët e bizneseve ose kooperativave lokale, rajonale ose kombëtare ose me fermerët individualë.
    • Të ofrojë dëshmi të njohurive dhe përvojës për të paktën 2 vjet në punën në të paktën një nga sektorët e lartpërmendur.
  • Aplikuesit nuk duhet të kenë përfituar një grant tjetër ose një kontratë të vazhdueshme me Caritasi-n zviceran.
  • Granti i kërkuar nuk financohet nga ndonjë donator/organizatë tjetër.

Kriteret e përzgjedhjes

Rezultati i aplikuesve do të vlerësohet në bazë të kritereve të mëposhtme të përzgjedhjes:

Kriteret e vlerësimit

Alokimi financiar dhe pragu për aplikim

Shuma e përgjithshme indikative e vënë në dispozicion nën këtë thirrje për propozime është 150,000 EUR. CaCH rezervon të drejtën për të mos i dhënë të gjitha fondet në dispozicion.

Çdo grant i kërkuar nga SIRED nën këtë thirrje për propozime duhet të bie midis shumave vijuese minimale dhe maksimale:

  • shuma minimale: 10,000.00 EUR;
  • shuma maksimale: 25,000.00 EUR;

Çdo grant i kërkuar nën këtë thirrje për propozime duhet të bie midis përqindjeve minimale dhe maksimale të mëposhtme të kostove totale të pranueshme të buxhetit total:

  • Përqindja minimale: 60% e kostove totale të pranueshme (lejohet deri në 40% bashkëfinancim).
  • Përqindja maksimale: 90% e kostove totale të pranueshme (nevojitet 10% bashkëfinancim) Aplikuesit duhet të jenë të regjistruar në komunat vijuese:

Dragash, Graçanicë, Kamenicë, Novobërdë, Prishtinë, Prizren, Ranillug, Shtërpcë, Suharekë dhe Viti.

Kostot e pranueshme për financim:

Lloji i mëposhtëm i aktiviteteve/kostos përkatëse për sektorët e bujqësisë të përmendur në thirrjen për propozime mund të financohet nga projekti SIRED, por nuk kufizohet në:

  • Trajnimet për kultivim, përpunim, marketing ose qasje në financa/edukim financiar,
  • Shërbimet këshilluese për kultivim, përpunim, marketing ose qasje në financa/edukim financiar,
  • Shërbimet e trajnimit dhe këshillimit për planifikimin e biznesit,
  • Mentorimi për përpunim, marketing, planifikim biznesi,
  • Pjesëmarrja në panaire tregtare (lokale dhe kombëtare),
  • Masat shëndetësore dhe higjienike në lidhje me zinxhirët e vlerës/sektorët,
  • Certifikimi organik dhe certifikimi tjetër,
  • Dizajnimi dhe paketimi i produktit,
  • Pajisjet për përpunimin shtëpiak të pemëve dhe perimeve,(pajisjet jo më shumë se 65% e buxhetit, vetëm me energji efiçiente dhe inovative),
  • Pajisjet inovative të komunikimit të TI-së për bujqësinë,
  • Makineritë e vogla tharëse për BMA dhe PPJD (si më sipër, brenda 65%),
  • Pajisjet për përpunimin e BMA-ve, PPJD-ve dhe frutave manore (si më sipër, brenda 65%), (vetëm me energji efiçiente dhe inovative),
  • Aktivitetet e marketingut,
  • Certifikimi i standardeve organike ose standardeve të tjera të sigurisë ushqimore,
  • Ndërgjegjësimi i publikut / vizibiliteti.

Kostot e papranueshme:

  • Ndërtimi i objekteve dhe ndërtesave me material të fortë,
  • Serrat (për të gjitha qëllimet, përfshirë kultivimin e fidanëve),
  • Makineritë dhe automjetet bujqësore,
  • Plehu (me përjashtim të plehut organik)
  • Shpenzimet e bëra para dhënies së grantit ose pas përfundimit të kontratës,
  • Kosto për stafin dhe personelin tjetër,
  • Shpenzimet e zakonshme operative (materialet harxhuese, mirëmbajtja dhe të ngjashme, kostot e tjera rrjedhëse),
  • Kosto e përgjithshme administrative/indirekte.

Klauzolat për etikën dhe Kodi i Sjelljes

Mungesa e konfliktit të interesit

Aplikuesi nuk duhet të ketë ndonjë konflikt interesi dhe nuk duhet të ketë lidhje ekuivalente në këtë aspekt me aplikuesit ose palët tjera të përfshira. Çdo përpjekje e aplikuesit për të marrë informacion konfidencial, për të hyrë në marrëveshje të paligjshme me konkurrentët ose për të ndikuar në komitetin e vlerësimit ose autoritetin kontraktues gjatë procesit të shqyrtimit, sqarimit, vlerësimit dhe krahasimit të aplikacioneve do të çojë në refuzimin e aplikacionit të tij dhe mund të rezultojë në ndëshkime administrative.

Respektimi i të drejtave të njeriut, si dhe legjislacionit mjedisor dhe standardeve thelbësore të punës

Aplikuesi dhe stafi i tij duhet të veprojnë në përputhje me të drejtat e njeriut. Në veçanti dhe në përputhje me aktin në fuqi, aplikuesit të cilëve u është dhënë kontrata duhet të veprojnë në përputhje me legjislacionin mjedisor, përfshirë marrëveshjet mjedisore shumëpalëshe, dhe me standardet thelbësore të punës, siç është e zbatueshme dhe siç përcaktohet në konventat përkatëse të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (siç janë konventat për lirinë e asociimit dhe negociatat kolektive; eliminimi i punës së detyruar dhe të detyrueshme; diskriminimi i bazuar në gjini në lidhje me punën; heqja e punës së fëmijëve).

Klauzola e ‘zero tolerancës’ për shfrytëzimin dhe abuzimin seksual:

Caritas-i zviceran zbaton politikën e ‘zero tolerancës’ në lidhje me të gjitha sjelljet e gabuara të cilat kanë ndikim në kredibilitetin profesionale të aplikuesit. Ndalohet ndëshkimi apo abuzimi fizik, ose kërcënimi për abuzim fizik, abuzim seksual ose shfrytëzim, ngacmimi dhe abuzimi verbal, si dhe format e tjera të kanosjes.

Klauzola kundër korrupsionit dhe kundër ryshfetit

Aplikuesi vepron në përputhje me të gjitha ligjet, rregulloret dhe kodet në fuqi në lidhje me klauzolën kundër korrupsionit dhe kundër ryshfetit. Caritas-i zviceran rezervon të drejtën të pezullojë ose anulojë financimin e projektit nëse zbulohen praktika korruptive të çdo lloji në ndonjë fazë të procesit të dhënies ose gjatë ekzekutimit të kontratës dhe nëse autoriteti kontraktues nuk merr të gjitha masat e duhura për të rregulluar situatën. Për qëllimet e kësaj dispozite, 'praktikat korruptive' janë ofertat për ryshfet, dhuratë, shpërblim ose komision për ndonjë person si nxitje ose shpërblim për kryerjen ose përmbajtjen nga ndonjë veprim në lidhje me dhënien e një kontrate ose ekzekutimin e një kontrate tashmë të lidhur me autoritetin kontraktues.

Shpenzimet e pazakonta tregtare

Aplikimet do të refuzohen ose kontratat do të përfundojnë nëse rezulton se dhënia ose ekzekutimi i një kontrate ka shkaktuar rritje të shpenzimeve të pazakonta tregtare. Këto shpenzime të pazakonta tregtare janë komisione që nuk përmenden në kontratën kryesore ose që nuk rrjedhin nga një kontratë e lidhur siç duhet duke iu referuar kontratës kryesore, komisione që nuk paguhen në këmbim të ndonjë shërbimi aktual dhe legjitim, komisione të dërguara në një “parajsë” tatimore, komisione të paguara për një person që paguhet e që nuk është identifikuar qartë ose komisione të paguara për një kompani e cila ka pamjen e të qenit kompani e përparme (front company). Përfituesit që zbulohet se kanë paguar shpenzime të pazakonta tregtare për projektet e financuara nga Caritas-i zviceran janë të detyruar, në varësi të seriozitetit të fakteve të vëzhguara, t’i përfundojnë kontratat e tyre.

Shkelja e detyrimeve, parregullsitë ose mashtrimi

Caritas-i zviceran ka të drejtë të pezullojë ose anulojë procedurën, kur procedura e dhënies dëshmohet të ketë qenë objekt i shkeljes thelbësore të detyrimeve, parregullsive ose mashtrimeve. Nëse zbulohen shkelje thelbësore të detyrimeve, parregullsi, ose mashtrim pas dhënies së kontratës, autoriteti kontraktues mund të mos lidhë kontratë.

PROCESI I APLIKIMIT: SI TË APLIKONI?

Hapi 1: Njihuni me dokumentet e aplikimit në detaje:

Formularët e aplikimit mund të shkarkohen në linkun: Kliko ketu per te shkarkuar dosjen e aplikimit ose të kërkohen me postë elektronike sipas kërkesës (shih adresën e postës elektronike më poshtë).

Aplikuesit mund të aplikojnë në gjuhën shqipe ose atë serbe.

Hapi 2: Pasi të keni kontrolluar kriteret e pranueshmërisë, plotësoni formularin e aplikimit dhe të buxhetit dhe ofroni dokumentet mbështetëse.

Dokumentet e mëposhtme duhet t'i bashkëngjiten formularit të aplikimit:

  • Formulari i aplikimit (Ju lutemi përdorni vetëm formularin e aplikimit të bashkangjitur në linkun për aplikim)
  • Oferta financiare e intervenimeve duhet të jetë në Euro pa TVSH për të gjithë artikujt në formularin e bashkangjitur
  • Dokumenti i cili dëshmon se përfaqësuesja e iniciativës së grave nuk është nën hetim
  • OJQ-të e grave dhe kooperativat e grave duhet të paraqesin certifikatat e regjistrimit dhe TVSH-së (vetëm për OJQ-të dhe kooperativat me aktivitet ekonomik tashmë të regjistruar)
  • Opsionale: raporti vjetor financiar (idealisht 3 vitet e fundit) që tregon qarkullimin dhe fitimin (vetëm për OJQ-të dhe kooperativat me aktivitet ekonomik tashmë të regjistruar)
  • Opsionale: plani i biznesit
  • Opsionale: projektet referuese
  • Opsionale: auditimi vjetor (idealisht 3 vitet e fundit dhe vetëm për OJQ-të dhe kooperativat me aktivitet ekonomik tashmë të regjistruar)

Hapi 3: Komiteti i vlerësimit do të verifikojë informacionet gjatë vizitave në terren që do të kryhen gjatë procesit të përzgjedhjes dhe bazuar në të do të zgjidhen fituesit.

  • Dorëzoni aplikacionin me kohë

Aplikacionet duhet të dorëzohen në zarfe të mbyllura në adresën në vijim:

Zyra e Caritas-it zviceran në Kosovë
Fazli Balaj 59
10000 Prishtinë
Kosovë

Aplikimi së bashku me dokumentet e tjera të kërkuara duhet të dorëzohet në zarf të mbyllur në Zyrën e Caritas-it zviceran në Kosovë, dhe duhet të ketë mbërritur në zyrë jo më vonë se më 22.04.2021 (16:00).

Të gjitha oraret e treguara janë në zonën kohore të Kosovës.

Informacione shtesë:

Për pyetje rreth formularit të aplikimit dhe informacione shtesë, ju mund të kontaktoni zyrën e Caritas-it zviceran në Kosovë përmes postës elektronike ose telefonit:

Caritas-i zviceran në Kosovë: kosovo@caritas.ch; +383 46 988 000

Ju lutemi vendoseni në CC zyrtarët e mëposhtëm përgjegjës të projektit:

Për Prizren, Dragash, Suharekë, Kamenicë dhe Viti - npasuli@caritas.ch

Për Prishtinë, ajahja@caritas.ch

Për Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë dhe Novobërdë - isamardzic@caritas.ch

Pyetjet në lidhje me aplikimet mund të dërgohen përmes e-mailit jo më vonë se 6 ditë para afatit të fundit për dorëzim, duke treguar qartë referencën e thirrjes për propozime:

Do të mbahet një sesion informues për këtë thirrje për propozime në datën në vijim:

- 16 prill 2021 në ora 10:00 - 12:00

Ju lutemi vini re se për shkak të rrethanave aktuale me shpërthimin e pandemisë COVID-19, sesionet informuese do të mbahen përmes platformës Zoom. Në mënyrë që të mund të bashkoheni në sesionet informuese, duhet të ndiqni hapat në vijim:

Linku për pjesëmarrësit (16 prill 10.00 - 12.00):

Tema: Sesion informues: Fuqizimi i iniciativave te grave ne sektoret e perzgjedhur bujqesore

Time: Apr 16, 2021 10:00 AM Amsterdam, Berlin, Rome, Stockholm, Vienna Join Zoom Meeting

https://us02web.zoom.us/j/84640364377

Meeting ID: 846 4036 4377

Kostoja e ofertimit: Caritas-i zviceran në Kosovë nuk do t'i mbulojë kostot e ofertimit dhe ka të drejtë t'i pranojë ose refuzojë ofertuesit, ose ta anulojë ose shtyjë të gjithë procesin e ofertimit para nënshkrimit të ndonjë marrëveshje.

Shtojca 1: Formulari i aplikimit

Shtojca 2: Formati i Buxhetit


  1. Shih në https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2018/10/womens-network.pdf
  2. RRGK, Analiza e Shpejtë Gjinore, f. 11.
  3. Po aty.
  4. RRGK, Analiza Gjinore e Kosovës, f. 41.
Shikime 5078
Kategoria Të tjera
Skadon 3 ditë
Orari
Lokacioni
KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC