Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetur në nenin 31, paragrafi 4, nënparagrafi 4.7, i Ligjit Nr. 06/L -079 për Efiçiencë të Energjisë, të nenit 20 dhe 22 të Rregullores për Organizimin e Brendshëm, Punësimin dhe Shpërblimin e Personelit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (marrë për bazë edhe plotësim-ndryshimet e rregullores bazë), me qëllim të emërimit të Drejtorit të Sektorit të Operacioneve të Fondit të Kosovës për Efiçiencës të Energjisë, shpall:
KONKURS
Titulli i pozitës: Drejtor i Sektorit të Operacioneve
Numri i referencës: 11/2023/FKEE
Vendndodhja e pozitës: Prishtinë
Lloji i kontratës: Kontratë pune me orar të plotë për një periudhë të caktuar kohore (3 vjet), me mundësi të riemërimit
Kohëzgjatja e konkursit: 16.11.2023 – 30.11.2023
Përmbledhje e përgjithshme:
Fondi i Kosovës për Efiçiencës së Energjisë (FKEE) është entitet i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm i themeluar sipas Ligjit Nr. 06/L -079 për Efiçiencë të Energjisë. Ky fond është themeluar për t’i mundësuar Qeverisë së Republikës së Kosovës të arrijë objektivat politike të saj për efiçiencën e energjisë përmes promovimit, mbështetjes dhe zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë si dhe tërheqjes dhe menaxhimit të burimeve financiare për të financuar dhe zbatuar projektet e investimeve në fushën e efiçiencës së energjisë në mënyrë të qëndrueshme.
Nën mbikëqyrjen e Drejtorit Menaxhues (DM), Drejtori i Sektorit të Operacioneve është përgjegjës që njësia e tij e shërbimit të arrijë rezultate të qëndrueshme dhe të dukshme përmes operacioneve transparente në fushat profesionale të caktuara në njësinë e tij të shërbimit sipas rregulloreve te brendshme te FKEE-së.
Shënim: Emërtimet në këtë konkurs janë neutrale sa i përket gjinisë.
Detyrat dhe përgjegjësitë:
Drejtori i Sektorit të Operacioneve është përgjegjës për detyrat kryesore si më poshtë:
- Planifikimi, organizimi, koordinimi dhe menaxhimi i të gjitha aktiviteteve për zbatimin e plotë dhe me sukses të projekteve sipas dinamikës së planifikuar;
- Aprovimi i planeve dinamike të zbatimit të projekteve të FKEE;
- Hartimi dhe përgatitja e kushteve teknike për thirrje për propozime dhe/ose oferta për projektet e reja;
- Vlerësimi i propozimeve të pranuara të projektit nga këndvështrimi teknik, ekonomik/financiar dhe mjedisor, dhe përgatitja e raporteve të vlerësimit për përpunim të mëtejshëm nga FKEE-ja;
- Përgjegjësia që të sigurohet se kërkesat teknike tenderohen dhe kontraktohen sipas kërkesave të para-caktuara;
- Monitorimi, mbikëqyrja dhe verifikimi i projekteve në zbatim, pjesëmarrja në vlerësimin e progresit, këshillimi për devijimet e mundshme nga planet fillestare dhe dispozitat e marrëveshjeve të financimit;
- Përgatitja e inputeve për planet vjetore të punës, raporteve vjetore (teknike dhe financiare) dhe inputeve për politikën strategjike dhe planet afatmesme të zhvillimit;
- Mbikëqyrja e punëve të konsulentëve teknikë: auditorëve të energjisë, projektuesve të projekteve, kompanive të ndërtimit dhe këshilltarëve të komisioneve;
- Dorëzimi i Raporteve të Fillimit te Projektit tek DM dhe miratimi i Raporteve të Auditimit të Energjisë dhe Projektimit për projektet individuale të marra parasysh nga FKEE;
- Propozimi tek DM për projektet për miratimin e përkohshëm dhe miratimin përfundimtar;
- Rekomandimi për Menaxherët e Projektit për projektet individuale pasi Raportet e Fillimit të Projektit janë nënshkruar nga përfituesi, ndërsa është përgjegjës për të gjithë portofolin e projekteve të FKEE;
- Menaxhimi i personelit që raporton tek ai/ajo, planifikon aktivitetet, koordinon punën rreth projekteve, përfshirë sigurimin e kontrollit të cilësisë, identifikon nevojat e personelit vartës për trajnim dhe ngritje të kapaciteteve;
- Kujdesi që FKEE të zbatojë teknikisht në mënyrë të plotë standardet më të larta të cilësisë dhe të kohës, bazuar në Marrëveshjet e Shërbimit të Energjisë (ESA);
- Kujdeset që përfituesve të projekteve të u jepet mbështetje e duhur profesionale gjatë dhe pas fazës së zbatimit deri në Pranimin Përfundimtar;
- Koordinimi i aktivitetit të operacioneve të FKEE-së me Komunat, përfituesit dhe donatorët;
- Siguron të dhënat për projektet për publikim në faqen zyrtare dhe raportet e FKEE, si dhe transparencën e plotë në proceset nën përgjegjësinë e tij;
- Përgatitja e raporteve të progresit, në një format që do të miratohet në FKEE dhe i cili do të përdoret për raportime në baza të rregullta kohore;
- Kryen detyra të tjera të ndërlidhura siç kërkohen nga FKEE dhe të deleguara nga DM.
Kohëzgjatja e punës dhe kompensimi:
- Mandati i Drejtorit të Sektorit të Operacioneve është tre (3) vjeçar me mundësi të riemërimit.
- Drejtori i Sektorit të Operacioneve merr kompensimin/pagën të caktuar nga Bordi i Drejtorëve i FKEE-së, sipas rregullativës së brendshme (Koeficienti i pagës caktohet nga vlera 19 deri në 22, ku vlera aktuale e një koeficienti në FKEE është 100€, subjekt i ndryshimit nga Bordi).
Kualifikimi, përvoja e punës dhe aftësitë:
Kandidati për t’u kualifikuar për pozitën e Drejtorit të Sektorit të Operacioneve duhet t’i përmbush kushtet si në vijim:
- Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës apo të ketë ndonjë shtetësi tjetër;
- Të ketë diplomë universitare të njohur (valide) sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës në fushën e inxhinierisë (mekanike, elektrike, energji, etj.), arkitekturë, financa, ekonomi apo fushave të ngjashme;
- Të ketë të paktën tetë (8) vite përvojë pune profesionale, prej të cilave katër (4) vite përvojë menaxheriale në pozitat menaxheriale në projekte, operacione, financa apo në fusha të ngjashme relevante.
- Të mos jetë i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krimet tjera që lidhen me vendin e punës;
- Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi me shkrim dhe verbal në njërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë dhe njohje e shumë e mirë e gjuhës angleze;
- Të ketë integritet të lartë moral, aftësi të larta komunikimi dhe vendimmarrëse;
- Të posedojë shkathtësi në teknologji informative në aplikacionet e MS;
- Përvoja e mëparshme në fushën e energjisë apo në fushat e mëposhtme konsiderohet përparësi: (i) projektimi, mbikëqyrja, monitorimi dhe vlerësimi i projekteve, (ii) zbatimi i projekteve, (iii) vlerësimi tekniko-ekonomik, financiar dhe mjedisor i projekteve ose (iv) auditime të energjisë dhe dizajnimit, ose menaxhimi i projekteve në përgjithësi;
- Certifikimet profesionale në fushën e menaxhimit të projekteve konsiderohen përparësi;
- Të ketë shkathtësi të lartë në menaxhim, organizim, caktim të objektivave dhe planifikim dhe qasje fleksibile ndaj organizimit dhe mbikëqyrjes së punës, përfshirë zgjidhjen e problemeve të FKEE-së;
- Të ketë aftësi të mira për të përcaktuar prioritetin e detyrave të rëndësishme dhe aftësi për të punuar nën presion.
INFORMATË E PËRGJITHSHME PËR KANDIDATËT LIDHUR ME PROCEDURAT E KONKURRIMIT
FKEE ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë shtetasit e Kosovës dhe mirëpret aplikacionet nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Po ashtu, FKEE siguron që procedurat e përzgjedhjes të jenë të hapura, ofron konkurrencë jo-diskriminuese, objektive dhe transparente, duke u bazuar në një grup kualifikimesh dhe aftësish.
Aplikacionit duhet t’i bashkëngjiten dokumentet përcjellëse si në vijim:
- Kopja e pasaportës ose letërnjoftimit valid (që dëshmon shtetësinë e aplikantit);
- Biografia (CV); (CV-ja duhet të përmbajë sqarime të detajuara lidhur me natyrën e përvojës menaxheriale të aplikantit);
- Dëshmitë për kualifikimet arsimore dhe profesionale (diplomat e fituara jashtë vendit duhet të jenë të nostrifikuara nga MAShTI).
- Dëshmitë e përvojës së punës; (Dëshmimi i përvojës së punës bëhet nëpërmjet: 1. Kontratave apo vërtetimeve të punës të lëshuara nga punëdhënësit mbi marrëdhënien e punës; dhe 2. Pasqyra e kontributeve pensionale - Trusti. Përvojë menaxheriale konsiderohet pozitë e punës që ka nën menaxhim staf dhe/apo buxhet dhe/apo projekte);
- Letra motivuese; (Kjo letër me maksimum 2 faqe, shpjegon se si ndërlidhet përvoja e punës të kandidatit me pozitën që ka aplikuar si dhe sqaron vizionin e kandidatit për punën e FKEE-së për kohëzgjatjen e mandatit. Letrat motivuese që janë shabllone të përgjithshme dhe që nuk elaborojnë ndërlidhjen e përvojës së punës të kandidatit me pozitën që ka aplikuar, nuk do të merren parasysh);
- Certifikata që dëshmon se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale sipas kritereve të konkursit; (Certifikata që dëshmon se aplikuesi nuk është dënuar me vendim formës së prerë për kryerjen e një vepre penale merret nga gjykata kompetente. Certifikata duhet të jetë jo më e vjetër se sa data e publikimit të konkursit);
- Dy letra referuese (preferohet nga punëdhënësit/mbikëqyrësit paraprakë dhe/ose aktualë);
Dorëzimi i aplikacioneve:
Dokumentet e aplikimit mund të përgatiten në cilëndo nga tre (3) gjuhët: shqip, serbisht ose anglisht.
Dokumentacioni dorëzohet në mënyrë elektronike (i skenuar) në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, në adresën elektronike info@fkee-rks.net
Dorëzimi i saktë aplikacionit është përgjegjësi e aplikantëve. Dokumentacioni i pakompletuar rezulton me diskualifikim të kandidatit.
Afati i konkurrimit nga data 16.11.2023 deri më datë 30.11.2023.
Dokumentacioni i dërguar pas datës së fundit të konkurrimit nuk do të pranohet.
Për informata shtesë, ju lutemi kërkoni sqarim në email adresën info@fkee-rks.net
FKEE mban të drejtën e anulimit apo pezullimit të këtij konkursi në cilëndo fazë, varësisht nga çështje të ndërlidhura me këtë konkurs.