Kontakti
Copyright © 2022
KosovaJob LLC
Shikime
Kategoria
Skadon
Orari
Lokacioni
	 	 

Në bazë të Nenit 29, paragrafi 2.7, Nenit 34 të Ligjit Nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës, në bazë të Nenit 21. të Statutit të Radiotelevizionit të Kosovës, në bazë të Nenit 15. dhe 21.3 të Rregullores për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të Lartë të RTK-së dhe në bazë të miratimit nga Bordi të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Radiotelevizionit i Kosovës rishpall:

KONKURS

Titulli i pozitës: Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës

Numri i referencës: 2508

Kohëzgjatja e mandatit: Tri (3) vjet, me mundësi të rizgjedhjes në bazë të konkursit publik

Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i RTK-së:

Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore:

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm e ndihmon dhe e zëvendëson Drejtorin e Përgjithshëm të
Radiotelevizionit të Kosovës në punët dhe detyrat në vijim:

➢ Në menaxhimin e veprimtarisë së RTK-së në pajtim me Ligjin e RTK-së, Statutin dhe Kodin Etik të RTK-së;

➢ Në administrimin e përgjithshëm dhe menaxhimin e RTK-së, duke siguruar funksionim efektiv dhe efikas;
➢ Në mbikëqyrjen e punës së të gjitha shërbimeve, departamenteve dhe njësive;

➢ Në zgjedhjen dhe shkarkimin e personelit të RTK-së, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës, Ligjin e RTK-së dhe Statutin e RTK-së;

➢ Në marrjen e vendimit lidhur me çështjet e organizimit të brendshëm, të financave dhe të pagave, në bazë të kritereve të përcaktuara nga Bordi i RTK-së;

➢ Në përgatitjen e raportit financiar dhe raportit vjetor të të hyrave dhe të shpenzimeve për vitin paraprak;

➢ Në përgatitjen e propozimit të planit programor dhe afarist vjetor, i cili është në përputhshmëri me ligjin dhe standardet ndërkombëtare dhe me mandatin e RTK-së, siç është përcaktuar me Ligjin për RTK-në;

➢ Në bashkërendimin e punës së njësive administrative të RTK-së dhe zgjidh brenda kompetencave të tij, mosmarrëveshjet midis tyre;

➢ Në ndërmarrjen e masave korrigjuese, pas konstatimit se ka pasur shkelje të standardeve, rregulloreve dhe ligjeve të aplikueshme;
➢ Në mungesë të Drejtorit të Përgjithshëm, përfaqëson RTK-në brenda dhe jashtë vendit;

➢ Ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm në sigurimin e zbatimit të rregulloreve të brendshme të RTK-së;

➢ Në mungesë të Drejtorit të Përgjithshëm nënshkruan kontratat e punës dhe kontratat e tjera të parapara me ligj;
➢ Në organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në RTK;

➢ Ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm në mbajtjet e kolegjiumeve të rregullta të Menaxhmentit të lartë;

➢ Ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm në zbatimin e sistemit përkrahës për vendimmarrje;

➢ Ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm gjatë aprovimit të akteve dhe rregulloreve të brendshme, në bazë të politikave të përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve;

➢ Kryen detyra të tjera, në bazë të Ligjit, vendimeve të Bordit të Drejtorëve të RTK-së dhe udhëzimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

I emëruari për punën e vet në cilësinë e Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i RTK-së i përgjigjet dhe i raporton Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të veçanta:

Kushtet dhe kriteret e përgjithshme të cilat duhen plotësuar nga kandidati me rastin e aplikimit janë:

➢ Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;

➢ Të ketë përvojë të menaxhimit të mediave apo fushave të tjera relevante;

➢ Të mos jetë i dënuar për vepër penale të dënueshme mbi gjashtë (6) muaj;

➢ Dëshmi që nuk është nën hetime;

➢ Të mos ketë qenë i zgjedhur apo i emëruar (funksionar publik) gjatë tri (3) viteve të fundit;

➢ Të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror e lokal apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike gjatë tri (3) viteve të fundit;

➢ Të mos ketë angazhime biznesi ose çfarëdo lloj çështjeje, të cilat mund të konsiderohen si konflikt interesi, i paraparë në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik;

➢ Të ketë integritet të lartë profesional dhe moral.

Përveç kushteve të përgjithshme të cekura më lart, kandidati duhet të plotësojë edhe këto kushte dhe kritere të veçanta:

➢ Kualifikimi Universitar;

➢ Të ketë së paku 4 vjet përvojë pune të menaxhimit në media ose në fusha të tjera relevante;

➢ Të zotërojë ndonjërën nga gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës, në të folur dhe në të shkruar;

➢ Njohja e gjuhës angleze konsiderohet përparësi;

➢ Të ketë aftësi për caktimin e prioriteteve dhe punë ekipore si dhe për të punuar në mënyrë efikase nën presion kohor;
➢ Të ketë aftësi për të bashkëvepruar me maturi dhe ndjeshmëri me kolegë dhe palë.

Aplikuesi duhet të dorëzojë dokumentet si në vijim:

a. Formulari për aplikim (Formularin zyrtar për aplikim, mund ta gjeni në ueb-faqen e RTK-së në këtë vjegëz: https://www.rtklive.com/sq/page.php?ID=19)

b. Curriculum Vitae (CV) (Dokumenti në fjalë – CV, Biografi, Rezyme – duhet të jetë i aktualizuar dhe duhet të përmbajë informacion të detajuar rreth të dhënave personale, shkollimit/edukimit, trajnimeve, përvojës së punës, aftësive profesionale, aftësive të buta, ose çfarëdo informacioni tjetër që konsiderohet se e pasuron dosjen e aplikimit).

c. Dëshmitë e kualifikimit universitar (Diplomat e fituara brenda vendit duhet të jenë të noterizuara, kurse diplomat e fituara jashtë vendit duhet të jenë të nostrifikuara nga organet kompetente të Republikës së Kosovës).

d. Një kopje të letërnjoftimit ose të pasaportës valide (Dokumenti i identifikimit duhet të jetë i lëshuar nga Republika e Kosovës, duke dëshmuar kështu shtetësinë e aplikuesit).

e. Dëshmia e përvojës së punës menaxheriale 4-vjeçare (Dëshmimi i përvojës së punës menaxheriale duhet të bëhet nëpërmjet kontratave të punës ose vërtetimeve të punës të lëshuara nga punëdhënësit mbi marrëdhënien e punës. Përvoja e punës menaxheriale kërkohet në fushën e mediave ose fushave të tjera relevante, që mund të jenë: financa, operacione, administratë, biznes, burime njerëzore, marketing, art, çështje ligjore, etj. Dokumentet e dorëzuara duhet të japin informacion eksplicit lidhur me pozitën menaxheriale dhe kohëzgjatjen e ushtrimit të asaj pozite. Përvoja e punës menaxheriale konsiderohet pozitë e punës që ka nën menaxhim një nga aspektet, si numër të caktuar punonjësish, projekte, procese të ndryshme, buxhet financiar ose një kombinim të tyre, e këto informata nëse nuk gjenden në kontratat e punës, duhet të dëshmohen nga vërtetimi i punës i lëshuar nga punëdhënësit).

f. Dy letra referuese profesionale (Dy letrat referuese duhet të lëshohen nga punëdhënësit/mbikëqyrësit paraprakë dhe/ose aktualë)

g. Certifikata që dëshmon se aplikuesi nuk është nën hetime dhe certifikata që dëshmon se aplikuesi nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale sipas kritereve të konkursit (Certifikatat që dëshmojnë se aplikuesi nuk është nën hetime dhe që nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale apo nuk ka një të kaluar kriminale duhet të merren në Policinë e Kosovës dhe gjykatën kompetente. Certifikatat duhet të jenë jo më të vjetra sesa data e publikimit të konkursit)

Kërkesë shtesë:

Bashkëngjitur me dokumentacionin e lartshënuar, kandidatët duhet të dorëzojnë edhe një Koncept Strategjik lidhur me synimet zhvillimore të Transmetuesit Publik të Kosovës - RTK-së, në të cilin duhet të përfshihet Strategjia Zhvillimore e RTK-së. Mes tjerash, dokumenti në fjalë duhet t’i plotësojë këto kërkesa:

• Të shkruhet dhe të përpilohet në formatin e Strategjisë Zhvillimore që do të zbatohet gjatë mandatit tre (3) vjeçar;

• Të paraqesë sfidat dhe problemet kryesore të RTK-së, duke ofruar zgjidhje për secilën prej tyre.

• Dokumenti konceptual mund të dorëzohet në versionin e shkurtuar dhe përmbledhës (maksimum 5 faqe), përderisa i njëjti pastaj mund të zgjerohet dhe plotësohet për t’u prezantuar në detaje gjatë procesit të intervistës.

Mënyra e dorëzimit të dokumentacionit/aplikacionit

Dokumentacioni i kërkuar me konkurs publik duhet të dorëzohet fizikisht në zarf të mbyllur, në zyrën e Administratës të RTK-së, kati 3, nr.71, në ndërtesën e Televizionit të Kosovës, rr. “Xhemajl Prishtina”, nr.12, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

Dokumentet e aplikimit mund të përgatiten në cilëndo nga tri (3) gjuhët: shqip, serbisht ose anglisht, kurse dokumentet në gjuhë të tjera duhet të përkthehen. Data e fundit e pranimit të aplikacioneve është 12.08.2022, ora 16.00.

Aplikacionet e dorëzuara pas afatit dhe kohës së paraparë me konkurs publik nuk do të pranohen.

Mënyra e vlerësimit të aplikacioneve

Procedurat, kriteret dhe mënyra e përzgjedhjes së Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, janë të sqaruara në tërësi në Rregulloren për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të Lartë të RTK-së, e cila është e qasshme përmes këtij linku:

https://www.rtklive.com/sq/pages/files/rregullore_procedurat_perzgjedhjes_drejtorit_pergjithshe m2.pdf

Informacion shtesë:

Emërtimet në këtë konkurs janë neutrale sa i përket gjinisë dhe nënkuptojnë edhe gjininë tjetër. Të gjitha të dhënat dhe dokumentacioni, përveç emrave dhe mbiemrave të kandidatëve, do të trajtohen sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

RTK ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe mirëpret aplikacionet nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Po ashtu, RTK siguron që procedurat e përzgjedhjes janë të hapura, ofrojnë konkurrencë jodiskriminuese, objektive dhe transparente, si dhe i gjithë procesi i përzgjedhjes është transparent.

Për informata të tjera, kontaktoni zyrën e Administratës të RTK-TV në numrin +383 (0) 38 230 102.


Shikime 873
Kategoria Menaxhment
Skadon 12/08/22 (Ka skaduar!)
Orari Full Time
Lokacioni Prishtinë
KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management