Rrjeti i Grave të Kosovës

Ekspert/e Gjinor/e për Arsim

	 	 

Termat e referencës

 Ekspert/e Gjinor/e për Arsim

Projekti: Avancimi i mëtejmë i të drejtave të grave në Kosovë II

Zbatuar nga: Rrjeti i Grave të Kosovës

Mbështetur nga: Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), e bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida)

Personi kontaktues: Zana Rudi, Menaxhere e Programit

Historiku

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është një rrjet prej 168 organizatash që mbështetë, mbron dhe promovon të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia. Në kuadër të Strategjisë së RrGK-së për periudhën 2019-2022, të krijuar nga anëtarët e RrGK-së, një nga programet kryesore është “Përmirësimi i qasjes në arsim cilësor dhe të ndjeshëm gjinor”.

RrGK i ka rrënjët e saj në Rrjetin e Grave Rurale, i cili ishte i përqendruar kryesisht në zgjerimin e qasjes në arsimim për vajzat gjatë viteve të ‘90-ta. Aktivitetet kryesore të disa prej organizatave anëtare më të vjetra të RrGK-së kanë kontribuar në ndryshime themelore sa i përket qasjes së vajzave në arsim. Pjesërisht për shkak të përpjekjeve të tyre, përqindja e grave të reja që vijojnë arsimin është rritur ndjeshëm në dy dekadat e fundit dhe tani vajzat vijojnë arsimin në shkallë të ngjashme si djemtë. Disa vajza rome, ashkali dhe egjiptiane, si dhe ato me aftësi të kufizuara, ende ballafaqohen me disa sfida në qasjen në arsim. Shumë anëtare të RrGK-së vazhdojnë edhe sot punën e tyre të rëndësishme lidhur me arsimin, duke u fokusuar në përmirësimin e qasjes në arsim për grupet etnike pakicë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. RrGK gjithashtu ka mbështetur krijimin e Fondacionit ‘Çifti Buçinca’ për arsimin e vajzave për të vazhduar të mundësojë qasjen e vajzave në arsim për vitet në vijim përmes ngjarjeve të mbledhjes së fondeve, donacioneve, etj.; dhe RrGK ka mbështetur nisma të ndryshme të avokimit drejt rritjes së qasjes së vajzave dhe grave në arsim duke mbështetur organizatat anëtare të RrGK-së përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK).

Gjatë këtij progresi, RrGK dhe anëtaret e saj në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të integruar edukimin e duhur seksual në shkolla kanë hasur në sfida. Ende sot pak të rinj mësojnë për çështjet që kanë të bëjnë me seksualitetin dhe shëndetin seksual dhe riprodhues në shkollë.[1] Ata nuk mësojnë as për përdorimin e kontraceptivëve, pasi që mësimdhënësit anashkalojnë rregullisht leksionet e edukimit për shëndetin riprodhues.[2] Anëtaret e RrGK-së kanë shprehur vazhdimisht shqetësimet e tyre se mësimdhënësit nuk po ua mësojnë këto informata nxënësve.  

Ndërkohë aktivistët, prej vitesh, kanë ngritur shqetësime në lidhje me kurrikulat në Kosovë, të cilat shpesh përforcojnë stereotipet gjinore.[3] Për shembull, gratë shfaqen duke gatuar dhe pastruar, ndërsa burrat janë “fuqishëm” si punëtorë ndërtimi. Në raste edhe më shqetësuese, libra të tillë si në Fakultetin Juridik, kanë përfshirë tekste ku "fajësohet viktima”, duke nënkuptuar se është faji i grave nëse ato përjetojnë përdhunim ose dhunë seksuale. Kurrikula të tilla, të cilat ende mësohen në Kosovë edhe sot, ka të ngjarë të kontribuojnë në dhunën kundër grave si dhe reagimin e dobët të institucioneve ndaj dhunës me bazë gjinore. Në përgjithësi, përdorimi i kurrikulave që përforcojnë në vend që të transformojnë rolet tradicionale gjinore kontribuon në pabarazinë, duke përfshirë përforcimin e rolit të grave si kujdestare pa pagesë dhe të stereotipeve profesionale. Organizatat si Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë avokuar që MASHT-i të ndryshojë kurrikulën, por janë përballur me rezistencë, ashtu si edhe gratë e reja juriste që avokojnë në Fakultetin Juridik.

Ndërkohë, edhe PKBGJ-ja ka identifikuar kurrikulat si një fushë që ka nevojë për trajtim të transformuar normat tradicionale gjinore, dhe ka përmendur OJQ-të si një aktor që duhet të angazhohen në këtë së bashku me ABGJ-në dhe MASHT-in. PKBGJ-j, si dhe dokumente të tjera kryesore si Plani i Veprimit Gjinor i BE-së (PVGJ) III, theksojnë rëndësinë e trajtimit të normave, roleve dhe marrëdhënieve tradicionale gjinore përmes arsimit, në të gjitha nivelet, në kurrikula dhe në metodologjitë e mësimdhënies, drejt transformimit të qëndrueshëm të roleve dhe marrëdhënieve shoqërore që kontribuojnë në pabarazitë gjinore.

Edukimi i hershëm në veçanti mund të shërbejë për transformimin e roleve dhe normave tradicionale gjinore, duke i edukuar fëmijët që në moshë të re se ata kanë mundësi të barabarta për profesione dhe zgjedhje të ndryshme të jetës, pavarësisht nga gjinia e tyre. Megjithatë, jo vetëm që një qasje e tillë nuk mësohet në Kosovë, por pjesëmarrja në arsimin parashkollor në Kosovë ku duhet të fillojë mësimi i tillë është shumë e ulët për shkak të mungesës së institucioneve parashkollore të përballueshme.[4] Siç u theksua, kjo kontribuon në shkallë të ulëta të punësimit të grave, duke pasur parasysh rolet e tyre tradicionale shoqërore si kujdestare. Për më tepër, mungesa e arsimit të hershëm minon rezultatet përfundimtare arsimore të fëmijëve.[5] Kosova mbetet larg arritjes së Objektivave të Barcelonës të BE-së,[6] edhe pse qeveria është zotuar të përparojë në këtë fushë në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, dhe, kohët e fundit, në PKBGJ. Nevojiten përpjekje për të monitoruar realizimin e këtyre zotimeve, si dhe për të avokuar në komuna, në bazë të decentralizimit, për të ndarë mjete të mjaftueshme për funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve parashkollore.

Për periudhën 2021-2025, RrGK-ja është përkrahur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Sida për projektin katër vjeçar me titull “Avancimi i mëtejmë i të drejtave të grave në Kosovë II”. Ndikimi i parashikuar i këtij veprimi është “Përmirësimi i barazisë gjinore në Kosovë, ku gratë dhe burrat janë më të barabartë dhe kanë më shumë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe për një jetë pa dhunë”. Rezultati i parashikuar i këtij veprimit, në të cilin eksperti/ekspertja do të kontribuojë, është përmirësimi i qasjes në arsim që i sfidon normave ekzistuese gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit. Tjetër Rezultat i parashikuar është që RrGK dhe anëtaret e saj të jenë më të angazhuara në avokim për qasje në arsim që transformon rolet tradicionale gjinore. 

Për të arritur këto rezultate, RrGK kërkon një ekspert/eksperte që:

1) bashkëpunon me RrGK-në dhe anëtare e saj për të monitoruar procesin e rishikimit të kurrikulave dhe për të avokuar që këto ndryshime të ndodhin; dhe 2) të krijojë një metodologji dhe të trajnojë anëtaret e interesuara të RrGK-së dhe studentët vullnetarë në metodologjinë e përbashkët për monitorimin e realizimit të kurrikulave nga mësuesit e shkollave të mesme, duke avokuar për përmirësimin e qasjes aty ku identifikohen mangësitë. Bazuar në këtë monitorim, RrGK do të ofrojë rekomandime për ndryshimin e kurrikulave, trajnim të mësimdhënësve dhe monitorim, për të zvogëluar pabarazitë gjinore, për të transformuar rolet gjinore dhe për të ndryshuar normave gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit për MASHT-in dhe grupet e saj të punës. RrGK do të avokojë për miratimin e këtyre rekomandimeve, duke përfshirë edhe aktorë të tjerë aty ku është e nevojshme.

Përgjegjësitë

Eksperti/Ekspertja, në konsultim të ngushtë me RrGK-në, do të zhvillojë një metodologji për monitorim bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Monitorimi gjithashtu do të përfshijë rishikimin e teksteve për portretizime të tjera potencialisht diskriminuese të grave, burrave, vajzave dhe djemve, duke përfshirë vëmendjen ndaj përfshirjes së modeleve të roleve pozitive në lidhje me personat me aftësi të ndryshme, pakicat etnike dhe të tjerë. Metodologjia e monitorimit do të përfshijë qasjen për monitorimin e mësimdhënies së kurrikulave nga mësimdhënësit lidhur me transformimin e normave, roleve dhe marrëdhënieve gjinore. Strategjia do të përfshijë aspektet etike për të qenë prezent në hapësirat ku janë të miturit. Kjo metodologji do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me RrGK-në dhe në konsultim me MASHT-in.

Pasi krijimit dhe miratimit të metodologjisë, eksperti/ekspertja do të trajnojë anëtaret e interesuara të RrGK-së dhe vullnetarët e rinj në metodologjinë për monitorimin e realizimit të kurrikulave nga mësimdhënësit e shkollave të mesme, pa stereotipe gjinore dhe drejt transformimit të roleve gjinore. Të gjithë ata do të trajnohen në metodologjinë e dakorduar. Ekspertët do t'i shoqërojnë ata gjatë ushtrimeve të tyre fillestare të monitorimit dhe do të takohen me ta pas monitorimit në mënyrë që të sigurohet që monitorimi është bërë në mënyrë të saktë. Anëtaret e trajnuara dhe të kualifikuara të RrGK-së dhe vullnetarët e tyre do të marrin grante nga FGK e RrGK-së për të realizuar monitorimin.  Ato do të paraqesin raporte javore që do të rishikohen nga eksperti/ekspertja, dhe eksperti/ekspertja do t’i bashkohet periodikisht monitorimit në mënyrë që të sigurojë kontrollin e cilësisë. Gjetjet do të përpilohen në një raport.

Detyrat

  • Hartimi i një metodologjie të monitorimit për a) kurrikulat; dhe b) mësimdhënien e normave, roleve gjinore dhe marrëdhënieve shoqërore në shkolla, duke përfshirë edhe kurrikulat e edukimit seksual.
  • Diskutimi i metodologjisë me RrGK-në, duke e rishikuar atë në përputhje me informatat kthyese.
  • Së bashku me RrGK-në dhe anëtaret e saj, monitorimi i procesit të rishikimit të kurrikulave duke ndjekur normat, rolet gjinore dhe marrëdhëniet shoqërore.
  • Hartimi dhe ofrimi i punëtori ndërvepruese me përfituesit e granteve të FGK për të shpjeguar në mënyrë të qartë metodologjinë për monitorimin e mësimdhënies nga mësimdhënësit.
  • Shkrimi i një raport të shkurtër që përmbledh punëtorinë, rezultatet e vlerësimit të pjesëmarrësve dhe propozimi i rekomandimeve për hapat e ardhshëm, duke bërë rishikimin në bazë të komenteve të marrë nga RrGK.
  • Krijimi i një plani të punës për përcjelljen, mbështetjen dhe monitorimin e punës së përfituesve të granteve të FGK-së që monitorojnë arsimin (në komunikim të ngushtë me RrGK-në).
  • Ofrimi i mentorimit për përfituesit e granteve të FGK-së që punojnë në këtë fushë programore të Strategjisë së RrGK-së, sipas nevojës dhe siç është rënë dakord me stafin e FGK-së të RrGK-së.
  • Kombinimi i raporteve të monitorimit të marra nga anëtaret e RrGK-së dhe shkrimi i një raport të bazuar në monitorim, dhe dorëzimi i tij në RrGK për shqyrtim.
  • Rishikimi i raportit duke u bazuar në informatat kthyese të marra nga RrGK.
  • Komunikimi i rregullt me stafin e RrGK-së dhe informimi i tyre për aktivitetet.
  • Hartimi dhe rishikimi, sipas nevojës, i një raport të shkurtër vjetor në lidhje me detyrat e kryera gjatë vitit, numrin e përfituesve të arritur të ndarë sipas gjinisë, rezultatet e arritura dhe rekomandimet për hapat e ardhshëm.
  • Në të gjitha punët, duhet të merren parasysh çështjet ndër-sektoriale të gjinisë dhe mjedisit, aty ku kjo është e rëndësishme.

Fushëveprimi

Eksperti/ekspertja do të jetë i/e nevojshme gjatë gjithë këtij veprimi të mbështetur nga ADA dhe Sida, deri më 28 shkurt 2025. Zona gjeografike do të përfshijë të gjithë Kosovën, me fokus në zonat ku janë vendosur grupet e synuara dhe përfituesit. Vëllimi i punës do të ndryshojë në bazë të nevojave të anëtareve të RrGK-së dhe përfituesve të granteve të FGK-së.

Plani kohor

Plani i përafërt kohor do të jetë si në vijim:

Shpallja e pozitës: 2 shtator 2021 

Afati i fundit për aplikimet: 16 shtator 2021

Zgjedhja e ekspertit/ekspertes: 23 shtator 2021

Takim informues: 24 shtator 2021

Plani i punës, materialet e tjera të nevojshme: 4 tetor 2021

Përgatitja e materialeve për punëtori: 5 tetor 2021       

Mbajtja e punëtorisë së parë: 8 tetor 2021 (mbetet të konfirmohet)

Raportet për punëtoritë:  7 ditë pas punëtorisë

Raportet vjetore: Çdo vit (mbetet të konfirmohet)

Raporti përfundimtar:  Mbetet të konfirmohet pas planit të punës

Ditë pune të planifikuara

Kjo kontratë do të përfshijë më së shumti deri në 40 ditë pune me përafërsisht 10 ditë pune në vit, duke filluar nga 24 shtatori 2021 deri më 28 shkurt 2025, që do të faturohen në bazë të kohës së punës së realizuar. Ditët e punës do të specifikohen në planin e punës në diskutim me stafin e RrGK-së.

Koordinimi/përgjegjësia

Eksperti do t'i raportojë Menaxheres së Programit të RrGK-së, Zana Rudi, dhe do të veprojë në koordinim të ngushtë me Drejtoren e Programit të RrGK-së, Nicole Farnsworth, Menaxheren e Granteve të FGK-së, Gentiana Murati-Kapo, dhe stafin tjetër të RrGK-së. RrGK do të ofrojë ndihmë për organizimin e punëtorive dhe takimeve me anëtaret e RrGK-së. RrGK do të mbulojë të gjitha shpenzimet e transportit për udhëtimet e para-miratuara në lidhje me këtë kontratë.

Kualifikimet e ekspertit/ekspertes

Eksperti/ekspertja duhet të flasë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe angleze (njohja e gjuhës serbe është e mirëseardhur). Eksperti/ekspertja e përzgjedhur duhet të demonstrojë në aplikacionin e tij/saj që posedon, të paktën:

  • Një diplomë BA në fushën e arsimit, studimeve gjinore dhe/ose sociologjisë.
  • Njohuri për sistemin arsimor në Kosovë, duke përfshirë kornizën përkatëse ligjore;
  • Përvoja së paku dy vjeçare në realizimin e hulumtimeve shoqërore, duke përfshirë përvojën si në hartimin e metodologjisë ashtu edhe në analizën gjinore;
  • Së paku dy vjet përvojë në mësimdhënie, trajnim dhe/ose mentorim;
  • Përvojë dhe një qasje të përshtatshme në mentorim dhe në punën e afërt me grupet potencialisht të margjinalizuara dhe/ose të cenueshme (p.sh., ku përfshihen gratë, personat me aftësi të ndryshme dhe në zonat rurale); dhe
  • Shkathtësi të shkëlqyera në shkrim.

Dorëzimi i ofertave

Ekspertët/ekspertet e kualifikuar të interesuara, duhet të dërgojnë pakon e aplikimit duke përfshirë: 

  • CV-në;
  • Letrën e motivimit që shpjegon kualifikimet dhe kapacitetet për realizimin e këtyre detyrave;
  • Një përshkrim të shkurtër të qasjes së propozuar ndaj detyrave të renditura më lart (jo më shumë se një faqe);
  • Informatat e kontaktit për të paktën tri referenca; dhe
  • Tarifën ditore të propozuar nga eksperti/ekspertja, në përputhje me tarifat paraprake të verifikueshme në mënyrë të pavarur për punë të ngjashme të kryera nga eksperti/ekspertja.

Ekspertët e interesuar dhe të kualifikuar duhet të kenë parasysh se RrGK është një organizatë jofitimprurëse që kërkon oferta në përputhje me tarifat ditore vendore. 

Ju lutemi, dorëzoni dokumentet e kërkuara deri më 16 shtator 2021, në orën 17:00 në e-mailin procurement@womensnetwork.org duke shkruar në subjekt “Eksperte për Arsim”.

Vlerësimi i kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen nga një komision prej tre personash, si në vijim:

30% Përvoja

30% Metodologjia e propozuar

30% Intervista (aftësi e komunikimit)

10% Kostoja më e ulët


[1]RrGK, Qasja në kujdesin shëndetësor në Kosovë.

[2]Sipas vëzhgimeve të anëtareve të RrGK-së.

[3]RrGK, Analiza Gjinore e Kosovës , f. 36

[4]RrGK, Analiza Gjinore e Kosovës.

[5] KE, Objektivat e Barcelonës: Zhvillimi i institucioneve për kujdesin ndaj fëmijëve për fëmijët e vegjël në Evropë, në vështrim të rritjes së qëndrueshme dhe përfshirëse, fq. 5.

[6]‘Objektivat e Barcelonës' theksojnë se arsimi parashkollor duhet t'u ofrohet 90% të fëmijëve midis moshës tre vjeç dhe moshës shkollore të detyrueshme, dhe 33% të fëmijëve nën moshën tre vjeç (KE, Objektivat e Barcelonës: Zhvillimi i institucioneve për kujdesin ndaj fëmijëve për fëmijët e vegjël në Evropë, në vështrim të rritjes së qëndrueshme dhe përfshirëse, fq. 5.

Shikime 1115
Kategoria Edukim
Skadon Ka skaduar!
Orari Full Time
Lokacioni Prishtinë
KosovaJob is the largest employment network in Kosovo certified by Bureau Veritas with ISO 9001:2015 Quality Management
Follow Us
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC